MENU
klinika

Analiza

Me Ukrainën, në “lojë” është e ardhmja e Rusisë…

31.03.2023 - 12:10

Pikërisht në momentin që Xi Jinping po i thoshte lamtumirë Vladimir Putinit në Moskë, kryeministri japonez Fumio Kishida po mbërrinte në Kiev. Edhe pse ndahen nga 8000 kilometra stepa, japonezët dhe ukrainasit tërhiqen nga njëri-tjetri nga një aspiratë e përbashkët për liri.

Ndërkohë, dy kundërshtarët e tyre të mëdhenj joliberalë, tërhiqen nga mosbesimi që kanë ndaj lirisë. “Tani për tani, po ndodhin ndryshime të tilla që nuk i kemi parë prej 100 vjetësh. Dhe ne jemi njerëzit që po i drejtojnë këto ndryshime”, – i tha Xi, Putinit teksa largohej nga Moska.

Pse Kina e mbështet Putinin

Është në modë të thuhet se Kina po luan një lojë të zgjuar, sepse një Rusi e dobësuar i përshtatet asaj, se ajo është gjithmonë disa lëvizje para në skakierën e shahut gjeopolitik. Unë preferoj që t’i pranoj fjalët e autokratëve. “Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me Ukrainën. Ajo pasqyron betejën mbi atë se si do të duket rendi botëror”- tha Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov.

Dy muaj para pushtimit të Ukrainës, kam shkruar mbi intensifikimin e aleancës midis dyshes së diktatorëve, të cilët aspironin udhëheqjen e përbashkët të të gjitha atyre shteteve në jugun global, të cilat e kanë inat hegjemoninë amerikane. Dhe këto shtete janë të shumta në numër. Aktualisht më pak se 40 vende të botës kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë ose kanë dërguar ndihmë në Ukrainë. Rezulton se “Perëndimi” shtrihet jo më larg se Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Australia, Zelanda e Re, Japonia, Koreja e Jugut, Tajvani dhe Bashkimi Europian.

Tetëdhjetë për qind e vendeve të botës, me 90 për qind të popullsisë, ndodhen në këtë listë. Disa prej tyre janë kaq shumë të fiksuara pas ndjenjave antikolonialiste të viteve 1950, saqë do të anojnë kundër SHBA-së edhe kur agresori kolonial është Rusia.

Disa janë të pakënaqur me standardin e dyfishtë të fuqive perëndimore që ndërhynë në Irak, Siri dhe Libi. Dhe disa të tjerë, përfshirë disa demokraci që vërtet duhet të dinin më mirë, po u japin përparësi, mbi çdo gjë tjetër, interesave të tyre të përbashkëta të momentit.

Armët përkundrejt gjalpit

Izraeli dhe Turqia janë vetëpërcaktuar prej kohësh si vende të lira në një fqinjësi tiranike. Megjithatë, të dyja kanë vendosur se mbajtja e marrëdhënieve të mira me Rusinë, është më e rëndësishme sesa mbrojtja e rendit ndërkombëtar.

India është demokracia më e madhe në botë, por ajo shqetësohet se një kolaps i Rusisë do ta bënte edhe më të fortë Kinën. A nuk shohin këto kombe dallime mes vendit ku dëshiron të shkojë Ukraina, dhe ku dëshiron ta mbajë Rusia? Midis shoqërive ku të gjithë janë të barabartë para ligjit, dhe shoqërive ku përgjegjësit vendosin rregullat ndërsa ecin përpara? Midis vendeve ku ligji është i hapur për njerëzit që kërkojnë korrigjim në rast gabimi, dhe vendeve ku ligji është shprehje e pushtetit shtetëror?

Nuk është hera e parë që po na kujtohet se sa kundërintuitiv është liberalizmi perëndimor. Ne njerëzit, një specie tribale, dhe institucionet e pavarura shtetërore u krijuan vetëm në vende ku tribalizmi ishte jashtëzakonisht i dobët. Xho Henrih, biologu i shkëlqyer evolucionar i Universitetit të Harvardit, e sheh këtë në ndalimin obsesiv të Kishës Katolike të martesës midis kushërinjve, që i detyroi njerëzit të gjenin bashkëshortë nga jashtë fshatrave të tyre dhe kësisoj e theu sistemin klanor, ndërsa çdo shoqëri tjetër, mohouk apo moskovite, masai apo maori, e kishte marrë atë si të mirëqenë.

Cilido qoftë shkaku kryesor i tij, liberalizmi nuk ka qenë një ideologji krejtësisht e transferueshme. Është e vërtetë: ai u eksportua me sukses në Japoni, Kore dhe Tajvan, kryesisht falë angazhimit të zgjatur amerikan. Por dështoi keqazi në Irak. Po pse funksionon në disa vende dhe jo në disa vende të tjera?

Shihni konfliktin aktual. Në sipërfaqe, Ukraina dhe Rusia janë shoqëri të ngjashme. Popujt e tyre flasin gjuhë të ngjashme dhe në fakt kanë qenë shumë të lidhur midis tyre. Që të dyja kanë prirje për oligarki dhe institucione shtetërore relativisht të dobëta.

Por ukrainasit, veçanërisht ata, paraardhësit e të cilëve kanë jetuar nën sundimin austriak ose polak, kanë një ndjenjë se si duhet të jetë shteti i së drejtës. Ndërkohë, ata pak rusë që e ndajnë këtë ndjenjë janë detyruar kryesisht të largohen nga vendi.

Putini dhe Xi mendojnë se antiliberalizmi është në rritje. Një studim masiv i të dhënave nga 137 vende, i kryer nga Universiteti i Kembrixhit, zbuloi se megjithëse disa popullsi të Amerikës së Jugut dhe Europës Lindore janë bërë më proamerikane “në një hapësirë të gjerë vendesh që shtrihen nga Euroazia kontinentale në veri dhe perëndim të Afrikës, ne vëmë re se shoqëritë janë afruar më shumë me Kinën dhe Rusinë”.

Sigurisht, rreth 10 vjet më parë, përparimi i qëndrueshëm global drejt demokracisë filloi të shkonte në drejtim të kundërt. Vlerat perëndimore nuk janë përhapur vetëm përmes forcës së shembullit. Ata janë mbrojtur edhe me forcën e armëve. Në njëfarë kuptimi, Lavrov ka të drejtë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Në lojë është një mënyrë e tërë jetese.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga AlJazeera/ Miqësi "pa kufij"

A do të jetë Kina shpëtimi ekonomik i Putinit?