MENU
klinika

Ndryshimet kushtetuese

Gjermania mbështet Maqedoninë e Veriut

25.03.2023 - 10:38

Gjermania vazhdon të jetë një nga promotorët më të fuqishëm të integrimit evropian të rajonit duke i dhënë një mbështetje të qëndrueshme edhe Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut e njeh rëndësinë e procesit të negociatave me Bashkimin Evropian dhe për këtë qëllim do të investojë kapacitetet e saj politike dhe administrative në drejtim të zbatimit të agjendës evropiane, tha ministri i Punëve të Jashtme i RMV-së Bujar Osmani në një takim me homologen gjermane Analena Berbok.

“Debati për amendamentet kushtetuese tani po zhvillohet për shkak të interesit partiak-politik të opozitës për të ardhur në pushtet. Kur ndryshimet do të vijnë tek qytetarët, ata do të vërejnë lojën e pistë të opozitës që shprehen kundër ndryshimeve kushtetuese “, tha ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Ndryshimi i Kushtetutës çështje mbipartiake

Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Berbok u shpreh në Shkup se është optimiste që deri në dhjetor të këtij viti do të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe procesi i negociatave të vendit me Bashkimin Evropian do të vazhdojë.

“Çështja e ndryshimit të Kushtetutës duhet të jetë mbipartiake, me ate do të sigurohet shumicë prej dy të tretave të votave që mundëson ndryshimin e kushtetutës. Hapat e rëndësishëm kërkojnë kapital politik. Ndryshimi i kushtetutës nuk duhet të bëhet mollë sherri”, u shpreh Analena Berbok, ministre e Punëve të Jashtme e Gjermanisë.

Kalkulimet partiake duhet të lihen mënjanë kur të vendoset për ndryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut. Pritjet e shumicës së madhe të qytetarëve në vend nuk duhet të zhgënjehen, tha kryediplomatja gjermane Analena Berbok.

“Shpresat dhe pritshmëritë e mëdha të qytetarit për procesin e anëtarësimit janë për ne një mundësi dhe një rrezik në të njëjtën kohë: rrezik, sepse ne mund të humbim qytetarët e Maqedonisë për Evropën nëse si BE i tradhëtojmë pritshmëritë e tyre. Mundësi, sepse është e qartë se për çfarë bëhet fjalë: për të ardhme në familjen evropiane, për rajon me mirëqenie dhe paqe të qëndrueshme”, tha Analena Berbok.

Kovaçevski: Mbështetja e Gjermanisë nuk ka munguar asnjëherë

Gjermania është një nga aleatët më të afërt dhe mbështetësit më të fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit drejt BE-së dhe autoritetet gjermane kanë treguar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vendit tonë, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

“Është përcjellë një mesazh i qartë dhe konkret se Gjermania qëndron në krah të Maqedonisë së Veriut për hapin e ardhshëm të vendit tonë në integrimet evropiane. Shprehet pritshmëria që kjo çështje strategjike për vendin dhe rajonin të jetë në krye të të gjitha subjekteve politike në vend”, tha Kovaçevski.

Mbështetja e gjerë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut për ndryshimin e Kushtetutës do të dërgojë sinjal jo vetëm për vetë vendin, por edhe për të gjithë rajonin, tha shefja e diplomacisë gjermane Analena Berbok.

Ageler: Ndyshimi i kushtetuës hapë drejtë inegrimit evropian

Mbështetje për domosdoshmërinë e ndryshimeve kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë që të tejkalohet pengesa në lidhje me procesin eurointegrues të vendit, ka dhënë edhe ambasadorja e SHBA-ve në vend, Angela Ageler. Ajo u bëri edhe njëherë thirje liderëve politikë në vend se së pari duhet të kenë parasysh interesin e vendit dhe të qytetarëve. Ageler thotë se ndryshimet kushtetuese do të ishin një hap përpara drejt integrimit të vendit në BE.

“Rruga më e mirë është që kjo të mos bëhet në një ambient të politizuar tej mase me retorikë të politizuar, të ecet përpara duke marrë parasysh interesin më të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij. Kjo përfshin votimin e amendamentit kushtetues dhe nënkupton të shkohet përpara si shtet”, tha ambasadorja Ageler.

Bisedimet për anëtarësim midis RMV-së dhe BE-së nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Ky ndryshim mund të bëhet me votimin e dy të tretave të deputetëve në Kuvend, të cilat maxhoranca nuk i ka. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri./DW

Kërkesë e vjetër, probleme të reja

Zgjerimi i BE-së: Qëndrimet për Serbinë dhe Kosovën

Gjuha e përdorur në konferencën zyrtare

Bujar Osmani rrëzon akuzat e opozitës