MENU
klinika

Nga Fatos Tarifa

Veliaj si shpresë dhe Këlliçi si “disaster”

31.03.2023 - 16:25

Mbrëmë ndoqa në TV Klan bisedat e gazetarit Blendi Fevziu me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe personin që konkurron me të në zgjedhjet e majit këtë vit, Belind Këlliçi.

Çfarë ata thanë, si ata folën, profesionalizmi me të cilin arsyetuan, kultura gjuhësore me të cilën u shprehën dhe vizioni që shpalosën për Tiranën–për Tiranën që është dhe për Tiranën që duhet të jetë–dëshmuan një kontrast të thellë në çdo pikëpamje mes dy kandidatëve për kryetarin e ardhshëm të bashkisë së kryeqytetit.

Veliaj, siç kam vënë në dukje edhe në raste të tjera, në tetë vitet e fundit ka menaxhuar dhe drejtuar realizimin e transformimeve më të mëdha në kryeqytetin tonë. Jo të gjithë mendojnë kështu, sigurisht. Por unë jam një ndër ata qytetarë të shumtë të Tiranës që kam jetuar e jam rritur në këtë qytet qysh fëmijë dhe që, pavarësisht nostalgjisë që kam për Tiranën siç ishte, më pëlqen shumë Tirana siç po bëhet.

Këto fjalë nuk i them si një socialist, sepse jo çdo gjë që kanë bërë qeveritë socialiste në të shkuarën ose bën qeveria socialiste aktuale më pëlqen. Këto fjalë i them si një qytetar i Tiranës dhe si dikush që, pasi kam jetuar për 18 vite me radhë larg Shqipërise, në disa prej vendeve më të zhvilluara të globit dhe kam vizituar thuajse të gjithë qytetet globalë të planetit, më pëlqen kjo Tiranë siç ka ndryshuar, Tirana siç po bëhet dhe Tirana që Veliaj premton se do të bëhet.

Përtej kritikave, që mua më duken qesharake, mbi betonizimin dhe kullëizimin e kryeqytetit apo mbi korsiizimin e rrugëve kryesore të tij për ata dhjetra mijë qytetarë të Tiranës që lëvizin me biçikleta dhe mijëra të rinj e të reja që të sigurt lëvizin çdo ditë me skutërs në këto korsi, arsenali i kritikave të tjera anti-Veliaj shprehin një mllef primitiv, gati-gati tribal dhe janë thjesht politikisht, aspak qytetarisht, estetikisht apo funksionalisht të motivuara.

Më pëlqen transfirmimi që po ndodh në qendër të Tiranës. Më pëlqejnë ndërtesat e bukura që po ngrihen dhe nuk më tremb aspak lartësia e tyre. Këto ndërtesa nuk i shtojnë problemet e kryeqytetit, por ofrojnë zgjidhje për një pjesë të problemeve të akulumuluara deri më sot. Këto ndërtesa nuk e dëmtojnë urbanistikën e Tiranës por, edhe nëse nuk i zgjidhin të gjitha problemet urbanistike të saj, vënë një farë rregulli në të dhe ofrojnë zgjidhje të menduara mirë për planifikimin e zhvillimeve të mëtejshme në përmirësimin urbanistik të qendrës së kryeqytetit dhe, më tej, të pjesëve të tjera të tij.

Mua më pëlqejnë, madje më pëlqejnë shumë, si po trasformohet Piramida dhe funksionet qe do të kryejë kjo ndërtesë publike madhështore në zemër të Tiranës. E kam vështirë të kuptoj se cilit nuk do i pëlqente kjo ndërtesë monumentale, simbol i bukur i së Ardhmes së Shqipërisë, jo i së Shkuarës së saj, veç atyre që kanë një mllef primitiv dhe thjesht motivohen politikisht.

Mua më pëlqen ç’po ndodh në periferi të Tiranës, në zonat “suburb” të saj, dhe Farka është vetëm një shembull domethënës–dhe jo i vetmi–i zhvillimit urban të periferisë së kryeqytetit tonë.

Gjithçka kam parë të ndodhë në Tiranë gjatë tetë viteve të fundit dhe gjithçka dëgjova të thoshte Erion Veliaj për TV Klan mbrëmë më bindin se ky djalë (them djalë sepse ka moshën e djalit tim të madh) ka bërë për Tiranën më shumë se sa kanë bërë për kryeqytetin tonë të gjithë kryebashkiakët demokratë të saj të marë së bashku në 13 vite. Veliaj i duhet Tiranës edhe më tej dhe unë e deklaroj votën time për të.

Kontestuesi kryesor i Veliajt në këto zgjedhje, Belind Këlliçi, jo vetëm nuk më bind, por mendoj se ai do të ishte një zgjedhje e dobët, madje e keqe për t’i besuar administrimin e kryeqytetit tonë dhe përmirësimin e kushteve tona të jetesës. Në bisedën e tij mbrëmë për TV Klan, Këlliçi, ashti si Veliaj, kishte një mundësi shumë të mirë t’u thoshte qytetarëve të Tiranës se cili është ai, pse kandidon, çfarë synon të bëjë nëse zgjidhet në krye të bashkisë dhe si. Ai jo vetëm e shpërdoroi këtë mundësi, por, të paktën mua më bindi se nuk është për këtë punë. Dhe unë nuk besoj se jam i vetmi qē mendoj kështu, as ndër të paktët.

Nuk e njoh këtë djalë (them djalë sepse është më i ri në moshë se djali im vogël), por nga sa kam dëgjuar të thotë deri më sot–dhe nga sa dëgjova të thoshe mbrëmë–ai më duket tepër i vogël për një përgjegjësi kaq të madhe sa është administrimi i Tiranës sonë kozmpolitane njëmilionëshe, madje edhe për drejtimin e një bashkie të vogël, si ajo e Gramshit apo e Përmetit.

Çfarë tha mbrëmë Këlliçi? Ai theksoi se është i djathtë, madje gati sa s’tha se është gjenetikisht i djathtë, i djathtë në gen, i lindur djathist, por premtimet që u bën qytetarëve të Tiranës janë ekstremisht të majta, të majta deri në utopi. Shumë projekte të tij për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve të kryeqyqetit do të realizohen falas, pa shpenzime, do të jenë dhuratë prej tij, ose rezultat i aftësive menaxhuese të tij.

Këtu, Këlliçi sërish nuk e la pa shfrytëzuar rastin për të na thënë se ka kryer studimet bachelor për “business, management and administration” në Shtetet e Bashkuara. E vërtetë, por Coppin State University, në Baltimore, ku ai ka studjuar, sipas U.S. News & World Report renditet shumë poshtë, në çerekun e fundit të universiteteve rajonalë të zonës veriore në SHBA. Vitin e kaluar, College Factual e renditi këtë universitet në vendin 2,074 ndër 2,241 kolegjet dhe universitetet amerikane, ndërsa Time Higher Education e rendit atë thuajse njëlloj me Universitetin e Janinës.

Ky fakt nuk do të kishte shumë rëndësi nëse vetë Këlliçi nuk do e përdorte atë si një “kalë lufte”. Ai mund të kishte fituar fare mirë një diplomë nga Universiteti i Tiranës, nga Universiteti i Nju Jorkut në Tiranë ose nga Universiteti Europian i Tiranës dhe të ishte njëlloj i aftë në profesionin e tij. Diplomat e nivelit bachelor të fituara në universitete të huaja, qofshin këto edhe amerikane, sot në Shqipëri nuk impresionojnë shumë. Janë me mijëra ata të rinj e të reja që kanë kryer studime të këtij niveli jashtë vendit dhe shumë prej tyre, si Këlliçi, pas studimeve janë kthyer në Shqipëri. Boll më me përpjekjet për ta shitur kthimin në Shqipëri si patriotizëm, apo si një akt gati-gati heroik.

Gjithçka dëgjova të thoshte mbrëmë Bekind Këlliçi ishte një përçartje mjerane. U ngul në rrugën “Myslim Shyri”, duke përsëritur se ka lindur dhe është rritur në atë rrugë, se në atë rrugë banon familja e tij, se kjo rrugë ka qenë kështu dhe ashtu, se pranë saj s’ka mbetur asnjë shesh ku mund të luajnë fëmijët, se ndërtesat e ngrittra në të dyja anët e kësaj rruge “emblematike”, siç e quajti ai, kanë krijuar një kaos urban etj. Por nuk tha se këtë kaos urban e krijuan kryebashkiakët e partisë së tij, Sali Kelmendi dhe Albert Brojka. Dhe përsëri premtoi se do e transformojë këtë rrugë (unë vetë banoj 100 larg saj), ashtu si gjithë Tiranën, me metodat e një socializmi utopik, pa asnjë kosto për qytetarët.

Pastaj Këlliçi foli për kaosin urban të Astirit, tregoi pamjen e një rruge të paasfaltuar dhe akuzoi kryebashkiakun Veliaj se e ka lënë këtë pjesë të Tiranës si mos më keq. Por nuk tha një fjalë, një fjalë të vetme se ishte pikërisht partia e tij, që sot e kandidon për kryebashkiak të Tiranës, ajo që e pengoi për më shumë se tre vite zhvillimin e kësaj zone të kryeqytetit.

Këlliçi tha mbrëmë edhe të tjera, por thuajse çdo gjë gjë që ai tha më bindi se një administrator si ai do të ishte nje “disaster”, një katastrofë për kryeqytetin tonë, për të gjithë ne banorët e tij./Dita

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“S’ka rëndësi numri i prokurorëve apo gjykatësve”

Ambasadori rumun në Shqipëri: Reforma në Drejtësi, t’i drejtohet qytetarit

Bosi i Camorra-s nis bashkëpunimin me drejtësinë

Dorëzohet pas 26 vitesh në burg “Sandokan”

Juristi: Në ruspën e madhe të pushtetit mund të bjerë kushdo

Kryetarja e bashkisë Himarë u zgjodh edhe me tre vota të “rrjedhura” nga opozita