Arrestohet Ramazan Rraja, nipi i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Raja, i shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos, i njohur si Rumi i Shijakut.
Ramaza Rraja ishte shpallur në kërkim nga SPAK lidhur me atentatin e ndodhur në datën 1 nëntor 2019, dhe është arrestuar mbrëmjen e sotme në “Urën e Gjolës”, në Fushë Krujë.
Mësohet se Rraja kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Dubai dhe ishte mbajtur nën monitorim. Gjatë momentit të arrestimit, atij i është sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë.
Ramazan Rraja ka qenë gjithashtu i dyshuar si i përfshirë në atentatin e trefishtë, vitin e kaluar në mbikalimin e “Fushë Krujës” ku mbeti i vrarë kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj, si dhe miqtë e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.
Po ashtu, Rraja është dënuar nga një gjykatë në Belgjikë me 12 vite heqje lirie si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal shqiptaro-letonez që merrej me trafikimin e sasive të mëdha të kokainës.
Në vitin 2021, Ramazan Rraja, së bashku me dy shokë të tij kishin kryer një tentativë pengmarrje në një lokal të Lezhës, por atë moment personi që kërkonin nuk ndodhej aty. Pas ngjarjes të tre u arratisën drejt Dubait.