MENU
klinika

Reportazhi i VOA-s

Rinia shqiptare rrezikon gjithçka për një jetë më të mirë në Angli

23.03.2023 - 22:40

Djali i Monika Mulajt ishte në vitin e dytë të universitetit për inxhinieri mekanike, kur vendosi të merrte një vendim të guximshëm. Ai u tha prindërve se do të largohej nga Shqipëria për një të ardhme të re në Britani.

“U përpoqëm t’ia plotësojmë të gjitha kërkesat, për libra dhe veshje, ushqim dhe pak argëtim. Por ai ishte ende i pakënaqur,” tha zonja Mulaj, mësuese në shkollën e mesme të qytetit Bajram Curri, një nga rajonet më të varfra të vendit.

Pesë vjet më vonë, djali i saj tashmë 25-vjeçar ka dy punë në Britani dhe nuk i shkon në mendje kthimi në atdheun e tij. “Shqipëria është po bën hapa prapa”, i thotë ai nënës së tij. Mijëra të rinj shqiptarë kanë kaluar Kanalin e Lamanshit në gomone dhe anije të vogla në kërkim të punës në Britaninë e Madhe. Odiseja e tyre pasqyron ekonominë anemike në Shqipëri dhe dëshirën e një brezi të ri për mundësi të reja.

Në vitin 2018, vetëm 300 vetë arritën në Britani përmes Kanalit të Lamanshit. Në vitin 2022 ky numër shkoi në 45000, pjesërisht për shkak të prurjeve nga Shqipëria, vend i cili kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Migrantët e tjerë ishin nga Afganistani, Iraku dhe Siria. Ndryshe nga shumë vende që nxisin migrimin, Shqipëria konsiderohet një vend i sigurtë nga zyrtarët britanikë.

Britania është tërheqëse për shqiptarët sepse ka një ekonomi më të mirë dhe paga më të larta se vendet fqinje të Shqipërisë, Greqia apo Italia. Një tjetër element tërheqës është se shqiptarët kanë të afërm në Mbretërinë e Bashkuar. Qyteti Birmingham është strehë e një komuniteti të madh migrantësh nga Kukësi.

Nënkryetari i bashkisë së Bajram Currit, Abedin Kerrnaja, tha se të rinjtë largohen për shkak të pagave të ulëta dhe vështirësive për të ndërtuar një jetë komode familjare. Dy djemtë e tij ndodhen në Britaninë e Madhe.

Xhemile Tafaj, e cila ka një restorant në një pllajë piktoreske jashtë qytetit, tha se “të rinjtë nuk kanë para për të ndjekur shkollën, nuk kanë punë dhe të ardhura. Situata, thotë ajo, ka bërë që në vend të mbeten vetëm të moshuarit dhe së shpejti shtëpitë do të boshatisen.

Shqipëria Verilindore nuk ofron shumë mundësi punësimi, me përjashtim të qeverive lokale, shkollave, spitaleve dhe disa kafeneve dhe restoranteve.

Petrit Lleshi, i cili ka një motel në Kukës, thotë se ka dy vite që përpiqet të gjejë kamarierë. “Nuk do të fajësoja një 25-vjeçar që largohet, sepse pagat janë të ulta. Ajo që ofron vendi ynë nuk mjafton për të ndërtuar një jetë të mirë”, thotë zoti Lleshi.

Janë të paktë ata që kërkojnë një vizë. akonisht migrantët paguajnë 5000 deri 20000 euro duke vënë në rrezik jetën për t’u futur ilegalisht në Britani. Shumë prej migrantëve marrin borxhe me shpresën për gjetur një punë të sigurtë.

Por realiteti në Britani është ndryshe, ata detyrohen të punojnë në shtëpitë e barit, siç quhet kanabisi, për dy vite për të paguar paratë e marra borxh për të paguar trafikantët, sipas raportimeve të mediave shqiptare.

Por numri i madh i migrantëve shqiptarë që futen ilegalisht në Britani ka shaktuar debate të ashpra kohët e fundit mes udhëheqësve britanikë dhe shqiptarë.

Braverman i ka cilësuar ardhjet si “pushtim i brigjeve jugore”. Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama i cilësoi komentet si përpjekje për të mbuluar politikat e dështuara kufitare të Mbretërisë së Bashkuar.

Rama i cili ndodhet sot në Britani për bisedime me kryeministrin Rishi Sunak, i përsëriti kritikat e ashpra ndaj zonjës Braverman në një intervistë me BBC-në.

Disa agjenci po investojnë në programe që synojnë të ofrojnë vende pune për shqiptarët dhe plotësojnë nevojat për punëdhënësit britanikë. Këto vende pune në përgjithësi janë nga distanca.

Elias Mazloum me grupin “Social Development Investments” thotë se emigracioni është “kancer”. “Ne po ofrojmë kimoterapi pas përdorimit të një sasie të madhe morfine për të vonuar imigrimin”, tha ai.

Sipas projektit të tij, 10 kompani në Irlandë do të punësojnë 10 të rinj shqiptarë për të punuar nga distanca me një pagë prej 500 eurosh në muaj në vitin e parë. Gjatë kësaj kohe ata do të trajnohen dhe do të pajisjen me çertifikata nga Instituti Irlandez i Marketingut Dixhital. Më pas ata punësohen nga distanca me një rrogë mujore prej 1000 euro. Synimi është krijimi në rajon i një sistemi punësimi nga distanca.

Një projekt britanik në Kukës mbështet bizneset e vogla dhe të mesme në turizëm dhe bujqësi dhe do të hapë një shkollë profesionale.

Qeveria shqiptare ka ofruar gjithashtu stimuj. Çiftet e reja që hapin një biznes të vogël do të përjashtohen nga taksat deri në tre vjet dhe çiftet që kthehen nga Brtiania do të shpërblehen me 5 mijë euro./ Marrë nga VOA

"E ëma e Kastriotit shkoi në Greqi një javë më parë, sa vajti ajo…"

Misteri rreth vrasjes së Alba Cenkos! Flasin fqinjët e çiftit

Pritet të zbardhen skemat dhe krimet e bandave kriminale, mes tyre dhe shqiptarë

Përgjimet në “Sky ECC”/ EUROPOL i dorëzon Greqisë 4500 dosje!

Kreu i PD-së: Do të jetë dita e mosbindjes civile më të fuqishme!

Sali Berisha zbulon datën e protestës së radhës!