Ministri Niko Peleshi refuzoi të komentojë zhvillimet e fundit që po ndodhin me kolegun e tij, ish-ministrin Arben Ahmetaj. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ai u shpreh se nuk është etike të pyetet për këtë çështje, por shtoi se dje Ahmetaj ka qënë prezent në Kuvend.
Pyetja: A keni komunikuar me kolegun tuaj, Ahmetajn?
Peleshi: Nuk është etike që të më pyesni për një koleg tjetër, dje për shembull ka qënë në Kuvend.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është vënë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas disa muajsh verifikime, SPAK i ka nisur hetimet dhe ka marrë nën hetim Ahmetajn për veprat penale: “korrupsion”, “shpërdorim detyre”, “fshehje e pasurisë” dhe “pastrim parash”.
Hetimi ndaj socialistit ka nisur si pasojë e bashkimit të dy procedimeve penale, një nga të cilët është procedim i ndarë nga hetimi i SPAK për çështjen e inceneratorit të Elbasanit; e këtij të fundit i është shtuar edhe kallëzimi i bërë nga gazetari Adriatik Doçi, i cili ngrinte dyshime për disa shkelje nga ish-zv.kryeministri. Për çështjen e parë, Ahmetaj po akuzohet për procedurën e ndjekur nga Ahmetaj për dërgimin për miratim në Këshillin e Ministrave të projektit të ndërtimit të inceneratorit dhe dakordësinë e Ministrisë së Financave për ta ndërtuar përmes negocimit pa shpallje.