MENU
klinika

Nuk do ta besoni por e vërteta dhemb!

Gjyqi ndaj Donald mund ta forcojë më shumë demokracinë amerikane

02.04.2023 - 08:26

Në vitin 1872, presidenti amerikan Ulysses S.Grant u arrestua nga një oficer policie për shkak të shpejtësisë me të cilën po udhëtonte me karrocën e tij të tërhequr nga kuajt në Uashington. Oficeri ngriti dorën për t’i sinjalizuar të ndalonte. Grant iu bind dhe më pas e ndoqi oficerin drejt komisariatit të policisë.

A e poshtëroi kjo presidencën e tij? Jo, madje do të thoja se ishte një akt shumë pozitiv dhe në dobi të demokracisë. Ajo që ishte e paimagjinueshme për “Mbretin Diell” të Francës, Luigji XIV – i famshëm për thënien e tij “L’état, c’est moi” (Shteti jam unë) – është e përshtatshme në një sistem të barazisë para ligjit.

The Times raporton se një juri e madhe ka votuar për të paditur Donald Trump për shkak të pagesave të tij ndaj një ylli të pornografisë për të mos folur për lidhjen midis tyre pasi kjo mund ta dëmtonte gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016. Sigurisht, ka disa pyetje legjitime në lidhje me këtë proces të veçantë, dhe ndërsa nuk dimë detaje të akuzave, pas supozimeve të arsyetuara, mund pyesim veten: A duhet që aktakuza e parë e një ish-presidenti të bëhet nën një arsyetim të ri ligjor që mund të refuzohet nga një gjyqtar apo një juri?

Çfarë mendojmë mbi dyshimet për këtë rast edhe në mesin e atyre që nuk kanë asnjë simpati për Donald Trump? A e di se çfarë po bën prokurori i qarkut të Nju Jorkut Alvin Bragg? Asnjë nga ne nuk mund të jetë i sigurt për përgjigjen e këtyre pyetjeve derisa të kemi parë provat e paraqitura në gjyq.

Dhe unë personalisht jam i shqetësuar se një ndjekje penale e dështuar mund ta forcojë Trump. Megjithatë, do të shqetësohesha – edhe më shumë – për mesazhin e mosndëshkimit që do të dërgohej nëse prokurorët do të tërhiqeshin në fund për shkak se i dyshuari është një ish-president.

Njeriu i afërt i ish-presidentit, Michael Cohen, u dënua me 3 vjet burg për kryerjen e pagesës në emër të Trump, dhe një parim themelor i drejtësisë është që nëse dënohet korrieri, atëherë duhet të dënohet edhe dërguesi. Kjo nuk është gjithmonë e arritshme, dhe mund të jetë e vështirë të përsëritet ajo që arriti një ndjekje penale federale në rastin e Cohen.

Por qëllimi duhet të jetë drejtësia dhe kjo aktakuzë e nderon këtë qëllim. Kjo është veçanërisht e vërtetë sepse ky është padyshim një krim me pasoja më të mëdha se një rast tipik i falsifikimit të të dhënave të biznesit. Sepse me sa duket qëllimi ishte të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, dhe kjo mund të ketë ndodhur.

Kur Trump të arrestohet, do t’i merren shenjat e gishtërinjve, do të fotografohet dhe ndoshta do të prangoset. Lind pyetja: A është degraduese për një demokraci të ndjekë penalisht një ish-udhëheqës? Vendi demokratik që është më ekspert në arrestimin e ish-udhëheqësve të tij është Koreja e Jugut.

Ajo ka dënuar me burg 5 ish-presidentë, dhe zhvillimet në këtë vend i kam ndjekur vazhdimisht që kur isha shef i zyrës së “New York Times” në Hong Kong gjatë viteve 1980. Një ish-president u dënua me vdekje në vitin 1996 për rolin e tij në një masakër gjatë diktaturës ushtarake.

Pasardhësi i tij u dënua me 17 vjet burg për vepra të ngjashme. Një tjetër ish-president vrau veten në vitin 2009 teksa ishte nën hetim për një skandal korrupsioni. Pasardhësi i atij presidenti u dënua me gjithsej 17 vjet burg për korrupsion. Dhe presidenti i ardhshëm, në detyrë gjatë viteve 2013-2017, u dënua me gjithsej 25 vjet burg për krime, përfshirë dhënie ryshfeti dhe shpërdorim detyre.

Ka pasur raste kur kam menduar se kjo paradë e ndjekjeve penale ishte një shenjë e papjekurisë politike. Megjithatë, më vonë kam ndryshuar mendim. Është e vërtetë që në vitet 1990 Koreja e Jugut ishte një demokraci e papjekur me një prirje për një nivel të lartë korrupsioni.

Por ato ndjekje penale ndihmuan që demokracia e Koresë së Jugut të ishte më e fuqishme.

“Koreanët nuk e kanë aspak të lehtë të ndjekin penalisht ish-presidentët e tyre”- më tha Jie-ae Sohn, një profesor komunikimi në Universitetin Ewha Womans në kryeqytetin Seul. “Është një proces i dhimbshëm, të cilin ne nuk jemi të lumtur që t’ia tregojmë pjesës tjetër të botës. Megjithatë, ky proces e ka bërë të qartë se sundimi i ligjit vlen për të gjithë”- nënvizoi ai.

“Ky proces mund të jetë i shëmtuar” shtoi Sohn “por ne besojmë se kjo forcon demokracinë tonë dhe e lejon atë të jetë më elastike”. Ekziston një kundër-argument se ky është momenti i Amerikës që drejtësia të bëjë deri në fund punën e saj, në mënyrë që vendi të rimëkëmbet dhe të ecë përpara.

Kur isha adoleshent, u zemërova shumë kur presidenti Gerald Ford e fali ish-Presidentin Richard Nixon, megjithatë me kalimin e kohës mendova se ishte vendimi i duhur që e lejoi vendin të shërohej. Megjithatë, ekziston një ndryshim i dukshëm: në vitin 1974 Nixon ishte tashmë plotësisht i diskredituar, ndërsa Trump mohon çdo lloj shkelje ligjore që ka konsumuar dhe po kandidon sërish për në Shtëpinë e Bardhë.

Ndoshta Koreja e Jugut ofron një model për promovimin e duhur të sundimit të ligjit dhe kompensimit. Ndërsa ish-presidentët atje janë ndëshkuar me dënime të rënda, që të gjithë u falën dhe u liruan brenda 1-4 viteve. Në këtë fazë të zhvillimeve unë e kam të vështirë të vlerësoj forcën e padisë së prokurorit të qarkut të Manhattan kundër Trump.

Por frymëzohem nga fjalët e William H. West, polici që e arrestoi presidentin Grant për shpejtësi tej normave të lejuara. Sipas një rrëfimi që dha shumë vite më vonë, i raportuar në “The Washington Post”, ai i tha Grant: “Më vjen shumë keq zoti president që më duhet ta bëj këtë gjë. Sepse ju jeni kreu i kombit, dhe unë nuk jam asgjë tjetër veçse një polic i thjeshtë. Por detyra është detyrë zotëri, dhe unë jam i detyruar t’ju arrestoj”.

Kjo është madhështia dhe dinjiteti i sistemit tonë juridik në më të mirën e tij. Dhe nëse një oficer policie në vitin 1872 mundi të ngrejë dorën dhe të detyronte të ndalej karrocën e presidentit që po udhëtonte me shumë shpejtësi, atëherë edhe ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të mbështetur parimin madhështor të barazisë përpara ligjit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Do të vazhdojë të jetë president

Donald Trump shpallet i pafajshëm!