Fondacioni AADF dhe Ministria e Kulturës organizuan në fundjavë në Shkodër takimin e grupit të ekspertëve me komunitetin e rapsodëve dhe të trashëguesve të mjeshtërisë së bërjes së lahutës, ardhur nga Malësia e Madhe, Tropoja, Puka, Lezha e Mirdita.
Takimi u hap nga Ilir Parangoni, i cili bëri të njohur hapat që janë hedhur nga ky fondacion për mundësimin e përgatitjes së katër dosjeve të trashëgimive kombëtare për regjistrim në listat e UNESCO-s: Xhubleta, Transhumanca, Kcimi i Tropojës dhe Lahuta.
E pranishme ishte edhe studiuesja australiane Susane Ogge-Milou, e cila ka mbështetur që nga fillimi punën e grupit të ekspertëve. E gjithë veprimtaria u drejtua me përgjegjësi shkencore dhe profesionale nga studiuesi Rigels Halili, anëtar i grupit të punës.
Akademikët Vasil S. Tole dhe Shaban Sinani, anëtarë të grupit të punës nga Akademia e Shkencave, referuan për temën “Lahuta sot në Shqipëri: këngët me lahutë, rapsodët dhe mjeshtëria e prodhimit të instrumentit”.
Në fjalën hyrëse akademik Vasil S. Tole theksoi rëndësinë e regjistrimit të lahutës dhe këngëve të lahutës në listën e pasurive të rrezikuara të UNESCO-s.
“Puna e nisur 12 vjet më parë, me një nismë të qeverisë së Kosovës, nuk u mbyll me sukses jo për mangësi të punës përgatitore, por për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e UNESCO-s. Kjo vonesë na detyroi të ripërcaktojmë jo vetëm emrin, por edhe listën, kjo për shkaqe objektive, sepse trashëgimia për të cilën po diskutojmë është në rrudhje”, tha Tole.
Në vijim akad. Shaban Sinani paraqiti referatin e përbashkët, që u hap me një fakt domethënës për një të ardhme me sukses: në shkurt të këtij viti (2023) lahutari shqiptar Anton Çivlaku çeli në “Berlin Philarmonie” koncertin instrumental “Siparantum Choir”. Referati përqendrohej në dy pyetje kryesore: pse duhet të mbrohet lahuta dhe si duhet të mbrohet lahuta.
Në pjesën e parë u theksua rëndësia e lahutës si instrumenti më i hershëm kordofon i traditës shqiptare, e cila bën pjesë në një familje europiane instrumentesh të ngjashëm në emër e në funksion, “kushërira” të afërme të saj, të shfaqura në gjithë kontinentin në atë periudhë që njihet si “golden age” e lulëzimit të bashkëjetesës së tre besimeve abrahamike në Spanjë e më tej në brendësi të Europës.
Njëherësh lahuta është edhe vegla me më shumë mundësi interpretimi të poemave të mëdha narrative, para së gjithash të eposit heroik legjendar. Harta e arealit të lahutës dhe harta e arealit të eposit janë përputhshmërisht të mbivendosura. Ku ka epos, ka lahutë; ku ka lahutë, ka epos.
Duke iu përgjigjur pyetjes pse lahuta është në rrezik, studiuesit theksuan se ka së paku dy shekuj që nuk është e qetë. Sharkia e çiftelia janë rrezikueset më të hershme të lahutës dhe të eposit. Me shfaqjen e tyre lahuta fillon të humbë hapësirë dhe eposi të humbasë rrokje.
Në përfundim të debateve studiuesit propozuan miratimin e marrjes në mbrojtjes me një status të veçantë të lahutarëve dhe të mjeshtrave punues të lahutave, duke precizuar standardin e saj; nxitjen e formimit të rapsodëve të rinj në mjedisin ku jetojnë lahutarët e fundëm; marrjen e përgjegjësive nga pushteti vendor në rajonet ku mbijeton lahuta për mbështetje financiare ndaj tyre; plotësimin e një harte të arealit ku ruhet lahuta tradicionale dhe disa masa të tjera.