Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, është shprehur se asgjë nuk e ndal opozitën për të regjistruar kandidatët e saj në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Komentet Meta i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se sot “vula” e PD-së është më e gjallë se kurrë më parë, pasi sipas tij, “vula” është vetë Sali Berisha.
Meta tha se Berisha e ka treguar mbështetjen që gëzon në popull përmes foltoreve, Kuvendit të 11 dhjetorit dhe zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit.
“Nuk besoj se ekziston ndonjë qytetar që vë në dyshim suportin e Partisë së Lirisë. Nuk besoj se ka qytetar që vë në dyshim suportin për PD-në. Nëse nuk do të ekzistonte, atëherë pse Rama do të urdhëronte kancelaren e gjykatës që të pengonte regjistrimin e vendimit. Përse kur ai e di që kandidatët e tij janë më të mirë e më të dashur.
Nuk do të hyjë aspak në teknikalitete. Kam qenë i bindur që Rama do të bëjë gjithçka për të provokuar opozitën për të mos hyrë në zgjedhje. Këtë gjë ja kam bërë të qartë Berishës dhe Nokës prej muajsh. Kjo sepse zbatueshmëria Reformës në Drejtësi është antikushtetuese dhe antiligjore. Janë ca marrëzira që vështirë se do të na prodhonin një vendim që bazohet në kushtetutë dhe në ligj.
Është njësoj sikur nxjerr urdhër një ministër dhe nuk e regjistron punonjësja e protokollit. Këto çmenduri vetëm në Shqipëri mund të ndodhin, i cili është i pari shtet për qytetarët që kërkojnë azil në vendet e Europës.
Ne jemi vazhdimisht në punë. Asgjë nuk e ndal opozitën drejt 14 majit, për të regjistruar kandidatët e saj kudo. Vula e PD-së është më e gjallë dhe më frymëzuese se asnjëherë tjetër, sepse është vetë Berisha, përmes asaj mbështetjeje që ai e ka marrë përmes foltoreve, përmes 11 dhjetorit dhe 6 marsit. Asgjë nuk i pengon gjithë opozitën dhe gjithë forcat opozitare për të bërë ndryshimin e tradhëtuar nga forcat opozitare të kaluara”, është shprehur Meta