MENU
klinika

Thirrja e origjinës

“Të rikthyerit” që po investojnë në vendlindje

24.04.2023 - 09:57

Berati mund të befasojë këto ditë këdo që e viziton, sidomos nëse je nisur nga Tirana me idenë se sezoni turistik nuk ka nisur plotësisht. Sigurisht teksa fillon të ecësh në rrugët e qytetit konstaton në dritaret apo dyert e ndonjë biznesi atë shkrimin tipik të këtyre kohëve që e has kudo në Shqipëri:

“Kërkohet kamerier, banakier, sanitar” e të tjera profesione. Por si për çudi, ajo që nuk mungon është ritmi që sheh në qytet. Lokale e biznese aktivë, qepena që janë kudo ngritur, kantiere të hapur në rrugë ku është duke u punuar, tek-tuk edhe turistë të huaj, të etur për pjesën historike.

Qyteti i “një mbi një dritareve” sot mbetet një mundësi e hapur turistike në çdo stinë dhe bizneset që kanë zgjedhur të operojnë në këtë sektor janë jo të pakta. Janë vendasit që nuk e braktisën kurrë qytetin. Megjithatë, një tendencë tjetër, edhe pse modeste, po gëlon në rikthimet e atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Eneida dhe motra e saj, prej vitesh jetojnë në Itali, por thirrja e vendlindjes ishte më e fortë. Po punojnë fort që në Berat të hapin një restorant si mall, por edhe nderim i gjyshërve të tyre.

“Mjedisi ku po hapet restoranti është shtëpia e gjyshërve. Për të nderuar emrin e tyre, ne vendosëm ta rikonstruktojmë dhe ta hapim. Kemi vendosur ta emërtojmë pas gjyshes, siç e njohin të gjithë ‘Zonja Gjena’.

Jetoj prej 33 vitesh në Itali dhe djali im Kristian ka lindur në Itali, por herë pas here e ka vizituar Shqipërinë. Pasi mbaroi gjimnazin kërkoi që të mësonte gjuhën shqipe, gjuhën e nënës.

Erdhi në Tiranë ku studioi menaxhim biznesi dhe njëkohësisht mësoi dhe gjuhën”, – tregon Eneida.

Tashmë Kristiani, edhe pse i lindur në Itali, i është përkushtuar plotësisht planit të biznesit në Berat që nëna dhe tezja e tij e duan aq shumë dhe prej vitesh e diskutonin me njëra-tjetrën. Vendimi për të bërë diçka lindi që në vitin 2017.

“Kristiani ka dashuri të veçantë për Shqipërinë dhe sidomos për Beratin, sepse njerëzit këtu i duken më të dashur, më të ngrohtë, ndaj është përkrahës i kësaj sipërmarrje.

Për momentin do të angazhohemi vetëm me restorantin, por në të ardhmen mund të ketë zgjerim. Ne kemi të afërmit tanë po aty që, edhe pse jetojnë në Greqi, e kanë menduar që të krijojnë diçka me ‘bed and breakfast’ (fjetje dhe mëngjes). Me menaxhimin do të merret djali, por edhe ne si motra do të angazhohemi gjatë vitit që të kujdesemi për këtë biznes”, nënvizon ajo.

Nga kryeqyteti drejt qyteteve të lindjes

Rikthimet nga emigrimi nuk janë të vetmet që po shkojnë kundër rrymës, edhe pse këto janë raste sporadike. Ka edhe nga ata që pas një jete të ndërtuar në kryeqytet po rikthehen në vendin e lindjes duke investuar. Alfred Ceca dhe bashkëshortja e tij të cilët prej vitesh jetonin mes Tiranës dhe Beratit kanë vendosur të investojnë në turizëm.

“Unë punoj në arsim dhe gjatë javës jam në Tiranë, por në fundjavë shkoj në Berat. Bashkëshorti është më i angazhuar me hotelin dhe është zhvendosur aty”, – na pohon zonja Ceca. Hotel ‘Beratino’ lindi ndoshta në periudhën më të vështirë të mundshme, atë të COVID-19 por gjithçka po ecën mirë.

“Është një ndërtesë ekzistuese në Mangalem, por është rijetëzuar dhe është kthyer në një hotel të vogël me 7 dhoma dhe një ambient ndenje, kuzhinë për mëngjesin dhe verandën apo çardakun siç i themi ne”, thotë znj. Ceca.

Z.Ceca e bleu ndërtesën disa kohë më parë. Ishte dëshira e tij të jetonte në Berat. Ata u zhvendosën në Tiranë në vitin 1997 por gjithmonë me idenë që të kishin një shtëpi. Në Tiranë u angazhuan njëri në aktivitet privat e tjetri në arsim, por pa harruar thirrjen e vendlindjes që së fundmi u dha forcën për të marrë një rrugëtim të ri. Por a e shohin ata si ide të mirë këtë investim që ende është në fillesa.

“Mendoj se është një ide, sepse turizmi ka ardhur duke u rritur si nga vizitorët vendas, edhe nga të huajt. Ne e kemi rijetëzuar për ta bërë këtë ndërtesë sa më komode, por duke ruajtur traditën për punimet në gur dhe dru, e cila shihet interesante nga vizitorët.

Sigurisht gjatë dimrit është pak e vështirë ta mbash hapur hotelin pasi frekuentimet janë në fundjavë, por sapo vjen marsi e më pas prilli e maji, numri i vizitorëve rritet gradualisht. Kulmi arrin në korrik-shtator, kur ka edhe numër më të madh të huajsh dhe të vendasve që vijnë nga diaspora”, na pohon znj. Ceca. Ajo sjell në vëmendje se gjetja e punonjësve dhe sidomos atyre që flasim mirë gjuhë të huaj është sfidë, por deri më tani ia kanë dalë.

Voskopoja, një tjetër destinacion që po sheh rikthime

Panajot Falo u largua drejt Greqisë kur ishte 23 vjeç së bashku me bashkëshorten dhe për 28 vjet ndërtuan jetën e tyre në ishullin grek Zakynthos. I angazhuar në verë në sektorin e turizmit dhe jashtë tij, në ndërtim për punimet e veçanta në gur, dikur i qëndronte stoik vendimit për të mos u kthyer kurrë në Shqipëri.

Sot është një nga “mikpritësit” e turistëve të shumtë në Voskopojë, ku prej më pak se tre vitesh ka kthyer shtëpinë e prindërve në hotel dhe nuk është penduar aspak për këtë vendim. Megjithatë, rrugëtimi nuk ka qenë aq i lehtë në fillim, sidomos kur gjithçka e ke nisur në kohën e pandemisë.

“Pavarësisht vështirësive që ka një biznes në hapat e parë, mendoj se e kemi përballuar mirë dhe nuk jam penduar që jam kthyer në vendin tim. Ka qenë vendimi i duhur sepse shoh potencial në Voskopojë dhe mundësitë që ofron si një vend turistik nuk janë të pakta.

Kur vija këtu shihja që kishte turistë, gjallëri dhe në këndvështrimin tim ia vlente të investoje.

Dimri është një sezon shumë i mirë për Voskopojën, madje sezoni që lamë pas ishte shumë i mirë. Klientela është rritur nga viti në vit, ndërkohë që interesi nuk mungon as nga të huajt, edhe pse shqiptarët janë kryesorët për ne”, – pohon z. Falo.

Aktualisht në biznes është i angazhuar ai dhe bashkëshortja, teksa fëmijët të rritur në Greqi e kanë ndërtuar jetën larg Shqipërisë.

Por ai nuk e përjashton mundësinë që edhe ata të kthehen një ditë në vendin e tyre. Ky duket një skenar i largët, për aq kohë sa vajza është e punësuar në një universitet në Athinë, ndërsa djali studion mjekësi në Angli, por asnjëherë nuk e kanë mbyllur plotësisht si mundësi.

“Kur do të bëja investimin, pyeta djalin edhe për atë sesi e mendon ai jetën dhe të ardhmen, pasi kjo është dhe pronë e tyre dhe më ka thënë shprehjen: Kurrë mos thuaj kurrë. Dhe ka shumë të drejtë. Kur ika nga Shqipëria isha 23 vjeç dhe thosha që nuk shkel më në atë vend. Por ja që kohët dhe mendimi ndryshon. U ktheva e jam këtu. Ndoshta do të vijë dita që edhe ai të kthehet” nënvizon ai.

Sa i takon emigrimit, z.Falo thekson se dikur emigracioni ishte e vetmja mundësi për të punuar dhe për të krijuar disa kursime. Sot nuk është më si dikur, pasi taksat dhe kostot e jetesës kudo janë rritur.

Start-up, një mundësi e artë që po gjallëron edhe rajonet

Sektori i teknologjisë dhe informacionit u rrit shpejt gjatë pandemisë. Për shkak të elasticitetit, pagave të kënaqshme dhe mundësive që ofron tregu global, shumë të rinj në kryeqytet por edhe në bashki më të vogla kanë arritur të gjejnë veten duke ofruar shërbime për të tretë, si profesionistë të lirë apo edhe me start up-et e tyre.

Vilma Koxhaj është një nga sipërmarrëset e reja në Berat që për disa vite u largua drejt Mynihut, por sot është rikthyer në vendlindjen me një Startup.

“Jam larguar nga Shqipëria në vitin 2016 drejt Gjermanisë. Studiova Informatikë dhe aty u integrova në tregun e punës ku jam ende aktive. Punoj si ‘Bussines Intelligence Consultant’ për një kompani në Mynih. Pas largimit u ktheva në vitin 2021 për të parë situatën dhe në korrik të vitit të kaluar vendosa që të kthehem përfundimisht. Një nga arsyet e rikthimit është që të jem afër familjes dhe në qytetin tim, por edhe sepse shoh një ndryshim të dukshëm në qytet, krahasuar me disa vite më parë. Jam duke punuar për një startup në fushën e IT. Më saktë të menaxhimit të bazës së të dhënave dhe raportimit. Është një biznes që do të zhvillohet online me projekte të huaja, por me një staf që do të punojnë në Berat. Dua që të krijoj hapësira për të rinjtë që të zhvillohen profesionalisht dhe të qëndrojnë në Berat” – pohon ajo.

Mirgen Hoxha është një tjetër sipërmarrës i cili ka lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u kthyer në Shqipëri dhe për të ngritur kompaninë e tij “Motomtech”.

“Motomtech lindi si një nevojë për kompanitë në SHBA, me të cilat kisha krijuar lidhje, me shokë dhe me miqtë e mi që kanë nevojë për staf të kualifikuar me aftësi teknologjike, të cilët merren me ndërtimin e platformave teknologjike dhe aplikacioneve në fusha dhe industri të ndryshme.

Fillimisht i ndihmoja ata të gjenin një ekip dhe ta menaxhoja. Në momentin që nisa ta bëja këtë për më shumë klientë, krijova ‘Motomtech’ si rezultat i asaj nisme.

Që nga fillimi ynë ne kemi ndihmuar, asistuar dhe krijuar platforma për 12 kompani dhe kjo është bërë pa asnjë formë marketingu por vetëm nga referimet e klientëve tanë. Kështu ka ardhur suksesi i ‘Motomtech’”- pohon ai.

Pagesat për punonjësit janë relativisht të mira në raport me pagat që ofron tregu shqiptar, që arrijnë deri në 2500 USD.

Bashkia e Beratit: Turizmi dhe industritë e tjera të lidhura me të po konsolidohen

Kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, vlerëson se qyteti por edhe rrethinat kanë krijuar një ofertë të mirë për këdo që zgjedh t’i vizitojë.

Kantinat e verës, agroturizmet dhe zgjerimi i strukturave mikpritëse në qytet po e kthejnë Beratin në një destinacion që nuk vizitohet brenda ditës.

“Berati është nga ato qytete që ka bërë revolucionin e heshtur më të madh në zhvillimin e hotelerisë. Nëse sheh numrin e dhomave bien në sy jo vetëm rritja e kapacitetit, por edhe rritja e cilësisë dhe standardit. Berati sot bashkë me njësitë administrative ka 3 mijë shtretër kapacitet. Është një qytet që ka hyrë në fazën e maturimit nga pikëpamja e strukturës turistike. Në 2019 kemi pasur 75 biznese të orientuara për turizmin, pjesa më e madhe bujtina, hotele ndërsa në 2022, kishim 164. Nëse flitet me bankat e nivelit të dytë me atë çfarë marr unë si përshtypje, nga drejtuesit e bankave në qytet rreth 65% e kredive që jepen për biznesin janë të orientuara në turizëm. Agroturizmet, nga ana tjetër, kanë ecur shumë mirë dhe janë disa investime shumë interesante. Kantinat e verës gjithashtu dhe na kanë ndihmuar shumë” nënvizon ai.

Një element i rëndësishëm për qytetin janë shkollat profesionale të cilat ofrojnë për bizneset një mundësi të mirë për punonjës të kualifikuar.

Edhe pse duket si një sektor i vetëm z. Demo vlerëson se turizmi mund të kthehet në një motor të rëndësishëm ekonomik për industritë e tjera të lidhura me të, por kjo do kohën e vet.

Bashkia e Korçës: Mundësitë, nga turizmi te gazifikimi dhe nomadët dixhitalë

Korça është një destinacion turistik gjithëvjetor ku vit pas viti rriten kapacitetet akomoduese, që në periudha të caktuara festash janë të tejmbushura.

Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, pranon se turizmi mbetet sektori më i rëndësishëm dhe arritja e potencialit maksimal për qytetin dhe rrethinat parashikohet në planë pune dhe strategji.

“Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme, do të mbështetemi në pasuritë tona ekzistuese të prekshme dhe të paprekshme kulturore dhe natyrore.

Fokusi ynë do të jetë në përmirësimin e aktiviteteve kulturore dhe eventeve, zhvillimin e turizmit të aventurës si një ofertë e re turistike, zhvillimi i infrastrukturës në mbështetje të turizmit të aventurës; duke forcuar kapacitetet e burimeve tona njerëzore; përmirësimi i cilësisë së akomodimit, objekteve turistike, agjencive turistike dhe restoranteve; njohje më e mirë e tregjeve tona aktuale dhe potenciale; dhe rritja e sensibilizimit të turistëve dhe industrisë së turizmit në Korçë si një destinacion cilësor”, – pohon Filo.

Sipas tij, paketa turistike do të vijojë të plotësohet dhe përmirësohet me produkte e shërbime të reja që sjellin të ardhura edhe më të mëdha për rajonin.

Sektori i turizmit, sipas kreut të Bashkisë, është një ndër më aktivët me investime dhe këtu nuk mungojnë as rastet e familjeve të kthyera nga emigrimi. Një prej këtyre rasteve është ai i një ferme familjare në fshatin Turan, e njohur si “Shtëpia e Kuajve”.

“Është modeli i fermës familjare, e përqendruar te mbarështimi i kuajve, e cila gjithashtu ofron shërbim akomodimi dhe restoranti. Biznesi menaxhohet nga një i ri i pasionuar pas kuajve, me përvojë 15-vjeçare si trajner dhe kampion në fushën e hipizmit në shtetin fqinj, Greqi.

Ai dhe familja e tij e madhe, kanë investuar me dëshirën e pasionin, për të pasur fermën e tyre, për ta kthyer në mënyrë jetese, stil, qendër edukimi për brezat, argëtimi, por edhe si një pikë e rëndësishme turistike për kalorës nga e gjithë bota” shprehet ai.

Por turizmi nuk është i vetmi sektor që Bashkia e konsideron me potencial për rritje.

Korça e sheh veten si një qoshkë tërheqëse dhe për nomadët dixhitalë, ku cilësia e jetës dhe kostot mund të jenë një arsye më shumë për këtë grup që është në rritje. Ndërkohë që për të rinjtë korçarë fokusi është te rritja e aftësive të tyre në teknologji.

“Promovimi i Qendrës ICT në Korçë, me qëllim trajnimin e mbi 5000 të rinjve për tregun ndërkombëtar të punës online, ofron një mundësi e madhe për të rinjtë korçarë e jo vetëm, të cilët tashmë kanë mundësi të trajnohen dhe të aftësohen në kurset e zhvilluara, me qëllim punësimin në tregun online nga kompani vendase dhe të huaja.

Qendra është e vendosur në Bibliotekën e Korçës dhe përfaqëson qendrën më të re të mësimeve të teknologjisë së lartë, për të motivuar të rinjtë në rrugën e punësimit në tregun global online, ku pa qenë aspak të detyruar të lëvizin nga vendlindja, ata mund të krijojnë të ardhura të larta” nënvizon z.Filo.

Projekti për gazifikimin e qytetit, ku kalon edhe gazsjellësi TAP shihet nga bashkia si një tjetër mundësi për të zhvilluar një zonë industriale ku bizneset mund të zgjerojnë aktivitetin duke parë leverdishmëri në kostot që ofron prodhimi me gaz.