MENU
klinika

Analiza e The Guardian

Meloni dhe rivalja e saj, dy vija paralele që s’takohen askund!

22.03.2023 - 10:30

Njëra është biseksuale, feministe pro-evropiane. Tjetra është një konservatore që promovon familjen tradicionale, është kundër “kuotave rozë” dhe që deri sa erdhi në pushtet tetorin e kaluar, ishte një euroskeptike e faktë.

Pikëpamjet politike të Elly Schlein – gruas së parë që drejtoi Partinë Demokratike (PD) të qendrës së majtë të Italisë – dhe kryeministres Giorgia Meloni , lidere e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, nuk mund të ishin më të ndryshme.

As edukimi i tyre po ashtu. Schlein, 37 vjeç, është një amerikano-italiane nga një familje e shtresës së mesme të lartë, e rritur në Zvicër. Meloni, 45 vjeç, u rrit nga një nënë beqare në një lagje të klasës punëtore të Romës.

Por shumë nga e majta po shpresojnë se Schlein që do të sjellë një epokë të re për PD-në e dobët, një parti që deri më sot ka qenë kryesisht e dominuar nga burra të moshës së mesme dhe e rrënuar nga grindjet e përhershme, ndërkohë që partia e Meloni-t është forcuar në sondazhe që nga formimi i një qeverie koalicioni në tetor me Ligën e Matteo Salvinit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit.

Zgjedhja e Schlein si kreu i PD-së erdhi si një surprizë: sondazhet kishin parashikuar një fitore për Stefano Bonaccini, presidentin e rajonit Emilia-Romagna, me një diferencë të madhe pasi ai fitoi një votë që ishte e kufizuar për anëtarësimin e partisë PD. Por në zgjedhjet paraprake të hapura më 26 shkurt ajo siguroi pothuajse 54% kundrejt 46% të Bonaccini-t pasi efekti Schlein galvanizoi mbështetjen nga votuesit që nuk ishin të lidhur me partinë.

Meloni and Schlein, first direct confrontation in the Chamber at Camera--

“Rezultati ishte i papritur, me siguri,” tha Monica Cirinnà, një politikane e PD. “Por për shkak të kësaj do të japë fryte të mira. Ndjehet sikur një dritare është hapur dhe më në fund mund të hyjmë në një Itali të re, dhe kjo është një gjë e mirë.”

Të tjerë, megjithatë, janë të shqetësuar se Schlein, platforma socialiste, liberale e të cilit mbështet gjithçka, nga paga minimale dhe politikat e gjelbra deri te të drejtat e LGBTQ+ dhe migrimi, mund ta çojë PD-në në një rrugë radikale, duke patur fat të ngjashëm me atë të Partisë Laburiste të Britanisë nën drejtimin e Jeremy Corbyn .

“Qëndrimi i saj është paksa tepër ekstrem,” tha një politikan i PD-së që kërkoi të mos identifikohet. “Në afat të shkurtër, ajo mund të jetë në gjendje të tërheqë disa vota shtesë nga Lëvizja Pesë Yjet, por kjo nuk është mënyra për të ndërtuar një propozim qeveritar përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.”

Schlein, babai i të cilës është një amerikan me origjinë hebreje dhe nëna e të cilit është italiane, ka një diplomë drejtësie nga Universiteti i Bolonjës dhe ka punuar në të dyja fushatat zgjedhore të ish-presidentit amerikan Barack Obama. Ajo është krahasuar  me kongresmenen e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez për aktivizmin e saj të zjarrtë për çështjet sociale.

Një ish-deputete që nuk ka frikë të sfidojë autoritetin, në vitin 2015 ajo u largua nga PD-ja e zhgënjyer nga rruga që po ndiqte nën drejtimin e liderit të saj të atëhershëm, Matteo Renzi, kryeministri i atëhershëm.

Ku ndryshojnë Meloni dhe Schlein? - Gazeta Express

Schlein u bë i njohur në fillim të vitit 2020 pasi partia e saj e vogël, Coraggiosa (Guximore), luajti një rol kryesor në ndalimin e së djathtës ekstreme nga marrja e pushtetit në rajonin tradicionalisht të majtë Emilia-Romagna.

Ajo iu bashkua PD-së vitin e kaluar dhe u zgjodh në dhomën e deputetëve në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, në të cilat partia pati rezutate shumë të dobëta.

Cirinnà tha se “radikalizmi” i Schlein ishte i nevojshëm për ta nxjerrë PD-në nga halli dhe për t’i dhënë asaj një identitet të ri. “Megjithatë, rreziku është që PD-ja të mbetet e njëjtë: një bashkëpronësi me njerëz në konflikt,” shtoi ajo. “Edhe pse rryma ka ndryshuar me zgjedhjen e Schlein, ajo duhet të punojë fort. Ajo gjithashtu duhet të sigurojë që partia të mos zhgënjejë mbështetësit e saj të rinj dhe t’i bëjë ata të ikin.”

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN