Kryebashkiaku Erion Veliaj ka prezantuar kandidatët për këshillin bashkiak të Tiranës. Në një aktivitet të zhvilluar sot në kryeqytet, Veliaj tha se Partia Socialiste mbështetet në premtime reale referuar, duke bërë krahasime me fushatën e Partisë Demokratike. Ai tha se PS-ja nuk bën sponsorizime në Facebook dhe nuk premton trame falas, por gjëra reale që mund të realizohen. Me tramin nënkuptoi premtimin e kandidatit të Opozitës, Belind Këlliçi për transportin publik falas. T gjithë kandidatët, Veliaj i konsideroi qytetarë të Tiranës të cilët sipas tij, pavarësisht se janë pjesë e PS-së nuk e braktisin asnjëherë punën e dhe qytetarët.
Pjesë nga fjala e Veliajt:
Pas 4 vitesh kjo do të jetë hera e parë që opozita do të vijë në Këshill Bashkiak dhe kjo është dicka e mirë. Por, kam një pyetje: Nëse një ushtarak për 4 vite nuk e vesh uniformën e tij, a ka shans të hyjë prapë në ushtri? Nëse një mjek për 4 vite e hedh bluzën e bardhë, a ka shanse të rikthehet në dëtyrë? Nëse një fëmijë i vogël nuk shkon 4 vjet në shkollë, a e kalon dot klasën? Si ka mundësi që jetojmë sot në një vend, ku ka një standard shumë të lartë për një oficer dhe një ushtarak, ku ka një standard shumë të lartë për një mjek dhe një infermier, ku ka një standard shumë të lartë për një mësuese dhe një edukatore, ku ka një standard shumë të lartë për një fëmijë të vogël, dhe ndërkohë kemi kaq standard të ulët për politikën? Ata që u larguan për 4 vjet, sot vijnë me rrena të reja, për një tram të ri, me çudira të reja, por në fakt e braktisën detyrën për 4 vjet. Këto që kaluam ishin 4 vitet më të vështira, patëm dy tërmete, një pandemi, dhe inflacionin e luftës, por di t’ju them se pavarësisht bindjes që keni, pavarësisht si keni votuar, pavarësisht çfarë tesere keni, kush voton një socialist, voton dikë që nuk e braktis detyrën kurrë, nuk e lë kurrë vendin e punës. Kjo parti, partia jonë, ka qenë edhe në opozitë, në një opozitë shumë të vështirë, me sakrifica të mëdha, një opozitë kur vriteshin njerëz në bulevard. Sot na duken sikur kanë ndodhur në mesjetë, në një vend tjetër, por kurrë s’e kemi braktisur detyrën. Ndaj, garancia është jo vetëm për të majtët, por edhe për të gjithë ata qytetarë të mirë, që ndoshta deri dje nuk i kanë ndarë bindjet me ne, ky është momenti për të menduar për votën, jo vetëm për kryetarin, por sidomos për votën për Këshillin Bashkiak, si një kontratë me dikë, një djalë ose një vajzë, një burrë ose një grua, që pavarësisht se janë në Partinë Socialiste, janë super qytetarë që nuk e braktisin kurrë detyrën e tyre.
Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën ironizoi Sali Berishën kur tha se e do Bashkinë për hallet e tij, për t’i shpallur luftë Amerikës, që e ka shpallur ‘non grata’.
“‘Qoftë largu’ apo ‘larg qofti’, quajeni si të doni, na thoshte na jepni votën që t’i hapim luftë Amerikës. Ne nuk e duam Bashkinë që t’i hapim luftë Amerikës, Anglisë apo Qeverisë sonë, por e duam që ta forcojmë bashkëpunimin. Një votë për PS është një votë për bashkëpunim, për punë, për ta ndihmuar njeri-tjetrin, për ta financuar qytetin, për të mbështetur vendimet e qytetit. Jo si kokë dashi, jo si vare, jo si çekiç, jo si kazëm, për të shkatërruar dhe për t’u përleshur me njeri-tjetrin. Për të gjithë ata që janë të djathtë u bëj një thirrje: jo vetëm që ne nuk e braktisim detyrën, jo vetëm që nuk gënjejmë, me tram e me çudira të tjera – ai që fiton nuk gënjen dot sepse të hënën pas votimeve do të gdhihet në Bashki dhe do duhet të marrë vendime – jo vetëm kaq, por kemi kuptuar që lufta, pengesat, stërkëmbëshat janë një kohë e humbur që nuk kthehen më”, nënvizoi Veliaj