Historia amerikane do ta kujtojë zyrtarisht Donald Trumpin, përveçse si presidenti i parë që u akuzua dy herë dhe si i pari që u padit për një vepër penale. Juria e madhe në Manhatan vendosi në favor të prokurorisë së Nju Jorkut të enjten, duke konfirmuar se ka prova të mjaftueshme kundër ish-presidentit amerikan për pagesën e 130 mijë dollarëve, ndaj aktores pornografike Stormy Daniels. Prokuroria ka konfirmuar se është në kontakt me ekipin ligjor të Donald Trump, me të cilin po negocion kushtet e dorëzimit të tij vullnetar dhe paqësor, që pritet të ndodhë javën e ardhshme. Media e njohur, “The Washington Post”, duke cituar një burim në rrethin e brendshëm të Trump, pretendon se të martën, më 4 prill në orë 14:15 me orën lokale, mund të paraqitet në gjykatë.
Çfarë e pret Trump?
Për çdo të pandehur të shtetit të Nju Jorkut, pavarësisht nga fuqia apo statusi ekonomik, rregullat kanë qenë gjithmonë të qarta deri më tani; ngritja e një aktakuze për një vepër penale përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin dhe një intervistë të shkurtër me agjentët kompetentë të cilët i bëjnë të pandehurit disa pyetje fikse dhe i gjithë procesi mund të zgjasë disa orë. Megjithatë, ende nuk ka një afat të mirëpërcaktuar për rastin e ish-presidentit, i cili ruhet nga agjentët e Shërbimit Sekret. Kur juria e madhe vendos të padisë dikë, kjo do të thotë se prokuroria i ka paraqitur provat e mjaftueshme dhe se ekziston dyshimi se janë kryer një ose më shumë krime. Në Nju Jork, një juri e madhe zakonisht përbëhet nga 23 anëtarë, dhe vendimi merret me shumicë të thjeshtë. Vlen të theksohet se bëhet fjalë për një proces sekret, pasi në këtë mënyrë mbrohen nga kërcënimet e mundshme juristët dhe dëshmitarët, si dhe të dyshuarit.
Për çfarë akuzohet ai?
Ekzaktësisht, akuzat specifike kundër Trump nuk dihen ende, por mendohet se akuzat kanë të bëjnë me paratë që ish-presidenti ka paguar fshehurazi yllin e filmave porno Stormy Daniels, përpara se ai të zgjidhej president në vitin 2016. Këto janë para që i paguhen dikujt në këmbim të mbajtjes sekrete të informacionit.Nuk është e paligjshme t’i paguash dikujt para në këmbim të një marrëveshje të fshehtë. Por meqenëse pagesa u bë një muaj para zgjedhjeve presidenciale, kritikët e Trump argumentuan se paratë mund të përbënin një shkelje të fushatës.Në fillim të këtij viti, Prokurori i Nju Jorkut, Alvin Bragg, nisi hetimet kundër ish-presidentit për paratë që ai i kishte paguar Daniels, duke caktuar një juri për mbledhjen e provave.
A do t’i vendosen prangat?
Më 18 mars, ish-presidenti njoftoi në rrjetin e tij social “Truth Social” se do të arrestohej, por kjo nuk do të ndodhte në rast se ekipi i tij ligjor me prokurorinë e Nju Jorkut do të binin dakord në fakt për kushtet e një dorëzimi paqësor; që është një procedurë e zakonshme në rastet e profilit të lartë për të shmangur një “show” mediatik. Megjithatë, bashkëpunëtorët e Trump thanë për mediat javën e kaluar se ish-presidenti në fakt po shpreson për një gjë të tillë, sepse kështu ai shpreson të fitojë simpatinë në fillim të fushatës për një mandat të ri në Shtëpinë e Bardhë.
A do të përfundojë në burg?
Përgjigja për këtë pyetje varet kryesisht nga akuzat, të cilat aktualisht nuk dihen, por edhe nga fakti nëse Trump do të shpallet fajtor për ato akuza. Ekziston mundësia, që nëse akuzohet për mashtrim financiar, mund të kalojë maksimumi katër vjet në burg. Megjithatë, ekspertët ligjorë amerikanë paralajmërojnë se gjyqtarët në raste të tilla marrin parasysh faktin se të pandehurit nuk kanë pasur më parë përplasje me ligjin, prandaj zakonisht e ulin dënimin.
A mund të kandidojë në zgjedhje?
Edhe pse një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë, nuk ka asnjë dispozitë të vetme në kuadrin ligjor amerikan që do ta ndalonte atë të garojë në 2024. Për më tepër, Kushtetuta e SHBA përcakton vetëm 3 kritere për çdo kandidat; ata duhet të jenë të lindur në SHBA, pra të jenë qytetarë amerikanë, të jenë mbi 35 vjeç dhe të kenë banuar në SHBA për të paktën 14 vjet përpara se të paraqesin kandidaturën. Por kjo është në teori. Në praktikë, është e pamundur të parashikohet se si rasti do të ndikojë tek elektorati.