Të jesh armik i presidentit Vladimir Putin, në Rusi ka kosto të larta. I fundit që e vërteton këtë është Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit “Wagner”, të cilit duket se po i gjendet zëvendësuesi. Vladimir Putin po kërkon një ushtri tjetër private për të marrë përsipër punët e grupit mercenar në Ukrainë pas përplasjeve të përsëritura me Prigozhin. Ky është përfundimi i Ministrisë Britanike të Mbrojtjes, e cila në bazë të informacioneve të inteligjencës, tha se Kremlini “po kërkon të sponsorizojë dhe zhvillojë kompani alternative private ushtarake (PMC)”.
Zëvendësimi i Wagner
Udhëheqja ushtarake “ka të ngjarë të dojë një zëvendësim PMC mbi të cilin ka më shumë kontroll,” tha Ministria e Mbrojtjes, duke shtuar se gjetja e dikujt për të zëvendësuar Wagner mund të jetë e vështirë për Rusinë pasi grupi mercenar është unik në madhësinë dhe fuqinë e tij luftarake. Analistët britanikë thanë se Rusia me sa duket e njeh vlerën e grupeve mercenare në Ukrainë “sepse ato janë më pak të kufizuara nga nivelet e pagave dhe joefikasiteti që pengojnë ushtrinë”. Mund të ketë gjithashtu një arsye tjetër, më cinike pse Kremlini preferon mercenarët; mijëra të burgosur janë rekrutuar nga burgjet e Rusisë, për të bërë luftimet në Ukrainë. Regjimi i Vladimir Putin thuhet se është i interesuar që mercenarët të luftojnë në Ukrainë për të “kursyer” ushtarakët. “Udhëheqja e Rusisë ndoshta beson se viktimat mes mercenarëve do të tolerohen më shumë nga shoqëria ruse në krahasim me humbjet e ushtarëve”, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
Konflikti për Bakhmut-in
Kjo lëvizje vjen pasi një konflikt, tashmë i bërë publik, midis udhëheqësve ushtarakë rusë dhe themeluesit të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, duket se ka dalë jashtë kontrollit. Mercenarët e Grupit Wagner kanë qenë të përfshirë shumë në përpjekjen e Rusisë për të marrë qytetin ukrainas Bakhmut, që ndodhet në rajonin e Donbasit, duke vendosur dhjetëra mijëra luftëtarë atje. Instituti për Studimin e Luftës raportoi në një përditësim të fundit mbi luftën se Wagner ka humbur ndoshta afër gjysmën e 50,000 luftëtarëve të saj në betejën për Bakhmutin. Ian Stubbs, këshilltar i lartë ushtarak i misionit të Mbretërisë së Bashkuar në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha javën e kaluar se 30,000 ushtarakë rus dhe mercenarë të Wagner janë vrarë ose plagosur në zonën e Bakhmut që nga korriku. Të dielën, Prigozhin tha në një video se forcat e tij kishin pushtuar qytetin dhe kishin ngritur flamurin rus aty. Mirëpo, Kievi u tall me pretendimet e Prigozhin, duke thënë se ushtarët e armikut kishin ngritur një flamur në ndërtesën e “një tualeti publik” dhe se forcat e Ukrainës kishin zmbrapsur sulmet ruse. Prigozhin ka akuzuar vazhdimisht ushtrinë ruse se ka marrë meritat për fitoret e arritura nga luftëtarët e tij në Bakhmut, gjë që i ka irrituar ata. Ai akuzoi gjithashtu ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu se po përpiqet të shkatërrojë mercenarët në Ukrainë duke i privuar nga municioni. Kjo bëri që Kremlini të ndërpresë të gjitha lidhjet me grupin, siç konfirmoi Prigozhin muajin e kaluar.
Lufta për pushtet
Mediave shtetërore ruse u është thënë gjithashtu nga Kremlini që të ndalojë promovimin e Prigozhin dhe grupit të tij, nga frika se ai mund të donte më shumë pushtet politik. Kështu kanë aluduar dhe spekuluar edhe shumë ekspertë, analistë e gazetarë. Thuhet se ai planifikon “të nisë një lëvizje patriotike dhe konservatore, ndonëse e ka mohuar publikisht. Putin, 70 vjeç, ka qenë politikani më i fuqishëm i Rusisë qëkur ka marrë presidencën në vitin 2000, pas dorëheqjes së Boris Yeltsin. Në vitin 2021, ai ka nënshkruar një ligj, që i mundëson të garojë edhe dy herë të tjera për president dhe, potencialisht, të mbetet në zyrë deri në vitin 2036. Me Prigozhinin, ai ka së paku 20 vjet që njihet. Kompania e biznesmenit e ka furnizuar Kremlinin me ushqime dhe, për këtë arsye ka marrë nofkën “kuzhinier i Putinit”. Si ai, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi. Shumica e ekspertëve besojnë se çdo përpjekje e “kuzhinierit” për ta sfiduar drejtpërdrejt Putinin, do të dështojë. Sipas tyre, Prigozhin nuk do të donte të vetëvritej as në kuptimin politik, as të drejtpërdrejtë.