MENU
klinika

Analiza

“Thikë pas shpine”, Rusia po braktiset edhe nga aleatët

31.03.2023 - 12:40

Nga Marsela SHYTIA

“Armenët goditën Rusinë pas shpine. Por një sjellje e tillë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.” Ky ka qenë reagimi i Kremlinit ndaj njoftimeve që vijnë nga Armenia se do të arrestojnë presidentin Vladimir Putin nëse ai do të shkelë në vendin e tyre. Nga këndvështrimi rus, ky është një provokim i pacipë, pasi këto dy vende janë formalisht aleatë, që në realitet do të thotë se deri më tani armenët i janë nënshtruar Rusisë, ashtu si shumica e shteteve pasardhëse të Bashkimit Sovjetik. Dmitry Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ka thënë se çdo përpjekje për të vepruar sipas urdhrit të arrestit të Vladimir Putinit do të nënkuptonte një “shpallje lufte”.

Arrestimi i Putinit

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Armenisë deklaroi se Statuti i Romës i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë (ICC) ishte në përputhje me kushtetutën e vendit, duke i hapur rrugë ratifikimit të saj. Gjykatësit kushtetues armenë njoftuan vendimin një javë pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër arresti për presidentin rus Vladimir Putin, duke e shpallur atë fajtor për dëbimin e paligjshëm të mijëra fëmijëve nga Ukraina. Kjo do të thotë se Putini mund të arrestohet nëse ai udhëton në ndonjë shtet anëtar të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Pas kësaj, partia në pushtet e Armenisë paralajmëroi se nëse Putin shkel aty, vendi nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse ta arrestojë atë.

Russia warns Armenia against allying with ICC after Putin arrest warrant | Free Malaysia Today (FMT)

“Nëse Putini vjen në Armeni, ai duhet të arrestohet. Është më mirë për të që të qëndrojë në vendin e tij,” tha Gagik Melkonyan, një anëtar i Asamblesë Kombëtare Armene, në një intervistë me portalin Moscow Times. “Nëse ratifikojmë marrëveshjen me ICC, atëherë duhet të përmbushim detyrimet tona. Lëreni Rusinë të zgjidhë problemet e saj me Ukrainën,” shpjegoi Melkonyan. Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ka autoritet për të zbatuar urdhrat e saj dhe meqenëse Rusia nuk e njeh juridiksionin e gjykatës, zbatimi i saj do të varet nga gatishmëria e vendeve të tjera për të ndërhyrë nëse Putini gjendet në territorin e tyre. Ndër vendet që kanë njoftuar se do ta arrestojnë presidentin rus nëse ai shkel në tokën e tyre janë Gjermania, Irlanda, Austria dhe Kroacia.

Zhgënjim nga aleati

Vendimi i partisë në pushtet në Armeni është në kontrast me aleatët e tjerë të Kremlinit, të cilët nuk kanë hequr dorë nga besnikëria e tyre ndaj Moskës. Hungaria, e cila ka lidhje të ngushta me Rusinë, ka njoftuar se nuk do të zbatojë urdhrin e arrestit të ICC-së, ashtu si edhe Kina. Nga ana tjetër, megjithëse Armenia është teknikisht një aleat i Rusisë, si pjesë e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), vendimi i Jerevanit është tregues se vendi dhe aleatët e Rusisë çdo ditë e më shumë vënë në pikëpyetje gjykimin e Moskës në luftën në Ukrainë, një vit pas konfliktit. Marrëdhëniet e Moskës me Jerevanin janë përkeqësuar muajt e fundit. Armenët pretendojnë se përgjegjësia për këtë i takon Rusisë, e cila nuk ndihmoi në ruajtjen e armëpushimit mes tyre dhe Azerbajxhanit në rajonin e Nagorno-Karabakh, një rajon i Azerbajxhanit i banuar nga armenë.

How to tame Putin

Azerët mundën ushtrinë armene, e cila priste ndihmë nga rusët, por kjo nuk ndodhi. Rusia ka një pakt mbrojtës të ndërsjellë me Armeninë dhe ka qenë tradicionalisht një lojtar i fuqishëm në rajonin e Kaukazit Jugor, por vitet e fundit ka patur konkurrencë në rritje për ndikim nga Shtetet e Bashkuara, BE dhe Turqia.

Reagimi i Kremlinit

Ndaj duket se pritej një përgjigje nga Kremlini. RIA, agjencia shtetërore e lajmeve ruse, citoi një burim të ministrisë së jashtme ruse të thoshte se Moska i konsideron planet armene “të papranueshme”. Rusia e ka paralajmëruar Jerevanin për “pasoja jashtëzakonisht negative” për marrëdhëniet dypalëshe nëse vazhdon me planin, i cili do të duhej të ratifikohej nga parlamenti armen pasi të miratohej nga gjykata kushtetuese. “Moska i konsideron planet e Jerevanit zyrtar për të aderuar në Statutin e Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale si absolutisht të papranueshme duke pasur parasysh urdhrat e fundit të paligjshëm dhe ligjërisht të pavlefshëm të GJNP-së kundër udhëheqjes ruse,” citoi RIA të thoshte burimi i ministrisë së jashtme ruse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ngriti rrjetin e propagandës ruse në Europë

Kush është oligarku rus dhe për çfarë përflitet