MENU
klinika

Nga CNN

Nëse Trump arrestohet, Amerikën e presin probleme të mëdha…

23.03.2023 - 10:30

Institucionet politike dhe ligjore të Amerikës po përgatiten për provën e tyre të radhës ekstreme të paraqitur nga ish-presidenti Donald Trump.

Parashikimi i Trump të shtunën se ai mund të arrestohej këtë javë – dhe përpjekja e tij për të provokuar një reagim parandalues – bëri që ajo që kishte qenë perspektiva teorike e një ish-presidenti dhe kandidati për vitin 2024 të akuzohej penalisht të dukej shumë më reale. Dhe ky fakt, jep sinjale se Amerika po shkon drejt një sprove edhe më përçarëse politikisht që do të testojë ndikimin e tij mbi republikanët.

Zhvilluesi i pronave, ish-ylli i televizionit të realitetit dhe ish-komandanti i përgjithshëm përballet me hetime të shumta pasi kërkon t’i përmbysë zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra. Mirëpo, ekspozimi i tij i menjëhershëm mund të jetë në një rast mbi një pagesë të supozuar të parave të heshtura (hush money) për yllin e filmave Stormy Daniels.

Deri në fundjavë, Trump nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar se do të akuzohej nga një demokrat, Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg. Megjithatë, një proces i jurisë së madhe duket se është në fazat e tij përfundimtare dhe ekipi ligjor i Trump është duke u përgatitur për mundësinë e një aktakuze, thonë burimet për CNN.

Çështja në fjalë ka të bëjë rreth faktit nëse Trump e ka mbuluar në mënyrë të paligjshme një pagesë prej 130,000 dollarësh të bërë nga ish-avokati i tij, Michael Cohen, Daniels për ta mbajtur të heshtur një lidhje të supozuar të së kaluarës përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Ky episod mund ta përfaqësojë një shkelje të ligjit për financimin e fushatës. Trump thotë se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe ka mohuar të ketë një lidhje me Daniels.

Mirëpo, ish-presidenti nisi një përpjekje karakteristike për t’i diskredituar përpjekjet për ta ftuar atë në përgjegjësi, duke u përpjekur t`i frikësojë prokurorët, t’i mobilizojë mbështetësit e tij dhe të ushtrojë presion mbi zyrtarët e lartë të republikanëve që të dalin në përkrahje të tij. Çdo amerikan ka të drejtën kushtetuese për t’u shprehur politikisht, mirëpo thirrja e ish-presidentit këtë fundjavë për besnikët e tij – “Protestoni, ta rikthejmë kombin tonë” – goditi një ton ogurzi që kur ai tregoi më 6 janar të vitit 2021 se ishte i gatshëm për të nxitur dhunë në mënyrë që t’i çojë përpara interesat e tij.

Trump Getting Arrested AI Art | Know Your Meme

Avokatja e Trump, Alina Habba, i tha Paula Reid të CNN të dielën se do të ketë pasoja serioze nëse Trump do të paditet për një kundërvajtje të thjeshtë – një rezultat i mundshëm i hetimit në Manhattan. “Do të shkaktojë kaos, Paula. Dua të them, është thjesht një kohë shumë e frikshme në vendin tonë”, ka thënë Habba. Por ajo thotë gjithashtu se “askush nuk dëshiron që dikush të lëndohet” dhe mbështetësit e Trump duhet të jenë “paqësorë”.

Një aktakuzë do ta testonte përsëri vërtetësinë e Partisë Republikane në epokën e Trump – se kontrolli i tij mbi mbështetësit më të zjarrtë të republikanëve është aq i madh sa shumica e ligjvënësve dhe zyrtarëve të saj ndihen të detyruar ta qetësojnë atë në mënyrë që të ruajnë karrierën e tyre politike.

Përpjekja e Trump për ta politizuar çështjen e lartcekur dhe për t’u shpërqendruar nga akuzat kundër tij tashmë ka funksionuar pasi aleatët e tij kryesorë në udhëheqjen e Dhomës Republikane po e sulmojnë prokurorin Bragg.

Kryetari i Kongresit Amerikan Kevin McCarthy të dielën e quajti atë “rasti më i dobët”. Republikani i Kalifornisë, i cili i ka udhëzuar komitetet e udhëhequra nga republikanët të hetojnë nëse Prokurori i Qarkut Manhattan i ka përdorur fondet federale për ta hetuar pagesën e parave të heshtura (hush money), deklaroi në një konferencë shtypi se ai kishte folur tashmë me përfaqësuesin e Ohajos, Jim Jordan, i cili po e heton “armatizimin ” e qeverisë kundër kundërshtarëve politikë – për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Jordan i tha Manu Raju të CNN të hënën se ai donte ta thërriste prokurorin Bragg në Uashington për ta dhënë dëshminë e tij.

“Nuk mendojmë se Presidenti Trump e ka shkelur ligjin fare”, ka thënë Jordan, i cili kryeson Komitetin Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve.

Mirëpo, kryetari i Kongresit McCarthy ka thënë gjithashtu se njerëzit nuk duhet të protestojnë për atë që mund të ndodhë ose jo dhe këmbënguli se Trump nuk e donte as këtë. “Nëse kjo do të ndodhë, ne duam qetësi atje… pa dhunë apo dëmtim të askujt tjetër”, tha McCarthy.

Duke e nënvizuar më tej dominimin e fortë të Trump në selinë e republikanëve, postimi i tij në media sociale bëri që disa nga kritikët e tij republikanë të rreshtoheshin përkrah tij. Ish-zëvendëspresidenti Mike Pence, i cili po e mendon një fushatë elektorale për të sfiduar Trump për nominimin e vitit 2024, deklaroi për ABC Neës, “Thjesht, duket se ka ndjesinë e një ndjekje të ngarkuar politikisht. Dhe unë, nga ana ime, thjesht ndihem sikur nuk është ajo që populli amerikan dëshiron të shohë”.

Guvernatori republikan i New Hampshire, Chris Sununu, i cili ka thënë se është koha që republikanët të largohen nga Donald Trump, i ka thënë Jake Tapper në “State of the Union” të CNN se hetimi i Bragg po “ngritë shumë simpati për ish-presidentin” duke shtuar tutje se “kam pirë kafe këtë mëngjes me disa njerëz dhe asnjëri prej tyre nuk ishte mbështetës i madh i Trump, por të gjithë thanë se e kishin atë ndjesinë sikur ai po sulmohej”.

Gun-toting supporters urged to protect Donald Trump from arrest

Sfidat serioze me të cilat do të përballej kombi amerikan nëse Trump do të paditej

Mundësia që ish-presidenti së shpejti të akuzohet mbart pasoja të rënda.

– Një aktakuzë ndaj një ish-presidenti do të ishte e paprecedentë në historinë e SHBA-së dhe do të shënonte një tjetër dallim të dyshimtë për Trumpin e akuzuar dy herë, i cili kërkoi ta ndërpresë traditën historike të transferimeve paqësore të pushtetit dhe gënjeu për humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Nuk ka traditë që ish-udhëheqësit amerikanë të ndiqen nga administratat pasardhëse. Pra, edhe nëse rastet kundër Trump justifikohen ligjërisht, prokurorët në Nju Jork, si dhe në Gjeorgji dhe në Departamentin e Drejtësisë, përballen me një moment të rrezikshëm dhe të paeksploruar.

— Situata është edhe më e tensionuar sepse Trump është tashmë një kandidat aktiv për garën e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024 dhe tashmë e ka rrënjosur fushatën e tij në një narrativë persekutimi, veçanërisht në lidhje me hetimet për sjelljen e tij pas zgjedhjeve të fundit. Ai po premton gjithashtu një presidencë të “hakmarrjes” kundër armiqve të tij nëse e fiton përsëri Zyrën Ovale.

– Nëse akuzohet, Trump do të gëzojë ende mbrojtje kushtetuese dhe prezumimin e pafajësisë përpara çdo gjyqi. Në një moment të brishtë kombëtar, figura të tjera politike dhe media do të përballen gjithashtu me presion për të mos iu përgjigjur përpjekjeve të tij për ta ndezur situatën. Trump tashmë po kërkon t’i portretizojë ndjekjet e mundshme kundër tij nga Departamenti i Drejtësisë si armatim i motivuar politikisht i drejtësisë, në një mënyrë që paraqet një sfidë të re për presidentin Joe Biden, kundërshtarin e tij të kaluar dhe të mundshëm në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale që pritet të mbahen në vitin 2024.

— Një aktakuzë potenciale do t’i përmbyste zgjedhjet presidenciale republikane të 2024-ës, me Trump duke i ngacmuar apo frikësuar kundërshtarët e tij për t’i mbështetur pretendimet e tij të pafajësisë dhe duke e portretizuar çdo dështim për ta bërë këtë si anashkalimin e asaj që ai e sheh si një hetim partizan për përfitime politike. Situata i paraqet rivalët e Trumpit, siç janë  guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, një kandidat i mundshëm republikan, dhe ish-guvernatoria e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila tashmë është në garë, me një dilemë të vështirë. Të dy do të kishin një interes të fortë për të parandaluar që fushata paraprake e 2024 të vërtitej ekskluzivisht rreth ish presidentit Trump duke e portretizuar veten si një martir politik.

DeSantis e peshoi situatën për herë të parë të hënën, megjithëse u ndal në mbështetjen e plotë për Donald Trump, duke zgjedhur në vend të kësaj të japë kritika në adresë të prokurorit Bragg.

– Garat e para të nominimit të republikanëve janë gati një vit larg, kështu që është e pamundur të gjykohet se si mund të reagojnë votuesit kryesorë të republikanëve dhe një elektorat kombëtar ndaj çdo aktakuze të ish-presidentit. Sununu, i cili gjithashtu e ka konsideruar një kandidim presidencial, i akuzoi demokratët për ngritjen e simpatisë për Trump me hetime nga prokurorë siç është Bragg në një mënyrë që mund të “ndryshojë në mënyrë drastike paradigmën ndërkohë që futemi në zgjedhjet e 2024-ës”. Mirëpo, ka pasur tashmë një ndjenjë të prekshme mes disa votuesve se është koha për të kaluar nga drama, kaosi dhe gërvishtjet ligjore të hedhura vazhdimisht nga sjellja e Trump. Përpjekja e ish-presidentit për t’i ngritur në pushtet mbështetësit e tij mohues të zgjedhjeve u kushtoi shtrenjtë republikanëve në shtetet e lëkundshmne në zgjedhjet afatmesme vitin e kaluar. Një aktakuzë do ta shtonte debatin nëse personaliteti dhe apeli politik i Trumpit janë aq të dëmtuara e të shkojë deri aty sa nuk mund t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme presidenciale.

How the Potential Arrest of Donald Trump Could Unfold | Mint

– Një akuzë në rastin Daniels nuk do të ishte problemi i vetëm ligjor i Trump – ose ndoshta më seriozi i tij. Hetimet e Departamentit të Drejtësisë për rolin e tij në sulmin e 6 janarit nga mafiozët në Kapitol Hill të SHBA dhe përpjekjet e Trump për t’i përmbysur zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 janë ende duke u zgjeruar. Një juri speciale e veçantë e ka hetuar presionin e ushtruar nga Trump ndaj zyrtarëve lokalë për ta përmbysur fitoren e Bidenit në vitin 2020 në Gjeorgji. Prokurori i Qarkut Fulton Fani Willis ka thënë në fund të janarit se vendimet në hetim janë “të pashmangshme”. Ndërkohë që një aktakuzë në Nju Jork mund të shihet si fuqizuese politikisht për fushatën e Trump, është e vështirë të shihet se si një grumbull akuzash ose gjyqesh në shumë raste do ta lejonte atë të përqendrohej plotësisht në një ofertë të besueshme presidenciale.

– Çdo aktakuzë kundër Trump do të duhej bazohej fort në parimin se askush, madje as një ish-president, nuk është mbi ligjin. Por duke e pasur parasysh natyrën e pazakontë dhe ndërlikimin e çështjes dhe mendimin e disa ekspertëve ligjorë se një dënim mund të jetë një sfidë, do të ketë gjithashtu pyetje nëse fama e njohur e ish-presidentit do të ishte një faktor në çdo vendim për ta paditur atë. Avokatët e tij mund të argumentojnë se dikush më pak i famshëm ose politikisht aktiv do të ishte trajtuar ndryshe.

— Ekziston gjithashtu çështja nëse çarja politike dhe trauma e gjykimit të Trumpit do të ishte në interesin më të gjerë kombëtar – të paktën në një rast mjaft të kufizuar që duket se ka më pak implikime të qëndrueshme kushtetuese sesa ato që lidhen me hetimet e 6 janarit në Kapitol Hill. Historia mund të mos e shikojë me dashamirësi ndonjë ndjekje të dështuar.

Fakti që çështja Daniels daton që nga koha e zgjedhjeve më shumë se gjashtë vjet më parë, edhe pse kombi amerikan përballet me një tjetër fushatë për Shtëpinë së Bardhë, mund të ngrejë gjithashtu pyetje për publikun, veçanërisht duke e pasur parasysh pasigurinë në lidhje me çështjen për këdo që është jashtë flluskave të hetimit. Senatori demokrat i Arizonës, Mark Kelly, i tha Jake Tapper të CNN në “State of the Union” të dielën se “askush në vendin tonë nuk është ose nuk duhet të jetë mbi ligjin”. Por ai tha gjithashtu: “Unë shpresoj që, nëse ata që ngrejnë akuza, ta kenë një rast të fortë sepse kjo është … e paprecedentë. Dhe sigurisht që ka rreziqe të përfshira këtu”.

Komenti i Kelly theksoi se si Trump, gati tetë vjet pasi ai doli mbarë në skenë me një fushatë presidenciale të re, po e shkatërron përsëri konventën për rolin e presidentëve dhe ish-presidentëve në jetën kombëtare. Ai përsëri mund të bëhet protagonist, në mënyrat më të diskutueshme, të psikikës kombëtare dhe debatit politik.

Burimi: CNN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN