MENU
klinika

"Dokumentacion i paplotë"

KQZ shtyn regjistrimin e PD së Alibeajt, Celibashi: Afat 48 orë për plotësimin e dokumentacionit

09.03.2023 - 13:30

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë regjistrimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet vendore të 14 majit. Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se nga ana ligjore kryetar i PD-së është Lulzim Basha dhe jo Sali Berisha.

Ai shtoi se dokumentacioni i grupimit të Alibeajt është i paplotë, duke lënë 48 orë afat për plotësimin, ndërsa u shpreh se grupimi i Berishës nuk mund të regjistrohet nën siglën e PD zyrtare.

“Mendoj që të drejtën për të kërkuar regjistrimin e Partisë Demokratike si subjekt zgjedhor për zgjedhjet e 14 majit 2023, bazuar në dokumentet zyrtare e ka zoti Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i PD-së në pikëpamje të ligjit. Vijmë te diskutimi tjetër në lidhje me legjitimietin e kësaj kërkese. Nga vlerësimi që i kemi bërë këtij dokumentacioni, do duhej që sipas ligjit, kërkesa të paraqitej nga kryetari i PD-së, zoti Lulzim Basha.

Në vlerësimin që i kemi bërë dokumentit autorizues, të zotit Basha për zotin Sefa, unë vlerësoj që ky dokumentacion nuk është i plotë me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Besoj se është e qartë që dokumentacioni autorizues duhet të jetë në përputhje me parashikimet e nenit 64 të Kodit Zgjedhor. Sipas vlerësimit tim, duhet që akti autorizues të jetë i qartë. Do t’ju jap 48 orë kohë për të bërë plotësimet e kërkuara, domosdoshmërisht për deklaratën e kryetarit të partisë politike”, u shpreh Celibashi.

Theksojmë se më 3 Mars, Gjykata e Apelit vendosi që çështja për vulën e PD-së të rikthehet për rishqyrtim në Shkallën e Parë, ku do të gjykohet nga një tjetër trupë. Gjatë zhvillimit të një beteje të re gjyqësore, PD i mbetet grupimit të Enkelejd Alibeajt.