Tashmë që kanë kaluar 8 ditë nga votimi i 14 majit dhe kanë dalë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale, mund të bëjmë një analizë më të saktë, pa shumë emocione dhe pa asnjë pasion. Me 54 bashki të fituara nga PS duke marrë 786.566 vota dhe 7 bashki të fituara nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” duke marrë 501.402 vota dhe asnjë nga PD-ja zyrtare, e cila mori 36.852 vota, ne kemi një konfigurim mëse të qartë se si duhet lexuar vota e hedhur në kuti. Ajo që bie në sy është jo thjesht humbja e opozitës, por rezultati që ajo mori në këto zgjedhje është katastrofik. Po përse humbi Partia Demokratike?
Së pari, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk arriti dot të realizojë bashkimin dhe pajtimin e madh mes vetes. Të dy pjesët e ndara të kësaj partie, si grupimi “Foltore” dhe Partia Demokratike zyrtare premtuan prej shumë kohësh se do arrinin të bashkonin të gjithë demokratët anë e mbanë vendit por jo vetëm kjo nuk u arrit kurrë, por palët i distancuan edhe më shumë nga njëra-tjetra. Për hërë të parë në 19 zgjedhje të zhvilluara në vend që nga vitit 1991, 10 parlamentare dhe 9 vendore, partia që themeloi pluralizmin në Shqipëri dhe ishte e para forcë reale opozitare në historinë e Shqipërisë, u fut në zgjedhjet e 14 majit e përçarë, e ndarë, e fragmentarizuar dhe në këto kushte të mendoje se ajo do fitonte zgjedhjet ishte një utopi. As Sali Berisha si kryetar i PD-së së “Foltores”, e as Enkelejd Alibeaj i PD-së zyrtare, nuk arritën të krijojnë një forcë të përbashkët dhe unike që cila do përballej me Partinë Socialiste, e cila për hir të vërtetës ishte shumë më e bashkuar, shumë më solide dhe shumë më e impenjuar për të fituar.
Së dyti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk arriti të ndikojë që njerëzit të votonin masivisht. Me shifrën 38.22 për qind të pjesmarrjes në zgjedhje, PD tregoi se nuk ka bërë për vete që 62.78 për qind që është një shifër shumë e lartë, që të shkojnë bnë qendrat e votimit. Edhe më e rëndë është që më 14 maj votuan vetëm 14 për qind e të rinjve që kishin të drejtën e votës për herë të parë. Nga 122.545 të rinj të regjistruar, vetëm 16.628 prej tyre votuan për herë të parë. Kjo është një shifër shumë më katastrofike edhe se sa humbja katastrofike. Mungesa e pjesmarrjes në zgjedhje afërmendsh që do sillte një rezultat negativ dhe PD është përgjegjëse përse nuk arriti të realizojë një nga qëllimet e saj në këto zgjedhje. Ky argument hedh poshtë edhe justifikimin se zgjedhjet janë vjedhur. Derisa 62.78 për qind e shqiptarëve nuk shkuan të vototjnë, atëherë rezulton se pushteti nuk ka patur shans ta vjedhë shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Ata thjesht nuk shkuan në votime.
Së treti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse lidershipi i saj nuk u ul në realitet. Si PD e Sali Berishës dhe PD e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj nuk kuptonin dhe nuk dëshironin të kuptonin se realiteti ishte ndryshe dhe ato që shprehin ata ishin ndryshe. Kjo fatkeqësisht vijon dhe pas daljes së rezultatit zgjedhjeve dhe lidershipi i saj nuk ndjen asnjë faj dhe asnjë përgjegjësi por këtë ia hedhin të gjithë kundërshtarit. Unë kam bindjen se qeveria e PS-së ka shumë probleme e shoqëruar kjo me një pakënaqësi të shtuar, veçanërisht në pushtetin qendror. Dhe fitorja kaq masive, kaq e thellë edhe në pushtetin lokal, jo vetëm nuk është një gjë e mirë për demokracinë, por krijon baza për instalimin e autokracisë. Ky superpushtet i grumbulluar nga PS është një balonë që fryhet e fryhet dhe askush nuk e parashikon dot se sa do të do vijojë. Por që të thuash se PD nuk ka humbur zgjedhjet, është, ose të jesh naiv, ose ke njw hall të madh.
Humbja jo vetëm nuk ishte e ngushtë, por ishte katastrofike dhe ky cilësim është më i duhuri për ta përcaktuar atë që ndodhi me PD. Nga ana tjetër, humbja e bashkisë së Shkodrës, Kamzës dhe Tropojës ishin shembuj ekstremë se si PD humbi jo thjesht zgjedhjet, por pas 33 vjetësh humbi besimin edhe te bastionet e saj që u bënë majta. Nëse dikush në PD nuk e beson as këtë, ka nevojë për tu ulur nga fluturimi. Gjatë gjithë ditës së dielë, por edhe të hënën paradite, vetë Sali Berisha dhe eksponentë të PD pothuajse shpallën fitoren. Ndërsa kur doli rezultati, menjëherë deklaruan se Rama ka vjedhur votat. Epo nuk shkon më ky stil “alla Lulzim Basha”, sepse njerëzit nuk janë budallenj. Zotërinj demokratë, uluni në realitet!
Së katërti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk krijoi frymë. Kjo fjalë që tashmë ka marrë edhe shumë inflacion në politikën shqiptare është në kufijë që për PD-në mund të hiqet edhe nga fjalori. Veçanërisht PD e “Foltores” që ishte dukshëm ajo që mbizotëronte elektoratin e PD-së nuk arriti të krijojë një entuziasëm masiv të një fitoreje. Nuk ndjehej në asnjë momend kjo frymë dhe tendenca për të arritur një fitore u duk gjatë fushatës por edhe ditën e votimit.
Së pesti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse ajo vuajti inercitë e asaj që ka bërë Lulzim Basha. Njeriu që e drejtoi këtë parti për 8 vjet, 7 muaj e 7 ditë, krijoi mënyrën e tij të gabuar me njerëzit e gabuar, nga e cila kjo parti ende vuan. Jo vetëm dorëzimi i mandateve të deputetëve më 17 shkurt 2019 dhe mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit të vitit 2019, por e gjithë mënyra se si Lulzim Basha drejtoi PD është një periudhë që do vijojë të ketë edhe për shumë kohë pasoja.
Së gjashti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk arriti të bëjë për vete elektoratin gri. Tashmë është i çimentuar konkluzioni se zgjedhjet nuk fitohen vetëm me votimin dhe mbështetjen e anëtarësisë. Si PS dhe PD në shifra anëtarësie puthuajse të njëjta që vërtiren te 100 mijë secila. Por PD u mjaftua ta organizonte fushatën duke u mbështetur te anëtarsia esaj. Ajo u mjaftua me kontakte me anëtarësinë dhe militantët që e mbështesin dhe në asnjë rast nuk u ndëmorrën aktivitete, biseda town hall-e me intelektualë dhe ekspertë të fushave të ndryshme. Ato raste të pakta që ishin kishin të pamjaftushëm për ta kapërcyer këtë distancë të krijuar. Çdo kandidat shkonte në ato ambjente ku PD kishte mbështetës, tek ato lokale, dyqane, që e dinin se i donin. Askund nuk pamë që një kandidat të takonte një qytetar të lëkundur, që nuk kishte qartësi se për kë do votonte apo që mund të mos votonte fare. Shpërndarja e fletë-palosjeve me stilin “ngecje në dorë”, jo vetëm ishte e pamjaftueshme për të afruar qytetarët, por në shumë raste la shumë për të dëshiruar.
Së shtati Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse nuk kishte mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht atij amerikan. Që të shpallësh armike të partisë ambasadoren e SHBA-së dhe ta cilësosh atë të korruptuar e deri me etiketime fyese, nuk të beson kush se kjo parti mund të fitonte zgjedhjet. Në këto 33 vjet, asnjë parti, duke përfshirë edhe vetë PD, nuk ka fituar asnjë garë elektorale kur raportet e saj me faktorin ndërkombëtar, veçanërisht me SHBA kanë qenë të ndera. Qendrimet sovraniste janë jo vetëm diletante, por nuk e ndihmojnë në asnjë rast këtë parti. Për ta kuptuar akoma më mirë raportin e PD me SHBA, po presim nisjen nga puna të ambasadorit të ri David Kostelancik, për të parë akoma më qartë nëse PD e ka raportin e saj të keq me Departamentin e Shtetit apo me ambasadorin e radhës.
Së teti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit, sepse fushata e saj u përqendrua jo te kandidatët vendorë, por te politikanët qendrorë. Veçanërisht në grupimin “Foltorja” në qendër të fushatës ishte Sali Berisha dhe ndonjë figurë tjetër qendrore.
Në shumë raste kandiatët ishin në back stage dhe shpesh ata ishin derivate të partisë dhe jo personazhi kryesor në këto zgjedhje. Kjo erdhi edhe sepse në garë nuk kishte figura të rëndësishme që konkuronin në këto zgjedhje. Mund të përjashtojmë vetëm një katërkëndësh, Elbasanin me Luçiano Boçin, Tiranën me Belind Këlliçin, Durrësin me Igli Carën dhe Shkodrën me Bardh Spahinë. Ata patën një lloj protagonizmi, por zor besohet se mbahen mend emrave e kandidatëve të bahskive të tjera dhe protagonizmi i tyre ishte i papërfillshëm. Këtu nis edhe pjesa e përgjegjësisë. Sali Berisha ka një bilanc tejet pozitiv në karrierën e vet si politikan. Aksush nuk mund të mohojë as rolin e tij dhe as kontributin në politikën shqiuiotare me të cilat dhe gabimet e veta.
E përsëri se periudha e qeverisjes së tij 2005-2008 është një nga më të mirat në këto 33 vjet si në tregues ekonomikë por edhe në shifra të tjera zyrtare që kanë të bëjnë me luftën ndaj krimit, korrupsionit, e të tjerë. Berisha pati edhe një kontribut të pamohueshëm për shkundjen e PD-së të dalë nga humbja e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. Por me humbjen në zgjedhjet e 14 majit Berisha nuk duhet të vijojë më drejtimin e partisë. Nëse nuk e bën këtë mendoj se jo vetëm do ta dëmtojë partinë, por edhe karrierën e vet. Me këtë pozitë, shumë eksponentë të PD vijojnë ti kenë sytë nga Berisha të veprojnë çfarë thotë dhe mendon ai. Më e mira është që Berisha ti japë fund karrierës së tij politike duke e lënë partinë në një process të thellë demokratizimi dhe ndryshimi. Ndryshe, kjo parti, me këtë serial humbjeje, do ketë tendencën e tkurrjes në kishte ekzistence dhe kjo nuk është në të mir ëjo vetëm të kësaj partie, por edhe të demokracisë në vend.
Së nënti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit sepse nuk arriti të bëjë për vete dhe të kishte mbështetje në komunitetin e medias. Testi i parë i zgjedhjeve sigurish bëhet në media dhe janë gazetarët ata që kuptojnë se cila është tendenca dhe ku po anon fitorja. Por PD nuk arriti të ndryshojë as perceptimin te përfaqësuesve të medias. PD funksionoi në këtë drejtim pothuajse si PS. Por ndryshe nga kjo parti, PD nuk e ka luksin dhe as nuk mund të funksionojë sikur është në pushtet.
Në këtë drejtim PD-së nuk i duheshin dhe nuk i nevojiteshin gazetarë besnikë dhe militantë të saj që për tiu dukur sa më mirë shefit arritën të nxjerrin edhe sondazhe qesharake si ai që Erion Veliaj do merrte 12 për qind në këto zgjedhje. PD-s i duheshin gazetarë që me pavarësinë dhe integritetin e tyre ta mbështesnin opozitën jo si tifozë në stadium, por sepse ajo e meritonte këtë. Ndarja e parcelave se këta gazetarë janë tanët dhe këta gazetërë nuk janë tanët, ishte një dëm që vijon edhe pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve. Ndërkohë, gazetarë që nuk ishin me këmbë në tokë, por frynin vazhdimisht shifrat, duke shpallur fitoren e sigurtë të PD-së janë po aq qesharakë sa edhe ata politikanë që vijojnë të shikojnë ëndrra sikur PD ka fituar.
Së dhjeti, Partia Demokratike humbi zgjedhjet e 14 majit sepse nuk diti të përballej me fuqinë dhe makinerinë e pushtetit. Vërtetë PD arriti të denoncojë dhe të akuzojë PS-në dhe segmente të pushtetit si autore e manipulimeve të zgjedhjeve nëpërmjet shumë elementëve.
Por ajo më rëndësishme është se çfarë stradegjie përdori PD për tu përballur me këtë makineri. Dikush thotë që nuk kishte çtë bënte më shumë. Unë mendoj dhe besoj të kundërtën. Kur ke në dorë fakte ke çtë bësh që çke me të. Ajo më e rëndësishmja është të ndikosh në opinion që PS i vodhi zgjedhjet dhe nuk i fitoi PD. Po a ngjit kjo në masën e njerëzve? Më shumë ngjit që në PD nuk u pëball dhe nuk kishte aftësi të përballej.