MENU
klinika

"Një lëkundje tjetër mund të na shkatërrojë banesat"

“Nuk arrijmë të flemë nga frika”, banorët e Stambollit të tmerruar

12.03.2023 - 15:13

Tërmeti i tmerrshëm që ndodhi në fillim të marsit në Turqi dhe Iran tronditi gjithë botën, për numrin e lartë të viktimave dhe shkatërrimin që solli.

Por edhe pse ka kaluar një muaj që atëherë, qytetarët e Turqisë jetojnë ende nën frikën intensive të një tërmeti tjetër.

Të shumta janë shtëpitë e dëmtuara aq shumë sa mjafton një lëkundje dhe blloqe të tëra banesash do të shembeshin duke zënë poshtë banorët.

BBC raporton se në Stamboll frika po rritet.
Dy tërmetet e fuqishme në jug të Turqisë që morën pothuajse 50,000 jetë njerëzish kanë sjellë një urgjencë të re në qytetin e saj më të madh. “Shtëpia” e 15 milionë njerëzve, ndodhet në vijën e pllakës së Anadollit të Veriut dhe ekspertët parashikojnë se kjo do të jetë shkak për një tjetër tërmet para vitit 2030.

Një tjetër problem është cilësia e banesave, sepse shumica prej tyre është ndërtuar para vitit 1999, kohë kur u miratuan rregulla më të forta në lidhje me cilësinë e ndërtimit.

Vetëm tre muaj më parë, një studim tha se një tërmet këtu mund të vriste deri në 90,000 njerëz.

Tani, gara e vërtetë me kohën është ajo e përgatitjes së qytetit për një tërmet dhe pasojat që ai mund të sillte.

Që nga tërmetet e marsit, ka pasur më shumë se 100,000 aplikime të reja në bashkinë e Stambollit për kontrollet e sigurisë së ndërtesave.

Qiramarrësit si dhe pronarët tani mund të aplikojnë, por disa ende nuk e bëjnë këtë për shkak të implikimeve financiare. Kompensimi për të ndihmuar ata që duhet të largohen nga ndërtesat e dënuara është i ulët.

Kryetari i bashkisë së qytetit, Ekrem Imamoglu, ka premtuar më shumë trajnime për ekipet e shpëtimit dhe përgatitjen e strehimoreve të përkohshme që mund të strehojnë deri në 4.5 milionë njerëz si pasojë e një tërmeti. Por kjo nuk ka larguar frikën se edhe këto masa mund të jenë të pa mjaftueshme.

Një shëtitje në një rrugë mesatare të Stambollit e bën të qartë arsyen se pse. Shumë prej ndërtesave kanë karakteristika të veçanta të projektimit që mund t’i bëjnë ato të shemben nëse vihen nën presion gjatë një tërmeti.

Dr Kurtulus Atasever, një inxhinier strukturor dhe tërmetesh, evidenton betonin e një cilësie të ulët dhe arkitekturën, si problemet kryesore që ndikojnë në dëmtimin e banesave.

Ndërkohë një nga banoret tregon se nuk mund të flenë nga frika e asaj që mund të ndodhë.

“Nuk ndihem e sigurt këtu. Ndërtesa jonë u drodh shumë gjatë tërmetit të vitit 2019, dhe kolonat e asaj matanë rrugës u plasën. Me tërmetin e fundit jemi vërtet të frikësuar. Nuk arrijmë të flemë sepse një tjetër mund të godasë në çdo kohë. Dhe mendoj se jemi në rrezik sepse ndërtesa jonë është e vjetër”, deklaron ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nuk ka të ndalur tmerri në Turqi

“Stambolli në rrezik”, ngrihet alarmi