Prokurori Sokol Nishani i Prokurorisë së Durrësit u përball të premten më 14 prill 2023 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për balancat negative për pasurinë, si dhe për konsatimin se në mënyrë të përsëritur, kishte blerë automjete lirë dhe i kishte shitur shtrenjtë, me qëllim justifikimin e burimeve të një makine tjetër.
Ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk evidentuan probleme për profesionalizmin.
Procesi i vetingut për prokurorin Nishani po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Sokol Nishani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 si oficer i policisë gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2008 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.
Konstatimet për pasurinë
Komisioni konstatoi pamundësi për krijimin e një prej burimeve financiare të deklaruara nga subjekti se ka shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të një zyre me sipërfaqe 40 m2 në qytetin e Durrësit, ku bashkëshortja e tij ushtron aktivitetin si notere prej vitit 2013.
Si burime krijimi të kësaj pasurie të blerë për çmimin 70 mijë euro, Nishani ka deklaruar një kredi dhe një hua, secila nga 30 mijë euro, si dhe 10 mijë euro kursime. KPK nuk ka gjetur probleme për kredinë. Po ashtu, xhaxhai i bashkëshortes së subjektit ka rezultuar me mundësi financiare për dhënien e huasë, pasi është vërtetuar se kishte shitur një pronë në vlerë të konsiderueshme.
Si burim kryesor të kursimeve në shumën 10 mijë euro, Nishani ka deklaruar të ardhurat e përfituara nga shitja e një shtëpie në vlerën 1 milion lekë. Komici u shpreh se janë vërejtur mospërputhje në desitancionin e vlerës së përfituar nga shitja e banesës, pasi është deklaruar si burim edhe për blerjen e dy automjeteve dhe për depozitimin në bankë të një shume 1 milion lekë në vitin 2008.
Nga hetimi ka rezultuar se kjo vlerë ka shërbyer për krijimin e një depozite në 2009-ën, që së bashku me interesat ka arritur në shumën 1 milion e 268 mijë lekë në 2013-ën, kur është tërhequr për të paguar një pjesë të çmimit të zyrës.
Komisioni konstaton se subjekti nuk ka deklaruar më parë kursime të krijuara nga shitja e apartamentit në vitin 2002 dhe as i ka depozituar ato në bankë në kohën kur i ka përfituar. Sipas Komicit, bazuar në këto gjetje, duket se të ardhurat e përfituara nga shitja e banesës nuk mund të kenë shërbyer për vlerën e depozituar në bankë në 2008-ën. Për rrjedhojë, Komisioni konstaton pamundësi financiare për krijimin e shumës 10 mijë euro që ka shërbyer për pagesën e zyrës.
Prokurori Nishani këmbënguli gjatë seancës dëgjimore se vlera 10 mijë euro është krijuar nga të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit në vitin 2002. Ai pretendoi se legjislacioni për deklarimin e pasurive nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore nuk detyronte deklarimin e kursimeve nga ai transaksion, prandaj dhe nuk i kishte pasqyruar në deklarimet e viteve 2003 dhe 2004. Subjekti kërkoi që mosdeklarimi si kursim i vlerës së përfituar nga shitja e apartamentit të konsiderohej si pasaktësi e paqëllimshme në kohën kur ushtronte detyrën e oficerit të policisë gjyqësore. “Kam depozituar në bankë kursimet në vitin 2008 dhe i kam deklaruar në atë vit”, theksoi ai dhe kërkoi që në analizë të përfshiheshin edhe të ardhurat nga pagat e tij dhe të bashkëshortes.
Subjekti vërejti se në atë periudhë nuk kishin kryer investime të tjera.
Nishani është gjetur në pamundësi financiare prej hetimit paraprak edhe për blerjen e një automjeti të llojit Toyota në vitin 2012 për vlerën 25 mijë euro. Si burime krijimi për këtë pasuri, subjekti ka deklaruar kursimet, të ardhurat nga shitja e një automjeti tjetër të llojit Toyota për shumën 1.4 milion lekë, si dhe nga shitja e një Benz-i dhe një mjeti tip KIA. Po ashtu, ka shpjeguar para Komisionit se ka marrë dhe një hua 10 mijë euro nga i vëllai emigrant në Itali, por pa e formalizuar për shkak të marrdhënies së posaçme.
Komici sqaroi se prej hetimit ka rezultuar se subjekti ka shitur dy automjete në vitin 2009, por të ardhurat e përfituara nuk janë deklaruar si kursime cash dhe transaksionet nuk janë kryer nëpërmjet bankës.
Ndërkohë, ka rezultuar se Toyota e parë është blerë prej subjektit në vitin 2009 për shumën 400 mijë lekë dhe e ka shitur në 2012-ën kundrejt vlerës 1.4 milion lekë. Sipas Komicit, personi që i ka shitur këtë makinë subjektit në 2009-ën, ka rezultuar me humbje rreth 240 mijë lekë.
Komici shpjegoi se subjekti ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni lidhur me çmimin që e kishte blerë pala shitëse, ndërkohë që ka pretenduar se çmimi 400 mijë lekë është dakordësuar për shkak të gjendjes motorike. Në fund të seancës, Nishani sqaroi për Komisionin dhe vëzhguesin ndërkombëtar, se kishte ndërruar motorrin e Toyota-s në vitin 2009, duke e përmirësuar gjendjen e mjetit dhe rritur vlerën e tij.
Ai pohoi se kishte pasur dijeni për defektin e motorrit dhe shtoi se kishte pasur njohje me një mekanik që kishte kryer punimet dhe e kishte paguar përgjatë tre vjetëve detyrimin financiar në vlerën 5000 euro.
Komisioni konstaton se Nishani nuk ka deklaruar në kohë shpenzimin për motorrin, si dhe të tjera investime për përmirësimin e mjetit në shumën totale 1 milion lekë, që është diferenca mes çmimit të blerjes dhe të shitjes.
Po ashtu, ka rezultuar se automjeti tip Toyota i blerë në 2009-ën është shitur disa muaj pasi është blerë Toyota në vitin 2012 kundrejt çmimit 25 mijë euro. Bazuar në këtë të dhënë, Komici pohoi se duket se shuma 1.4 milionë nga shitja e Toyota-s së parë nuk mund të ketë shërbyer për blerjen e makinës tjetër në 2012-ën.
Nishani deklaroi në seancë se, megjithëse akti i shitblerjes ishte nënshkruar në prill të vitit 2012, shitja ishte kryer realisht në janar të atij viti, kur dhe kishte marrë nga blerësi shumën 1.4 milionë lekë dhe i kishte dhënë në përdorim makinën.
Nga hetimi ka rezultuar se dhe automjeti i llojit Benz ishte blerë në 2006-ën për 200 mijë lekë dhe ishte shitur në vitin 2009 kundrejt vlerës 5000 euro. Edhe në këtë rast është konstatuar se personi që i ka shitur subjektit Benz-in në 2006-ën ka dalë me humbje në këtë transaksion, prej nga Komisioni ka ngritur dyshime se shuma 200 mijë lekë nuk përfaqëson çmimin real të blerjes. Nishani ka deklaruar se ka paguar edhe për zhdoganimin dhe targimin e mjetit.
Për blerjen e autoveturës të llojit KIA në vitin 2008, subjekti ka deklaruar si burime kursimet dhe të ardhurat nga shitja e apartamentit.
Në përfundim të analizës për blerjen e Toyota-s në vitin 2012 kundrejt vlerës 25 mijë euro, ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar shpenzimet doganore në masën 721 mijë lekë; se ka dhënë deklarime kontradiktore për burimet e krijimit të kësaj pasurie; si dhe nuk ka deklaruar huanë e marrë nga vëllai. “Duket si përpjekje e subjektit të rivlerësimit për të rregulluar situatën financiare për blerjen e automjetit në vlerën 25 mijë euro dhe në analizën financiare paraprake nuk është përfshirë huaja,” pohoi relatori Komici lidhur me huanë.
Relatori i çështjes shtoi se blerja lirë e mjeteve dhe shitja shtrenjtë e tyre, në mënyrë të përsëritur, duket se është kryer me qëllim për të justifikuar blerjen e automjetit të llojit Toyota në vlerën 25 mijë euro.
Nishani pranoi se huaja e marrë nga vëllai nuk ishte deklaruar, por ai pretendoi se bëhej fjalë për një marrëdhënie mes vëllezërve. Ai këmbënguli se nuk kishte pasur qëllim për rritjen artificiale të çmimit të automjeteve. Subjekti pretendoi se kishte bashkëngjitur prova që vërtetonin të kundërtën e barrave të provës, duke i kërkuar Komisionit që t’i konsiderojë.
Nishani u pyet edhe për një kredi të marrë nga shtetasi I.S., që rezulton të jetë paguar nga subjekti. Ai sqaroi se ka miqësi me shtetasin I.S. dhe se kredinë e ka marrë për ta ndihmuar. Sipas subjektit, megjithëse kredia është mbajtur prej bankës nga paga e tij, shtetasi I.S. i’a ka dhënë në mënyrë periodike të gjitha pagesat.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në një apartament që bashkëshortja e ka trashëguar nga prindërit; për një depozitë në shumën 3500 euro; si dhe për blerjen e një automjeti tip Rover për çmimin 1200 euro.
Nga analiza financiare paraprake e kryer për periudhën përpara fillimit të detyrës ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 100 mijë lekë, kurse për vitet 2008-2016, gjatë kohës kur Nishani ka ushtruar funksionin e prokurorit, KPK ka konstatuar balancë negative në vlerën totale 4 milionë lekë.
Subjekti deklaroi se edhe analiza e tij financiare ishte në të njëjtën logjikë me atë të kryer nga Komisioni. Ai pretendoi se provat dhe shpjegimet që kishte dorëzuar vërtetojnë mbulimin e burimeve të krijimit të pasurive, me të ardhura të ligjshme.
Në përfundim prokurori Sokol Nishani kërkojë konfirmimin e tij në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 18 prill, në orën 10:00. /Birn