MENU
klinika

Gazetari zbulon muajin

Kur do të vijë ambasadori i ri i SHBA në Tiranë?

22.03.2023 - 20:49

David J. Kostelançik është diplomati që pritet të zëvendësojë ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, pas largimit të saj nga Shqipëria me përfundimin e mandatit.

Gazetari Roland Qafoku ka treguar ditën e sotme se kur do të vijë ambasadori i ri i SHBA në Tiranë.

Qafoku tha në Euronews Albania se në qershor emri i Kostelançik do t’i paraqitet Komisionit të Jashtëm në Senatin amerikan dhe nëse do të miratohet do të vijë në vendin tonë në shtator.

“Ambasadorët amerikanë kanë qenë prezent në të gjitha evenimentet, festat dhe nuk është e rrallë. Edhe zonja Kim, në kohën që i ka mbaruar mandati, por vazhdon punën e saj në ambasadën amerikane, ajo ka qenë aktive dhe e kujdesshme për të qenë në festat fetare dhe zyrtare. Është normale.

Lajmi është që në qershor, sipas informacioneve që kam, në Komisionin e Jashtëm në Senat do paraqitet emri i David Kostelançik. Ai do miratohet dhe në shtator fillon punë. Në shtator ambasadori i ri do jetë në Tiranë”, theksoi ai.

Kujtojmë se Presidenti i SHBA, Joe Biden i ka propozuar Senatit emrin e David J. Kostelançik, si kandidat potencial për të zëvëndësuar ambasadoren Yuri Kim në Shqipëri.

Zëvendësesi i mundshëm i Yuri Kim është njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ruse dhe asaj turke.