Gjykata do të japë sot verdiktin e saj mbi vulën e Partisë Demokratike, nëse do të qëndrojë në duart e Enkelejd Alibeajt apo do t’i kalojë kryedemokratit Sali Berisha.
Seanca në Apel nisi në orën 11:00, ku do të vendoset ankimimin e Alibeajt, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim. Ndërkohë në këtë gjykatë janë shtuar masat e sigurisë.
Grupi i Alibeajt përfaqësohet në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga grupi i Berishës, është Ivi Kaso, i cili shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.
Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i grupit të Berishës, Kaso ka kërkuar që të Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet.
“Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit.”, tha ai.
Gazetarja Lala në një lidhje live për News24, parashtroi të gjitha mundësitë që mund të ndodhin në këtë proces gjyqësor, që kryesohet nga Elona Mihali dhe anëtarë janë Irdia Kacerja dhe Astrit Kalaja. Lala tha se nuk përjashtohen mundësitë që çështja të kthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe nëse ndodh ky skenar, rrezikon që PD e Berishës mos të regjistrohet në zgjedhje.
Kujtojmë se sot opozita, ka thirrur një protestë kombëtare, e cila do të mbahet para Kryeministrisë. Protesta në fjalë do të nisë në orën 12:00, ndërkohë që Berisha tha se tubimi nuk kishte lidhje me vendimin që do të jepte gjykata për vulën.