MENU
klinika

Hoxha: Është vendosur shpërblim 100 mijë euro për…

Si po shkojnë hetimet për sulmin ndaj TCH?

28.03.2023 - 17:09

Gazetarja investigative Anila Hoxha ka dhënë detaje të lidhje me hetimet për sulmin e kryer ndaj Top Channel.

E ftuar në emisionin “Zona Zero”, Hoxha deklaroi se policia është larg zbulimit të autorëve, prandaj ka kërkuar ndihmën e qytetarëve duke ofruar dhe një shpërblim prej 100 mijë eurosh për këdo që ka informacion.

“Janë shumë larg autorëve por dhe organizatorëve. Është vënë në rrezik jeta e një punonjësi por dhe e shumë të tjerëve që ishin turni i tretë. Është vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh, në shkëmbim të çdo informacioni për ngjarjen. Historia na ka treguar se bashkëpunimi i qytetarëve për të dhënë informacione për ngjarje të tilla, është i vakët, për të mos thënë nuk ka fare.

Dimë që ky sulm ishte për shkak të misionit të Top Channel. Janë marrë dëshmitë e 10 punonjësve të Top Channel që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes. Janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë në godinën, në bizneset përreth, gjatë rrugës por dhe gjatë autostradës.

Është shumë e rëndë të quash vendngjarje një media. Por kështu ishte, ngado kishte plumba, kishte një viktimë. E reja është vetëm shpërblimi dhe numri i telefonit që policia ka vënë në shërbim të qytetarëve, dhe kjo tregon se edhe pse hetimet vazhdojnë, shpresat për ta zbardhur janë të vakëta.”- tha Hoxha.