MENU
klinika

Euroderbi i Champions League

20 vite më parë Milani eliminonte Interin në gjysmëfinale

20.04.2023 - 13:42

Milani dhe Interi do përballen në 10 maj në “San Siro” në gjysmëfinalen e parë të Champions League. Derbi i Milanos këtë herë do zhvillojë dy akte në Ligën e Kampioneve, me euroderbin që rikthehet pas 20 vitesh në këtë fazë. Ka qenë viti 2003 kur dy skuadrat janë përballur për herë të fundit në arenën evropiane, me kuqezinjtë që kaluan më tej falë një goli në fushën ‘kundërshtare’.

Historia/ Në vitin 2003, Milani i Carlo Ancelottit kundër Interit të Hector Cuper. Nga njëra anë, Nesta, Gattuso, Pirlo, Seedorf, Rui Costa, dyshja sulmuese Shevchenko-Inzaghi dhe mbi të gjitha kapiteni Paolo Maldini, tashmë drejtor teknik i Milanit. Nga ana tjetër kapiteni Zanetti, Materazzi, Hernan Crespo, Recoba dhe të rinjtë Kallon e Oba Martins. Pas një barazimi 0-0 në ndeshjen e parë, një barazim 1-1 (gola nga Shevchenko dhe Martins) i mjaftoi Milanit për të shkuar në finale, ku më pas fitoi kundër Juventusit. Pritja e fundit e Abbiatit ishte vendimtare, një pritje që të gjithë tifozët kuqezi e kujtojnë me shumë gëzim.

Në vitit 2005, ndeshja ishte shumë më pak e ekuilibruar, këtë herë në çerekfinalet e Champions League. Crespo vishte fanellën e Milanit, por Jaap Stam dhe Shevchenko përsëri në ndeshjen e parë bënë që kuqezinjtë të fitonin 2-0. Ndeshja e kthimit ishte pa histori. Ukrainasi shënoi golin e hapjes, para pezullimit për shkak të tymit të hedhur në fushë nga tifozët zikaltër (një e goditi edhe Dida-n). Interi e humbi atë ndeshje 3-0.

Milani më pas eliminoi PSV Eindhoven dhe shkoi në finale kundër Liverpool-it, aty ku edhe humbi. Ku? Në Stamboll, në të njëjtin stadium, Ataturk, i cili do të presë edhe finalen e këtij viti. Paolo Maldini, me atë stadium ka një llogari të hapur.