Dy dronë kryen një sulm brenda kompleksit të Kremlinit mëngjesin e së mërkurës. Nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur, por pretendimet e Moskës për një sulm ukrainas janë më së paku të dyshimta. Rusia mund të ketë në fakt një problem serioz me terrorizmin e brendshëm. Por nga ana tjetër ka më shumë gjasa që regjimi i Vladimir Putin të jetë duke përgatitur një justifikim për një përshkallëzim të ri të konfliktit.
Kremlini është një kompleks me mure që rrethon disa ndërtesa qeveritare dhe kisha dhe pallate antike. New York Times ka verifikuar 3 video, 2 prej të cilave duket se tregojnë “një dron që fluturon dhe shpërthen mbi godinën e Senatit”, ku ndodhet zyra ekzekutive e presidentit, dhe tjetra tregon kupolën e ndërtesës së Senatit në zjarr.
Kjo është aq sa dimë. Natyrisht, rusët po fajësojnë ukrainasit dhe pretendojnë se sulmi ishte një përpjekje për të vrarë presidentin rus Vladimir Putin, i cili në atë kohë ndodhej në rezidencën e tij në periferinë e Moskës, Novo-Ogarevo, thanë zyrtarët rusë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e mohoi këtë akuzë, dhe në mënyrë specifike mohoi ta ketë vënë nën shënjestër Putinin: “Ne nuk po sulmojmë Putinin apo Moskën”, tha ai gjatë vizitës së tij në Finlandë. “Ne luftojmë në territorin tonë”- shtoi presidenti ukrainas. Por kush do (ose mund) ta niste një sulm të tillë?
Unë shoh paraprakisht 4 mundësi. Së pari, ka të ngjarë që ukrainasit apo ndonjë ekip ukrainas në Moskë mund të kenë përdorur dronë. Por kjo nuk ka shumë kuptim. Një sulm ndaj Kremlinit mund të jetë një veprim goxha simbolik. Por një goditje demonstrative mbi një godinë bosh gjatë natës do të ishte një shpërdorim i burimeve të vyera të inteligjencës ukrainase. Për më tepër kjo ka të ngjarë të shqetësojë marrëdhëniet e Ukrainës me amerikanët dhe NATO-n.
Një mundësi e dytë është që prapa të qëndrojë një grup brenda shërbimeve të inteligjencës,si një mënyrë për ta shtyrë Putinin të përdorë edhe më shumë forcë në Ukrainë. Miku im Nik Gvosdev, bashkëpunëtor në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme, më kujtoi sot se shërbimet sekrete i kanë qejf lëvizje të tilla.
Në vitin 2002, terroristët morën qindra pengje në një teatër në qendër të Moskës dhe ndër vite
ka pasur akuza se shërbimet e inteligjencës e dinin që do të ndodhte e megjithatë e lejuan si një mjet për të pasur më shumë kompetenca në të ardhmen për t’u marrë me ngjarje të tilla.
Gjithsesi, ky duket si një shpjegim shumë i ndërlikuar. Ushtria ruse ka nevojë për më shumë “mish për top”, por edhe Ministria ruse e Mbrojtjes ndoshta po e kupton se fushatat e saj po arrijnë kufirin e tyre. Shërbimet e inteligjencës kanë qenë nën kritika të forta që kur e mashtruan Putinin mbi shanset e suksesit në Ukrainë.
Ndaj ato mund të duan të përdorin një bombë ndaj Kremlinit, për të nxitur pretendimet e tyre për më shumë burime dhe pushtet. Por nga ana tjetër rrezikojnë që një sulm me dron në zemër të qytetit të interpretohet si një provë më shumë e paaftësisë së tyre.
Po ashtu është e mundur që goditja ndaj Kremlinit të ketë ardhur nga disidentët rusë, veçanërisht nëse ajo është bërë me një lloj pajisje jo shumë të sofistikuar. Sërish nuk ka shumë gjasa, por nuk është fare e pamundur, sidomos për shkak të zemërimit popullor ndaj rekrutimeve që supozohej të mos preknin kurrë Moskën dhe Shën Petersburgun.
Në këtë rast, shërbimet e inteligjencës do të kishin çdo lloj nxitje për të fajësuar Kievin, sepse gjëja më e keqe për ta do të ishte të mos ndalonin dot një atentat nga rusët nën hundët e tyre. Rusia është tashmë funksionalisht një shtet fashist dhe një komplot për të bombarduar Kremlinin dhe për të vrarë presidentin, mund të jetë nxitja e duhur për të ndërmarrë një shtypje masive me grusht të hekurt, të cilën Putini dhe këshilltarët e tij kanë shmangur deri më tani.
Por mundësia më shqetësuese është që ky të jetë një plan i miratuar nga qeveria ruse, nga fillimi në fund. Dhe ka disa arsye pse ky skenar ka më shumë kuptim sesa shpjegimet e tjera. Së pari, një sulm ndaj Kremlinit do t’i jepte Putinit justifikimin që po kërkon për një lloj veprimi dramatik dhe më vdekjeprurës që mund të mos ketë shumë kuptim nga pikëpamja ushtarake, por që do të destabilizonte Ukrainën dhe do të shqetësonte botën në pragun e një kundërofensivë të madhe të ushtrisë ukrainase.
Unë besoj se rusët i tremben këtij operacioni të ardhshëm, dhe duan të ndryshojnë narrativën brenda dhe jashtë vendit. Nuk e kam idenë se çfarë kartash ka nën mëngë Putini, por edhe në ditët e tij më të mira, ai është i prirur ndaj lëvizjeve strategjike idiote. Ai mund të përpiqet ta tërheqë edhe Bjellorusinë në luftë, mund të bëjë më shumë kërcënime bërthamore, apo edhe të urdhërojë përpjekje të reja për të vrarë Zelenskin.
Në çdo rast, një sulm i inskenuar me dron do t’i përshtatej prirjes së kahershme të Rusisë për operacione të tilla, veçanërisht ato që nga periudha sovjetike. Seria e sulmeve me bomba në disa apartamente në Rusi në vitin 1999, u bë preteksti për përshkallëzimin e Luftës në Çeçeni, u kryen gati me siguri nga shërbimet sekrete ruse.
Dhe gjatë vitit të kaluar, rusët paralajmëruan se ukrainasit do të lëshonin një “bombë të pistë”, një pretendim sa qesharak sa që edhe Kina u detyrua të këshillonte Kremlinit të mos luante më me kërcënimet bërthamore. Ky sulm me dron duket si e njëjta lojë, por vetëm pa materiale bërthamore.
Një sulm terrorist në kryeqytet do të ishte një pretekst që rusët të paralajmërojnë botën se këtë herë e kanë seriozisht. Zyrtarët ukrainas janë të shqetësuar se ky është pikërisht plani i Rusisë.
Mihailo Podoliak, një këshilltar i Zelenskit, tha për BBC-së se incidenti tregoi se Rusia mund të “përgatiste një provokim terrorist në shkallë të gjerë” në Ukrainë.
Kjo është një mundësi shumë e frikshme, duke pasur parasysh se plani rus përbëhet tashmë nga krime lufte pa dallim. “Diçka po ndodh mbi qiejt e Federatës Ruse por pa dronët e Ukrainës mbi Kremlin”-shtoi ai. Në këtë pikë jam dakord edhe unë, por së shpejti do të dimë më shumë, dhe duhet të përgatitemi për atë që do të bëjë diktatori i dëshpëruar i Rusisë.