MENU
klinika

Të drejtat e shqiptarëve në Serbi e Greqi

Letra e Mit’hat Frashërit për Konferencën e Paqes në Paris

03.03.2023 - 14:39

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 3 mars të vitit 1921, Mit’hat Frashëri dërgoi një letër në Konferencën e Paqes në Paris.

Në cilësinë e presidentit të delegacionit shqiptar, Frashëri shprehte gatishmërinë e qeverisë për të përmbushur detyrimet që rridhnin prej pranimit në Lidhjen e Kombeve. Nga ana tjetër, përcillte keqardhjen për situatën kritike të shqiptarëve në territoret e Greqisë dhe të Serbisë, ku nuk respektoheshin të drejtat e këtij minoriteti.

“Në përputhje me popullsinë në territorin e aneksuar, shqiptarët duhet të kenë 4 përfaqësues në parlamentin grek. Megjithatë, këta deputetë nuk janë caktuar ende, gjë që bie në kundërshtim me ligjet kushtetuese. Minoriteti i shqiptarëve në Greqi është gjithashtu i privuar nga çfarëdo përfaqësimi”, shpjegonte Frashëri.

Më tej, në letër, ai informonte Lidhjen e Kombeve se shqiptarët në Serbi ishin subjekt keqtrajtimesh, që shpesh përshkallëzonin deri në fatalitete. “Padrejtësi të ngjashme ushtrohen edhe nga qeveria serbe, e cila i mohon minoritetit shqiptar privilegjin e njohur të mësimit të gjuhës së tyre amtare, pavarësisht parashikimeve të Traktatit të Saint Germain-it, përmes të cilit mori përgjegjësinë për të respektuar të drejtat e minoriteteve”, përmbyllte letrën Mit’hat Frashëri.