MENU
klinika

Polemikat

Inter-Juve, do të publikohet audio e VAR-it

20.03.2023 - 21:45

Dueli mes Interit dhe Juventusit është mbyllur me fitoren e bardhezinjve por edhe me polemika të shumta për episode të diskutueshme, episode, për të cilat ka pasur debate të vazhdueshme pasi zikaltrit mendojnë se përsëri kanë qenë gjyqtarët që ishin faktor në suksesin e bardhezinjve.

Sipas “SportMediaset”, Komiteti i Arbitrave (AIA) në Federatën Italiane, është gati t’u japë fund të gjitha polemikave duke publikuar audion e komunikimit të gjyqtarëve, të Daniele Kifit i cili ishte kryesori i sfidës, dhe Paolo Silvio Mazolenit i cili ishte në sallën e VAR.

Janë marrë në shqyrtim të gjitha pamjet dhe kontrollet për to kanë qenë shumë të gjata, rreth 4 minuta, teksa VAR-i analizoi tre prekje topi me dorë.

I pari i përket prekjes së topit me dorë nga Rabio, për të cilin sipas AIA dhe jo vetëm, nuk ekzistojnë pamje të qarta që konfirmojnë se ai ka prekur me të vërtetë sferën.

Dy të tjerët janë të Dushan Vlahoviç. I pari është i dukshëm dhe jo i ndëshkueshëm. Ndërsa i dyti është ai që krijon më shumë polemika dhe që për shumë moviolistë në Itali, ishte i ndëshkueshëm. Por jo për VAR-in, i cili e ka vlerësuar si ”të panevojshëm” edhe kontrollin në monitor nga kryesori duke i dhënë këtij sinjalin që të vazhdonte lojën pa parë vetë pamjet.

Dizenjatori Roki, është i zhgënjyer nga prova e gjyqtarit Kifi, jo për rastet në fjalë, por për mënyrën se si shpesh la t’i ikte ndeshja nga kontrolli. Megjithatë, ai është gati që të publikojë audiot e bashkëbisedimeve të gjyqtarëve për të qetësuar opinionin publik, pasi mendon se kanë marrë vendimet e duhura.