MENU
klinika

"Nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare për pasojat"

Ish-prokurorja: Sulmi ndaj Top Channel, i organizuar në detaje

29.03.2023 - 10:13

Ish-kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj e ka quajtur një akt të krimit të organizuar sulmin ndaj Top Channel, ngjarje ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola. E ftuar në “Opinion”, Imeraj tha se duke marrë parasysh rrethanat e ngjarjes dhe shumë elementë të tjerë, veprimet ishin të mirë organizuara dhe se autorët nuk i kanë marrë fare në konsideratë pasojat. Referuar vrasjes së Kolës, ajo shtoi se autorët e kanë marrë parasysh se nga sulmi mund të kishte dhe pasoja të tilla, por për ta nuk ka pasur rëndësi kjo gjë.

“Duke gjykuar nga rrethanat në të cilat ngjarja ka ndodhur, nga mënyra se si është organizuar, mjeti i përdorur, nga itinerari i lëvizjes, plumbat e hedhur e nga personat e përfshirë në të, jemi në kuadratin e organizimit të mirëfilltë. Veprime të cilat mund të bëhen vetëm nga krimi i organizuar. Është i mirëorganizuar me detaje. Krimi i organizuar ka goditur në një mënyrë të tilë që nuk ka marrë fare në konsideratë nëse shkakton apo jo pasoja. Goditja ka ardhur e tillë në një moment kohor kur gazetarët janë larguar, por ama nuk kanë marrë masa që të parandalojnë ardhjen e një pasoje të mundshme, ose me një plumb të drejtëpërdrejtë apo rikoshet. Ata, e shprehur në rang popullor dhe jo juridik, nuk e kanë vënë ujin në zjarr fare nëse do ndodhnin apo jo pasoja,”- u shpreh Imeraj.

Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Autorët iu afruan objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe qëlluan me dy kallshnikovë. Më pas, ata u larguan në drejtim të Kasharit, u futën në autostradën Tiranë-Durrës dhe morën rrugën për në Golem ku dhe dogjën makinën e përdorur në krim. Deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme. Si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh.