Të paktën 32 persona kanë vdekur dhe 85 të tjerë janë plagosur pasi dy trena u përplasën në veri të Greqisë. Mediat vendase shkruajnë se një tren që transportonte rreth 350 pasagjerë u përplas me një tren mallrash që po udhëtonte në drejtim të kundërt pranë qytetit të Larisës gjatë natës, duke shkaktuar aksidentin tragjik.
Ekipet e shpëtimit kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë punuar gjatë natës për të gjetur të mbijetuar, ndërkohë që shkaku i aksidentit nuk është zbardhur ende. Rreth 150 zjarrfikës dhe 40 ambulanca janë në vendngjarje.
Treni i pasagjerëve po udhëtonte nga Athina për në qytetin verior të Selanikut kur u përplas kokë më kokë me trenin tjetër, duke shkaktuar zjarr në të paktën një nga vagonët. Flakët u përhapën dhe fotoja e publikuar nga mediat vendase tregonte shtëllunga të dendura tymi. Të paktën njëri prej tyre u shkatërrua plotësisht.