MENU
klinika

Statistikat e AMF-së

Fondet e investimit, viti i sprovës nga rritja e interesave

15.04.2023 - 11:03

Viti 2022 ishte, padyshim, më delikati për fondet e investimit në Shqipëri, në historinë e tyre të shkurtër prej afërsisht një dekade.

Rritja e shpejtë e normave të interesit nga bankat qendrore dha një efekt negativ në portofolin ekzistues të investimeve të këtyre fondeve, duke ulur kthimet dhe çmimet e kuotave. Kjo ndikoi negativisht vlerën neto të aktiveve dhe në vijim i shtyu një pjesë të investitorëve të likuidonin kuotat dhe të tërhiqeshin nga fondet e investimit.

Sipas statistikave të AMF-së, asetet neto të këtyre fondeve (përjashtuar fondet e investimeve alternative) pësuan rënie me pothuajse 47% vitin e kaluar.

Në vlerë monetare, llogaritet se në harkun e një viti, fondet e investimit humbën pothuajse 34 miliardë lekë, ose pothuajse 300 milionë euro asete.

Efektet negative të vitit të rritjes së shpejtë të interesave u shfaqën qartë edhe në tkurrjen e numrit të a-nëtarëve, që ra në më pak se 29 mijë, pothuajse 28% më pak krahasuar me një vit më parë. Në një vit, më shumë se 11 mijë shqiptarë zgjodhën të dilnin nga fondet e investimit.

Kjo erdhi për shkak të rënies së kthimeve në vlera negative, por sidomos si rezultat i joshjes nga rritja e fortë e yield-eve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve të qeverisë shqiptare.

2022, vit me humbje për fondet

Vitin e kaluar, rritja e shpejtë e normave të interesit nga bankat qendrore u përcoll në shtrenjtim të yield-eve të instrumenteve financiarë.

Kjo u përkthye në një zhvlerësim të shpejtë të aseteve të fondeve të investimit, që konsistojnë në pjesën më të madhe në tituj borxhi. Të gjitha fondet e investimit vitin e kaluar u përballën me rënie të kthimeve vjetore në territor negativ.

Fondi më i madh i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, vitin e kaluar pësoi rënie të kthimit në -4.07%, nga 2.43% një vit më parë.

Fondi tjetër në lekë i Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, pësoi gjithashtu një goditje të fortë dhe kthimi vjetor ra në -8.82%, nga 4.43% një vit më parë. Fondi i tretë, Credins Premium, pësoi rënie në -6.77%, nga 4.92% një vit më parë.

Situata e vitit të kaluar e bëri edhe më të prekshëm problemin e alternativave shumë të kufizuara të investimit për fondet në lekë. Asetet e fondeve janë të investuara, në masën dërrmuese, në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare. Në momentin kur yield-et në tregun primar nisën rritje të fortë, asetet e fondeve, të matura me vlerë tregu, pësuan rënie të fortë.

Megjithatë, edhe fondet në valutë të huaj pësuan një zhytje edhe më të thellë në territor negativ.

Fondi më i madh, Raiffeisen Invest Euro, në fund të vitit regjistroi kthim negativ në masën -9.28%, nga -1% një vit më parë, ndërsa fondi Raiffeisen MIX ra në -12.68% (4.68% në fund të vitit 2021).

Natyrisht, momenti kur kthimet janë në rënie nuk përfaqëson momentin ideal për të dalë nga investimi. Por, rënia e kthimeve, me sa duket, ka pasur efekt të fortë psikologjik te një pjesë e madhe e investitorëve.

Sipas drejtuesve të shoqërive administruese të fondeve të investimit, investitorët shqiptarë janë shumë të ndjeshëm ndaj rënies së kthimeve nga investimi.

Ndikim të fortë në vendimin e 11 mijë investitorëve për të dalë nga fondet e investimit ka pasur edhe joshja nga rritja e shpejtë e yield-eve në ankandet e bonove dhe obligacioneve të qeverisë vitin të kaluar.

Të dhënat e AMF tregojnë se për vitin 2022, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.

Shoqëritë kërkuan “shpëtim” te standardet kontabël, AMF refuzoi

Për të amortizuar pjesërisht goditjen e fortë që fondet e investimit pësuan nga rritja e yield-eve, shoqëritë administruese kërkuan nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare të lejonte një ndryshim në mënyrën e kontabilizimit të aseteve të fondeve.

Më konkretisht, shoqëritë kërkuan që deri në 30% e aseteve të fondeve të investimit të mos llogariteshin me vlerë të drejtë, por të klasifikoheshin si të mbajtura deri në maturim, me kusht që të investoheshin në instrumente financiare afatshkurtra.

Sipas tyre, propozimi bazohej në modelin e përdorur në Kroaci. Por, AMF e refuzoi një propozim të tillë, sepse aplikimi i një standardi të tillë, qoftë edhe pjesërisht, do të binte ndesh me natyrën likuide të fondeve të investimit.

Sipas ligjit, anëtarët e fondeve kanë të drejtë të tërhiqen në çdo kohë nga investimi dhe shoqëria administruese duhet t’u kthejë paratë brenda shtatë ditëve. Zakonisht kjo mund të bëhet pa asnjë penalitet, por fonde të veçanta mund të parashikojnë edhe pagesën e një penaliteti për tërheqjet deri në një afat të caktuar, siç është rasti i Raiffeisen Vizion.

Fondet e investimeve alternative u rritën

Nëse viti 2022 nuk ishte shumë i mirë për fondet e investimit në instrumente financiare, ka sjellë zhvillime pozitive për fondet e investimeve alternative.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka publikuar, për herë të parë, edhe statistikat për ecurinë e këtyre fondeve. Në fund të vitit 2022, totali i aktiveve të fondeve të investimeve alternative arriti në rreth 4.7 miliardë lekë, në rritje me 10.6% krahasuar me një vit më parë.

Aktualisht, në Shqipëri janë të licencuara dy fonde të investimeve alternative, Sea Land Investment Fund dhe Green View Alternative Investment Fund. Të dyja fondet administrohen nga shoqëria administruese Credins Invest.

Asetet e këtyre fondeve janë të investuara kryesisht në pasuri të paluajtshme dhe rritja e vlerës së këtyre pronave ka dhënë efekt pozitiv në totalin e aseteve të këtyre fondeve.

Sipas burimeve, fondet e mësipërme zotërojnë disa toka pranë zonës ku po ndërtohet Aeroporti i Vlorës. Projekti vlerësohet se po sjell edhe rritjen e vlerës së pasurive të paluajtshme në zonat pranë tij.

Ligji i ri “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive”, që hyri në fuqi në qershor 2020, krijoi bazën ligjore edhe për Fondet e Investimit Alternative, fonde ku mund të investojnë vetëm investitorë profesionistë dhe të kualifikuar.

Ligji përcakton si klientë profesionistë subjektet e licencuara për të ushtruar veprimtari në tregjet financiare, si bankat, firmat e investimeve, shoqëritë e sigurimeve, sipërmarrjet e investimeve kolektive, fondet e pensionit vullnetar dhe shoqëritë administruese të këtyre sipërmarrjeve, etj.

Gjithashtu, si investitorë profesionistë njihen edhe ndërmarrjet e mëdha që përmbushin të paktën dy nga kriteret, e të pasurit aktive totale të paktën 2.6 miliardë lekë, xhiro neto është të paktën 5.2 miliardë lekë dhe kapitale të veta të paktën 260 milionë lekë.

Investitorë profesionistë përkufizohen edhe njësitë e qeverisjes qendrore dhe rajonale, organet publike që administrojnë borxhin publik, bankat qendrore, institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Europiane, Banka Europiane e Investimeve dhe organizata të tjera të ngjashme ndërkombëtare.

Fondet e Investimeve Alternative mund të kenë formën e sipërmarrjeve me pjesëmarrje të mbyllur me formë të shoqërisë tregtare, ose formë kontraktore (fondet e investimeve) të cilat janë të përshtatshme për të bërë investime jolikuide, siç janë pasuritë e paluajtshme.

Këto fonde krijojnë mundësi për diversifikim të mëtejshëm të tregut financiar në Shqipëri dhe japin më shumë alternativa për investitorët profesionistë.

Ndarja e tregut, dominojnë fondet e Raiffeisen Invest

Në total, tregu i fondeve të investimit në fund të vitit 2022 zotëronte asete neto në vlerën e 46 miliardë lekëve, në rënie me 43.8% krahasuar me një vit më parë.

Sipas llojit të fondeve, edhe për vitin 2022, tregu i fondeve të investimit u dominua nga fondet e investimit në instrumente financiare, që zotëronin më shumë se 90% të vlerës totale të aseteve të tregut, ndërsa fondet e investimeve alternative zotëronin rreth 10% të aseteve totale.

Megjithatë, pesha e tregut të fondeve alternative është rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 5.2% të totalit të aseteve që zinte një vit më parë.

Rritja e peshës së këtyre fondeve ka ardhur nga mbiçmimi i vlerës së aseteve të tyre, por sidomos nga rënia e ndjeshme e vlerës së aseteve të fondeve klasike të investimit, në instrumente financiare.

Këto të fundit, vitin e kaluar, në tërësi pësuan rënie të fortë, me 47%, por mes tyre fondet e Raiffeisen Invest vazhdojnë të kenë pjesën dominuese në treg. Në fund të vitit 2022, Raiffeisen Prestigj mbante 62.7% të aseteve, e ndjekur nga Raiffeisen Vizion me 22.3% dhe nga Raiffeisen Invest Euro, me 9.2%.

Fondet e Raiffeisen Invest përbëjnë rreth 95% të aseteve neto të fondeve të investimit (përjashtuar nga llogaritja fondet e investimeve alternative), ndërsa të gjitha fondet e tjera të marra së bashku zënë vetëm 5% të tregut.

Raiffeisen Invest është aktori më i vjetër në tregun e fondeve të investimit, por dominimi i saj në treg është përcaktuar në masën më të madhe nga vendimi strategjik i kompanisë mëmë, Raiffeisen Bank Albania, për t’i orientuar qëllimisht një pjesë të madhe të depozitave të klientëve në fondet e investimit.

Kjo zhvendosje e ka origjinën afërsisht një dekadë më parë, kur grupi bankar vjenez urdhëroi filialin shqiptar për të kufizuar ekspozimet ndaj qeverisë shqiptare.

Në këto kushte, Raiffeisen e gjeti zgjidhjen, duke ngritur fondet e investimit dhe duke inkurajuar një pjesë të madhe të klientëve të vet t’i zhvendosnin paratë nga depozitat drejt kuotave në këto fonde.

Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe mjete likuide (llogari bankare).

Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë instrumentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare.

Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg mbetet shumë e ulët.

Burimi: AMF

Fondet private të pensioneve u rritën përsëri

Nëse fondet e investimit pësuan goditje të fortë nga rritja e normave të interesit, fondet e pensionit e kaluan pa “dhimbje” vitin e kaluar. Kjo ndodhi për arsye kryesisht teknike. Fondet e investimit janë likuide dhe të detyruara t’i vlerësojnë asetet me vlerë të drejtë tregu, me bazë ditore.

Ndërsa për fondet e pensionit nuk ndiqet e njëjta logjikë, sepse në teori, fondet nga këto pensione nuk mund të tërhiqen deri në plotësimin e kushteve ligjore (minimalisht pesë vite para moshës ligjore të daljes në pension).

Në fakt, edhe asetet në fondet e pensionit mund të tërhiqen me ligjin aktual, por duke paguar penalite që ulen gradualisht me kalimin e viteve.

Sidoqoftë, për shkak të natyrës së ndryshme, fondet e pensioneve lejohen që instrumentet financiare ku investohen asetet e tyre t’i kontabilizojnë si të mbajtura deri në maturim, me kosto të amortizuar. Për këtë arsye, ato nuk ndikohen shumë nga luhatjet afatshkurtra të normave të interesit.

Mungesa e luhatjeve në normat e kthimit bëri që fondet e pensionit të vijonin ciklin e rritjes dhe numri i anëtarëve në fondet e pensioneve private u shtua me 8.6%.

Numri total i anëtarëve arriti në 36 518. Gjatë vitit 2022, fondeve private të pensioneve iu janë shtuar rreth 2900 kontribuues, numër gjithsesi modest, duke pasur parasysh shkallën e ulët të depërtimit të këtyre fondeve në Shqipëri.

Numri i anëtarëve në dekadën e fundit është rritur me pothuajse pesë herë, por kjo rritje ka ardhur mbi një bazë shumë të ulët dhe shkalla e pjesëmarrjes së punonjësve në këto fonde mbetet gjithsesi ende modeste.

Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat është sa afërsisht 2.8% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend (bazuar në të dhënat e Anketës së Forcave të Punës së INSTAT, fundi i vitit 2022).

Anëtarët në fondet e pensioneve private deri tani ndahen në dy grupe kryesore: kontribuues individualë dhe anëtarë të skemave profesionale të sigurimit, të ngritura nga punëdhënësit dhe që financohen pjesërisht apo plotësisht prej tyre, në formën e përfitimeve për punonjësit.

Tregu i pensioneve private vazhdoi të rritet edhe në volumin e aseteve neto. Vlera e tyre, në fund të vitit 2022, arriti në 5.7 miliardë lekë ose rreth 49 milionë euro, në rritje me 24.3% krahasuar me një vit më parë. Fondet e pensioneve private mbeten segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.

Kontributet e fondeve investohen kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Ndryshe nga sa ndodhi me fondet e investimeve, tregu i pensioneve private nuk pati pasoja negative nga rritja e normave të interesit vitin e kaluar.

Fondet e pensionit nuk i kontabilizojnë instrumentet financiare me vlerë të drejtë, por me kosto të amortizuar dhe për këtë arsye, normat e kthimit nuk patën efekte negative nga rritja e yield-eve.

Burimi: AMF

Tregu i pensioneve, Sigal kryeson me asete, Credins me anëtarë

Tregu i pensioneve private në Shqipëri ka nisur zhvillimin e mirëfilltë afërsisht një dekadë më parë, pas hyrjes së investitorëve me përvojë nga tregu bankar dhe ai i sigurimeve.

Në treg aktualisht veprojnë gjashtë fonde të pensioneve private, por dy janë të licencuara rishtas vitin e kaluar dhe mbështetur në statistikat e AMF nuk ishin ende aktive në fund të vitit 2022.

Nga katër fondet aktive në fund të vitit të kaluar, sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 51.4% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 28.3%, Albsig Pension, me 10.5% dhe Raiffeisen Pension, me 9.7%.

Krahasuar me një vit më parë, fondi që ka fituar më shumë peshë tregu është Albsig Pension, me rreth 1.7 pikë përqindje më shumë, i ndjekur nga Sigal Pension, me 1.3 pikë përqindje.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.6% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension me 29.6%, Raiffeisen Pension me 21.2% dhe Albsig Pension me 5.5%.

Edhe në vlerë asetesh rritjen më të madhe të pjesës së tregut e ka shënuar Albsig Pension, me rreth 2.2 pikë përqindje më shumë.

Një rritje të lehtë të pjesës së tregut ka arritur edhe Credins Pension, ndërsa Sigal Pension dhe Raiffeisen Pension kanë një peshë më të ulët ndaj aktiveve totale krahasuar me fundin e vitit 2021.

Burimi: AMF

Fondet e pensionit, kthimet janë më të qëndrueshme

Ndryshe nga sa ndodh me fondet e investimit, ecuria e kthimeve nga fondet e pensioneve ka luhatshmëri më të vogël në vite, për shkak të standardit të kontabilizimit, të përmendur më lart.

Për vitin e kaluar, kthimi nga investimi me bazë vjetore u rrit për dy nga fondet dhe pësoi rënie për dy të tjerë. Kthimi vjetor nga investimi i Credins Pension u rrit në 3.47%, nga 3.14% një vit më parë, ndërsa kthimi i Albsig Pension u rrit në 2.75%, nga 2.22% një vit më parë.

Dy fondet e tjera kanë norma kthimi pak më të larta, por në rënie krahasuar me një vit më parë. Kthimi i Sigal Pension pësoi rënie të lehtë në 3.63%, nga 3.67% një vit më parë.

Edhe kthimi i Raiffeisen Pension pësoi rënie në 4.09%, nga 4.44% një vit më parë.

Megjithatë, nëse i shohim normat e kthimit në afatin e gjatë, ato përgjithësisht kanë tendencë në rënie, duke reflektuar normat e ulëta të interesit në tregun e brendshëm financiar në vitet e fundit.

Asetet e fondeve private të pensionit investohen në masën dërrmuese në obligacione të qeverisë shqiptare.

Cikli i rritjes së normave të interesit dhe i yield-eve të këtyre instrumenteve pritet që gradualisht të përmirësojë kthimet e fondeve në vitet e ardhshme.

Burimi: AMF

Ligji i ri sjell incentiva të shtuara fiskale për pensionet

Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton projektligjin e ri për fondet private të pensioneve, që synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse dhe t’i japë shtysë rritjes së këtij tregu. Projektligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve.

Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.

Sipas projektligjit të propozuar në Kuvend, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar. Ky parashikim e lidh vlerën e zbritshme nga taksat me ecurinë e pagës minimale dhe mundëson që lehtësitë fiskale të ndjekin rritjen e kësaj page.

Paga minimale ka arritur tashmë në 40 mijë lekë në muaj dhe qeveria është angazhuar ta rrisë në 45 mijë lekë deri në vitin 2025. Kjo nënkupton se me pagën minimale aktuale, shuma vjetore e përjashtuar nga tatimi arrin në 480 mijë lekë në vit, ose 140% më shumë krahasuar me kufirin aktual.

Projektligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.

Gjatë seancave dëgjimore në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, megjithatë, përfaqësuesit e shoqërive administruese të fondeve të pensionit kërkuan përjashtimin e plotë nga tatimi të pensioneve private, duke përfshirë edhe pjesën e kontributeve. Shoqëritë administruese mendojnë se heqja e plotë e tatimit në përfitim do t’i jepte shtysë të rëndësishme skemave të pensioneve private në vend.

Gjithashtu, shoqëritë kërkuan kufizime më të forta në tërheqjen e parakohshme të kontributeve, duke qenë se skemat private kanë si qëllim të sigurojnë të ardhura në moshë pensioni dhe nuk duhen kuptuar si formë kursimi që mund të tërhiqet në çdo kohë. Sipas ligjit aktual, vlera e penalitetit rregullohet me akte nënligjore të miratuar nga AMF.

Rregullorja “Për penalitetet e tërheqjes” parashikon penalitetet të përshkallëzuara në varësi të kohës të tërheqjes, në raport me fillimin e derdhjes së kontributeve. Penalitetet nisin nga 2% dhe mund të arrijnë deri në 20%, për tërheqjet e aseteve brenda pesë viteve të para të derdhjes së kontributeve.

Fillimisht, u propozua që në projektligjin e ri, penaliteti të vendosej në masën e tatimit mbi të ardhurat personale, por në një moment të dytë, propozimi u rikthye në formën e parashikuar nga ligji aktual, që penalitetet të përcaktohen me akte nënligjore.

Mes risive të tjera që sjell ligji është ulja e komisionit maksimal vjetor të administrimit të fondeve nga shoqëria administruese.

Sipas ligjit në fuqi, kjo tarifë mund të jetë maksimalisht sa 3% e vlerës neto të aseteve. Me projektligjin e ri, niveli tavan propozohet të ulet në 2.5%. Sidoqoftë, aktualisht të gjithë shoqëritë administruese në treg aplikojnë komisione në intervalin midis 1.5% dhe 2.5%, ndaj projektligji nuk pritet të ketë ndikime direkte mbi nivelet faktike.

Një komision më i ulët për shoqërinë administruese ndikon në norma më të larta kthimi për anëtarët e fondit të pensionit. Ndërkohë, komisioni për lëvizjen e aseteve nga një fond drejt një tjetri propozohet të jetë maksimalisht 0.5%, po aq sa në ligjin aktual.

Projektligji sjell, për herë të parë, edhe një formë të re të fondit privat të pensionit, atij me pjesëmarrje të mbyllur.

Ky fond është i ngjashëm me skemat profesionale të pensioneve që aplikohen aktualisht nga disa kompani, por ndryshimi është se në fondet e mbyllura pjesëmarrja është ligjërisht e kufizuar vetëm për të punësuarit apo anëtarët e subjekteve të mësipërme.

Fitimet e shoqërive administruese të fondeve të pensionit ranë me 41%

Viti negativ për fondet e investimit solli rënie të fitimeve të shoqërive administruese, por megjithatë shumica e tyre arritën të ruanin rezultat financiar pozitiv për 2022.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se fitimi neto i shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe investimit vitin e kaluar zbriti në 90 milionë lekë, në tkurrje me 41% krahasuar me një vit më parë.

Rënia e fitimeve erdhi sidomos nga ulja e të ardhurave nga administrimi i fondeve. Asetet neto të fondeve të investimeve pësuan tkurrje me pothuajse 44% vitin e kaluar. Duke qenë se burimi kryesor i të ardhurave të shoqërive janë pikërisht tarifat e administrimit, kjo rënie e ndikoi negativisht bazën e të ardhurave.

Rënia u kompensua pjesërisht nga vijimësia e rritjes së aseteve të fondeve private të pensioneve (për ato shoqëri që administrojnë një të tillë), me 24% krahasuar me vitin 2021.

Megjithatë, efekti neto ishte negativ, edhe duke pasur parasysh se tregu i fondeve të pensionit ngelet në përmasa të kufizuara, me asete totale në vlerën e rreth 50 milionë eurove, ose sa 12% e aseteve të fondeve të investimit.

Kompania më e madhe, Raiffeisen Invest, për vitin 2022 arriti fitim neto afërsisht 65 milionë lekë, në rënie me 49% krahasuar me një vit më parë. Të ardhurat e kompanisë u tkurrën me 16%, të ndikuar kryesisht nga rënia e vlerës së aktiveve të fondeve nën administrim.

Rezultati i Raiffeisen Invest ngelet përcaktues në ecurinë e tregut, duke qenë se kjo kompani administron pjesën dërrmuese të aseteve të fondeve të investimit dhe pensionit.

Raiffeisen Invest administron fondet e investimit Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Vizion, Raiffeisen Invest, Raiffeisen Mix dhe fondin e pensioneve Raiffeisen Pension.

Ato përbëjnë rreth se 85% të aseteve totale të tregjeve të fondeve të investimeve dhe pensioneve, çka i jep Raiffeisen Invest dominim edhe në strukturën e të ardhurave dhe të fitimeve të tregut.

Fitimin e dytë më të lartë në vlerë, në vitin 2022, e arriti Credins Invest, me 13.7 milionë lekë, në rënie me 37.7% krahasuar me vitin 2021. Rënia e rezultatit financiar edhe për Credins Invest u përcaktua nga zvogëlimi i të ardhurave prej tarifave të administrimit.

Credins Invest, vitin e kaluar, administronte fondin e pensioneve Credins Pension, fondin e investimeve Credins Premium dhe fondet e investimeve alternative Sea Land Investment Fund dhe Green View Alternative Investment Fund.

Shoqëria tjetër, SIGAL – Life UNIQA GROUP AUSTRIA, për vitin 2022 raportoi fitim neto në vlerën e 9.5 milionë lekëve, në rënie me 27% krahasuar me vitin 2021. Rënia e fitimit erdhi kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të shoqërisë administruese, që administron fondin e pensioneve SIGAL Pension.

Kompania administruese WVP Fund Management Tirana shënoi vitin e dytë me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e 2.5 milionë lekëve, 50% më pak krahasuar me një vit më parë. WVP Fund Management Tirana administron dy fondet e investimit, WVP Top Invest dhe WVP Global.

Shoqëria Albsig Invest e mbylli vitin 2022 me rezultat financiar lehtësisht negativ, në vlerën e 32 mijë lekëve. Humbjet u ngushtuan me 99.8% krahasuar me vitin 2021, falë rritjes së të ardhurave nga tarifat e administrimit dhe njëkohësisht nga një ulje e lehtë e shpenzimeve të shoqërisë.

Deri në fund të vitit 2022, Albsig Invest administronte fondin e investimeve Albsig Standard dhe fondin e pensioneve Albsig Pension, por vitin e kaluar licencoi edhe dy fonde të tjera, një për investime dhe një për pensione.

Kompania më e re, ABI Invest e mbylli vitin 2022 me humbje në vlerën e 2.8 milionë lekëve. Megjithatë, edhe për ABI Invest, humbjet u ngushtuan ndjeshëm, me 75% më pak krahasuar me vitin 2021.

Përmirësimi i rezultatit financiar erdhi kryesisht nga rritja e të ardhurave prej administrimit të fondeve. Kjo shoqëri administron tre fonde investimi, ABI EIA, ABI FLEX EUR dhe ABI FLEX USD./Monitor

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shkurtoni shpenzimet buxhetore në udhëtime dhe dieta"

Banka Botërore thirrje qeverisë shqiptare

Udhëzimi/ Investimet në bujqësi dhe lejet e ndërtimit

Aplikimet që tejkalojnë afatin, skualifikohen


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!