Gazetarja Klodiana Lala ka thënë se beson se dy 46-vjeçarët e zhdukur në Sarandë, janë vrarë dhe groposur në një fshat.
Sipas Lalës, policia po vijon hetimet për gjetjen e trupave të dy personave të zhdukur në fshatin Vrinë, pasi besohet se ata mund të jenë groposur nga vrasësit e tyre në atë zonë.
Komentet Lala i bëri teksa ishte e ftuar në emisionin “Open” në News 24, ku zbuloi detaje të reja nga zhdukja e befasishme e tyre.
Lala tha se dy të zhdukurit kanë qenë në konflikt për një çështje pronësie dhe lëndë narkotike me grupe të tjera kriminale.
Ajo shtoi se personi i njohur me nofkën “Koçolja” nuk ka marrë drogën e premtuar nga grupi dhe i ka kërcënuar ata se do tregojë në polici dhe kjo sipas saj mund të ketë sjellë rrëmbimin dhe eliminimin e tyre.
“Policia vijon kërkimet për trupat e dy personave të zhdukur në fshatin Vrinë, ku besohet se ata mund të jenë groposur. Dy personat janë zhdukur në 6 prill dhe për 4 ditë familjarët nuk i kanë denoncuar pasi nuk ishte hera e parë që janë larguar. Policia ka sekuestruar deri tani 8 automjete, ku njëri është konfirmuar që është përdorur për rrëmbimin e tyre.
Sulovari ka pasur armë me vete kur është takuar me mikun e tij për të sqaruar debatet me një grup kriminal për shitblerjen e një toke. Një kamerë ka kapur momentet e fundit para zhdukjes të Koçoles ku ai duket i qetë në një makinë. Besohet se janë dërguar në një fshat në kufirin Shqipëri-Greqi, dhe aty janë groposur.
Asnjë pistë nuk përjashtohet për 2 personat. Autorët e dyshuar mendohet se janë dy anëtarë grupi nga Saranda dhe të tjerët janë nga veriu i vendit. Konflikti ka nisur për pronën. Është zbuluar se kur Koçolja nuk ka marrë drogën e premtuar nga grupi ai i ka kërcënuar ata se do tregojë në polici, gjë që dyshohet se mund të ketë sjellë rrëmbimin. Ka të paktën 3 persona të skeduar në pamjet filmike. Fakti që ka disa të dyshuar, ka qeliza telefonike, mjeti ku janë rrëmbyer është vjedhur në Tiranë. Dyshohet se është një grup i organizuar kriminal”, tha Lala.