MENU
klinika

Analiza

Pse në Rusi qarkullojnë kaq shpesh teori për sozitë e Putinit?

25.03.2023 - 10:00

Mos kini asnjë dyshim, Vladimir Putin që pamë bashkë me Xi Jinping këtë javë është Vladimir Putini i vërtetë.

Por kjo është një pyetje që po ngrihet pasi një sërë ekspertësh të besueshëm e kanë akuzuar presidentin rus se dërgoi sozinë e tij në një vizitë të beftë fundjavën e kaluar në qytetin e pushtuar ukrainas Mariupol.

Jo pak raporte dhe teori konspiracioni kanë qarkulluar në të kaluarën rreth përdorimit të sozive nga udhëheqësi rus për shkak të problemeve shëndetësore apo të sigurisë. Por në rastin e reagimeve ndaj udhëtimit të kreut të Kremlinit në Mariupol, është hera e parë që burime të shuma e të besueshme, kanë hedhur dyshime mbi identitetin e njeriut që u shfaq në qytetin juglindor të Ukrainës.

Politikani opozitar rus, Gennadi Gudkov, është ndër ata që pretendon se një sozi e Putinit është shfaqur së fundmi në qytetin ukrainas.

“Tani që po ndodh një luftë, unë nuk e përjashtoj mundësinë që dikush, i cili i ngjan apo që është maskuar si Putini të jetë duke luajtur rolin e tij”- tha Gudkov.

“Kur Putin lëviz nëpër Moskë, qytetarët bllokohen në trafik për orë të tëra, sepse shërbimet e sigurisë e bllokojnë të gjithë qytetin për të lejuar udhëtimin e autokolonës së tij prej 40 makinash të blinduara. Prandaj nuk është e qartë se cili është vërtet ai brenda makinës. Pastaj ata na tregojnë një Putin tjetër që drejton vetë një makinë “Toyota” në Krime. Unë nuk e besoj që është ai vërtet”- shprehet politikani rus. Putin ose dikush që i ngjan shumë atij, mbërriti në Mariupol vetëm një ditë pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare e akuzoi atë për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e qindra fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara.

Vizita në Mariupol u zhvillua gjatë natës. Putin u takua dhe bisedoi me banorët vendas, shëtiti nëpër qytet dhe drejtoi një makinë.

Gazetarët u habitën që ishte i njëjti udhëheqës germafobik (që i ka tmerr mikrobet) që negocioi me presidentin francez Emanuel Makron duke u ulur në cepin e kundërt të një tavoline 6 metra të gjatë dhe që i detyronte zyrtarët e sigurisë dhe anëtarët e parlamentit rus të qëndronin në karantinë për javë të tëra para se të takohej me ta.Andrei Piontkovski, shkrimtar dhe analist i opozitës ruse, beson se Vladimir Putini i ka përdorur sozitë për takime më të vogla dhe në disa paraqitje publike, edhe pse ai shfaqet personalisht për takime me liderët e vendit apo për të mbajtur fjalime të rëndësishme.

Ai është i sigurt se Putini “nuk do ta poshtëronte kurrë” Xi Jinping duke dërguar në takim një burrë me një pamje të ngjashme për t’u takuar me udhëheqësin kinez.

Por ky nuk është rasti me vizitën në Ukrainë. “Ai që pamë në Mariupol, nuk ishte Putini. Ai ka shumë tipare të ngjashme dhe është një sozi e tij”- tha Piontkovski.

Me këtë ide është dakord edhe gazetari rus Mikael Nacke. “Unë nuk kam asnjë dyshim se Putini ka disa sozi që i përdor herë pas here”- thotë ai, duke vënë në dukje se si liderin irakian Sadam Husein dhe ai kuban Fidel Kastro kanë përdorur disa sozi për të shmangur tentativat për vrasje.

Nacke shton se sozitë mund të duken njësoj, por kanë sjellje krejtësisht të ndryshme.

“Ne e shohim periodikisht Vladimir Putinin në imitime të ndryshme”- thekson ai. Në një rast Putini qëndron anash sallës gjatë meshës solemne të Krishtlindjes dhe nuk e lë as priftin të afrohet.

Në një rast snajperët e mbulojnë, ndërsa ai vendos lule në varreza; ndërsa në një tjetër rast Putini shfaqet shumë i shkujdesur duke takuar ushtarë dhe civilë. “Është një model sjelljeje krejtësisht i ndryshëm. Nëse je një diktator i urryer nga shumë njerëz brenda dhe jashtë vendit, je duke u përndjekur, jeton në një bunker dhe udhëton në një tren të blinduar, atëherë do të dëshirosh të përdorësh sozi”- shton më tej ai.

Përdorimi i sozive i përshtatet portretit klasik të një diktatorit paranojak.

Këtë javë, analistët krahasuan në detaje fotot e Putinit, duke shqyrtuar formën e mjekrës dhe detaje të tjera për të kuptuar nëse njeriu i paraqitur në foto është vetë presidenti rus apo një kopje e tij.

Kushdo që ishte në Mariupol javën e kaluar, presidenti rus ishte këtë javë në Moskë për t’u takuar me Xi, dhe tani është i kërkuar për shkak të një urdhër-arresti ndërkombëtar për krime lufte, nuk ka gjasa që Putini i vërtetë të udhëtojë shumë shpejt nëpër botë.