Sonte rikthehet me sondazhin e dytë Instituti prestigjioz Piepoli në bashkëpunim me Report Tv për zgjedhjet e 14 majit. Një nga pyetjet e sondazhit u publikua mesditën e sotme në emisionin ‘Kontrast’ në Report Tv, dhe kishte pikërisht ofertën e kandidatit të koalicionit Meta-Berisha për Tiranën, Belind Këlliçit, atë të transportit publik falas. Kështu qytetarët e Tiranës duket se janë kundër projektit të Këlliçit për transport publik falas.
Qytetarët e Tiranës të pyetur nga instituti Piepoli nëse e gjykojnë të realizueshëm propozimin e Këlliçit për të bërë falas transportin publik, 47% e tyre thonë se nuk është i realizueshëm pasi kushton shumë. Ndërkohë 43% e qytetarëve të ankimuar, thonë se ideja është ekonomikisht e realizueshëm. 10% e qytetarëve thonë se nuk e dinë.
Për analistin Lorenc Vengjeli, kjo është një ofertë e zgjedhur gabim nga Belind Këlliçi për të marrë votat e qytetarëve në Tiranë.
‘Është një kalë i zgjedhur gabim dhe nuk të çon shumë larg. Është një propozim dembel, edhe pak naiv’- tha Vangjeli.
Ndërsa deputetja e PD-së Flutura Açka tha se nisma është e majtë, por është një nismë që duhet lavdëruar. Megjithatë ajo u shpreh se mbështet kandidatin e PD-së Roland Bejkon.
‘Nga konteksti politik është një nismë e majtë, por ti bësh një shpjegim më të hollësishëm është për tu përgëzuar. Nga pikëpamja ekonomike. Ata që e duan shërbimin falas janë më shumë. Edhe ata që janë ‘Jo’ kërkojnë një argumentim ekonomik. Do të thotë se dëshira e shqiptarëve është që trendi të jetë falas. Duhet të japë argumente. Mendoj se është diçka që duhet lavdëruar. Do të mbështes Roland Bejkon.’- tha Açka.