MENU
klinika

U ekzekutua me dy plumba në kokë dhe trupi iu mbulua me drunj!

(Pa)drejtësia për 24-vjeçaren Donjeta

09.04.2023 - 10:22

Shtatë vjet e 4 muaj e 28 ditë. Kaq kohë morën tentimet e drejtësisë kosovare për ta zbardhur rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. 24-vjeçarja nga fshati Strellc i Ulët i Deçanit, pjesa perëndimore e Kosovës, u vra më 9 nëntor, 2015, me dy plumba në kokë.

Edhe 2.705 ditë nga ekzekutimi i saj, vrasësi është ende i lirë dhe i panjohur për organet e drejtësisë.

Për 38 ditë në vitin 2015, familja Pajazitaj nuk dinte asgjë për Donjetën, derisa trupi i saj u gjet i dekompozuar në Bjeshkën e Strellcit. Pak ditë më vonë, familjarët morën vesh se i dyshuar kryesor për vrasjen e saj ishte kushëriri i afërt i tyre, Naser Pajazitaj, atëherë 60 vjeç.

Pas 10 vendimeve gjyqësore, ku herë u shpall i pafajshëm e herë u dënua me burgim të përjetshëm, Naser Pajazitaj u lirua nga të gjitha akuzat më 6 prill, 2023. Ai doli nga burgu dhe shkoi në shtëpi.

Për herë të fundit, Donjeta ishte parë jo shumë larg lagjes ku jetonte edhe ajo, edhe Naser Pajazitaj.

Nga dita e arrestimit e deri te lirimi i Naser Pajazitajt kaluan gati 5 vjet e 10 muaj.

Gjatë kësaj kohe, familjarëve u janë shtuar dhimbjet nga proceset e vazhdueshme gjyqësore.

“Sa mendojmë që po përfundon… ose po kthehet në rigjykim, ose po anulohen vendimet. Kjo është shumë e rëndë. Nuk po mund të pajtohemi. Vetëm inshallah, nëse jo nga drejtësia, dënimin prej Zotit ndonjëherë e merr”, tha vëllai i Donjetës, Shkëlqim Pajazitaj, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në dhjetor të vitit 2022.

“Zgjohem në mëngjes me atë mendimin… ende mendoj se është e gjallë”, thotë Shkëlqim Pajazitaj.

Përgjatë këtyre viteve, nëna e viktimës Lumnija dhe i vëllai Shkëlqimi u përballën vazhdimisht me ngjarjet e 9 nëntorit të vitit 2015 nëpër salla gjyqësore, sa në Pejë, sa në Ferizaj.

Kronologjia e vrasjes së Donjeta Pajazitajt
9 nëntor 2015
Familja Pajazitaj raporton në Policinë e Kosovës se 24-vjeçarja Donjeta është zhdukur, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi atë ditë.

9 nëntor 2015
Donjeta Pajazitaj dyshohet se u vra të njëjtën ditë me dy plumba në kokë në rrugën që çon drejt bjeshkës së fshatit Strellc në Komunën e Deçanit.

17 dhjetor 2015
Trupi i Donjetës gjendet afër një lokacioni të njohur si “Kroi i Lajthisë”. Trupi i saj ishte mbuluar me drunj, në tentim për ta fshehur krimin.

22 dhjetor 2015
Arrestohet kushëriri 60-vjeçar i Donjetës, Naser Pajazitaj, si i dyshuari kryesor për vrasjen e Donjetës.

8 qershor 2017
Prokuroria Themelore e Pejës ngre aktakuzë ndaj Naser Pajazitajt për vrasje të rëndë.

Çka thuhej në aktakuzë?
Në aktakuzë thuhej se Naser Pajazitaj, më 9 nëntor të vitit 2015, e kishte marrë kushërirën e tij, Donjetën, pak metra larg shtëpisë së saj me veturë. Më pas, thuhej se ai e kishte çuar 24-vjeçaren disa kilometra më larg, ku e kishte vrarë me dy plumba në kokë. Ai akuzohej se e kishte mbuluar trupin e Donjetës me drunj dhe kishte ikur nga vendi i krimit.

Hetimet dhe gjykimi janë fokusuar kryesisht rreth alibisë së Pajazitajt, deklaratave të dëshmitarëve, të cilët dyshohet se kishin parë apo kontaktuar atë dhe gjurmimit të bisedave dhe thirrjeve telefonike. Prokuroria kishte konstatuar se pretendimet e Pajazitajt, në disa raste, nuk përputheshin me provat e siguruara.

Një ndër argumentet kryesore të Prokurorisë ishte se alibia e të akuzuarit nuk qëndronte, pasi që të dhënat e marra nga një antenë, tregonin se nga telefoni i të akuzuarit ishte bërë një thirrje në afërsi të vendit të krimit gjatë kohës që ai thoshte se kishte qenë diku tjetër.

6 mars 2018
Pas procesit gjyqësor, Gjykata Themelore e Pejës e liron nga akuza për vrasje Naser Pajazitajn, pasi nuk arrihet të provohet se ai ishte kryesi i krimit. Ai dënohet vetëm për armëmbajtje pa leje me 2 vjet e 4 muaj burgim, për armën AK-47, e cila ishte gjetur në dhomën e gjumit, ditën e arrestimit të tij.

17 tetor 2018
Gjykata e Apelit e kthen në gjykim rastin.

25 mars 2019
Naser Pajazitaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjetës, në gjykimin e dytë të këtij rasti në Gjykatën Themelore të Pejës. Prokurorja e rastit, Valbona Dishaj-Haxhosaj, kishte thënë se është vërtetuar në tërësi se i akuzuari Pajazitaj e kishte kryer vrasjen “duke e shfrytëzuar besimin dhe padjallëzinë e viktimës”.

30 korrik 2019
Gjykata e Apelit konfirmon dënimin me burgim të përjetshëm për Naser Pajazitajn.

2 dhjetor 2019
Gjykata Supreme prish dy aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Themelore të Pejës dhe Gjykatës së Apelit, duke e kthyer rastin në rigjykim.

20 janar 2020
Gjykata e Apelit përjashton nga gjykimi i sërishëm i këtij rasti Gjykatën Themelore të Pejës. Ky rast i kalon Gjykatës Themelore të Ferizajt për të hequr çdo dyshim që gjykimi do të jetë i drejtë.

27 maj 2021
Edhe Gjykata Themelore në Ferizaj e shpall fajtor Naser Pajazitajn dhe e dënon me burgim të përjetshëm.

30 nëntor 2021
Sërish, Gjykata e Apelit e kthen në rigjykim rastin, duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

23 qershor 2022
Në rigjykim, Gjykata Themelore e Ferizajt e dënon sërish Naser Pajazitajn me burgim të përjetshëm.

18 nëntor 2022
Gjykata e Apelit ia ul dënimin Naser Pajazitajt nga burgim i përjetshëm në 35 vjet burgim.

6 prill 2023
Gjykata Supreme e liron nga të gjitha akuzat Naser Pajazitajn. Ai del nga burgu dhe kthehet në shtëpi.

Lajmi se Gjykata Supreme liroi nga akuzat Naser Pajazitajn e zhgënjeu edhe më shumë Shkëlqimin, vëllain e Donjetës.

“Nga sot e tutje, ne nuk kemi besim as në Polici, Gjykatë e as në Prokurori, kur për shtatë vjet nuk ishin në gjendje ta zbulojnë të vërtetën. Shteti po vret”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

Organizatat joqeveritare i kanë kritkuar vazhdimisht organet e drejtësisë për mënyrën e trajtimit të këtij rasti.

Në Kuvendin e Kosovës, më 6 prill, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kritikoi vendimin e Gjykatës Supreme.

“Për mua është e papranueshme që një person, i cili dënohet me burgim të përjetshëm, aq lehtësisht lirohet nga akuza”, tha ajo.

Që nga viti 2010 deri në fund të vitit 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra, ndërsa autorë të dyshuar ose të akuzuar, në shumicën e rasteve, kanë qenë bashkëshortët. Organizatat joqeveritare kanë kritikuar organet e drejtësisë për dështim në mbrojtjen dhe zbardhjen e këtyre rasteve. /REL