MENU
klinika

Marrëveshja e Ohrit në fokus të vizitës

Rama pret Kurtin

26.03.2023 - 09:07

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet të zhvillojë ditën e sotme një vizitë në Tiranë.

Kreu i qeverisë së Kosovës do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe disa zyrtarë të tjerë shqiptarë, mes të cilëve dhe kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, me të cilët do të zhvillojë dhe një drekë pune në një prej vilave qeveritare.

Agjenda e bisedimeve ende nuk është zbardhur e plotë, por sipas të dhënave në fokus të takimit mes dy liderëve shqiptarë pritet të jetë marrëveshja e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë për planin europian që çon në normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri i Kosovës është përballur me kritika të shumta nga partitë opozitare në vend, pasi një pikë e kësaj marrëveshjeje është dhe asociacioni.

Në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Ohër palët ranë dakord të zbatojnë marrëveshjet e arritura mes tyre, si dhe Prishtina të nisë përgatitjet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetëmenaxhimit të komunitetit serb, një nen që shihet si referencë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Edhe pse nuk u firmos një marrëveshje, palët në Ohër arritën marrëveshje të zbatonin propozimin e BE për normalizimin e marrëdhënieve.