MENU
klinika

Biden nuk duhet të zbusë qëndrimin ndaj tij

Analiza: Erdogan nuk do të ndryshojë!

28.05.2023 - 14:26

Nga Bobby Ghosh “Bloomberg” /Në rast se siç po duket gjithnjë e më e mundshme, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan fiton një mandat të ri me balotazhin e së dielës, mund të ketë 3 pasoja kryesore. Së pari, Turqia do të vazhdojë të distancohet akoma më shumë nga Perëndimi.

Së dyti, ekonomia turke do të vazhdojë rënien. Dhe se treti: establishmenti i politikës së jashtme të SHBA-së do t’i rekomandojë Uashingtonit që të kërkojë një lloj akomodimi me Ankaranë, duke argumentuar se kjo do të ishte më mirë sesa 5 vite te tjera marrëdhënie dypalëshe të acaruara.

Administrata e presidentit Joe Biden duhet të ndjekë logjikën e dy sigurive të para, për të hedhur poshtë arsyetimin e së tretës. Në vend se të nxitojë për t’u pajtuar me Erdogan, ajo duhet të shtojë presionin ekonomik dhe diplomatik ndaj tij, derisa ai të jetë gati të rivendosë realisht marrëdhëniet SHBA-Turqi.

Askush në Uashington nuk duhet që të mbajë frymën për ndonjë surprizë. Udhëheqësi turk e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë asnjë nga politikat e tij, të brendshme apo të jashtme qoftë. Në një intervistë dhënë për CNN, Erdogan tha se ai do të vazhdojë “absolutisht” me politikën e uljes së normës bazë të interesit, pavarësisht nga një bollëk provash se kjo masë ka shkaktuar dëme të rënda në ekonomi dhe i ka larguar investitorët e huaj.

Ndërkohë ai foli ngrohtësisht për marrëdhëniet e tij “të veçanta” me presidentin rus Vladimir Putin, përsëriti refuzimin e tij të bërë prej kohësh për të respektuar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës, dhe e kritikoi Perëndimin se ka dështuar të ketë një “qasje të ekuilibruar” ndaj Moskës.

Në fakt është qasja e Erdogan ndaj politikës së jashtme, që i ka munguar dukshëm ekuilibri. Ndërsa e ndërtoi atë marrëdhënie speciale me Putinin gjatë disa viteve, ai e ka larguar Turqinë nga partnerët e saj të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, dhe ka rrezikuar mbrojtjen e aleancës, duke kryer gjestin më provokues, atë të blerjes së sistemit rus të mbrojtjes raketore S-400.

Po ashtu ai është armiqësuar me partnerët kryesorë tregtarë të vendit të tij në Evropë, duke kërcënuar se do të lejojë të vërshojnë një numër i madh refugjatësh përtej kufijve perëndimorë të Turqisë. Gjatë gjithë fushatës zgjedhore, ai dhe drejtues të tjerë të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim kanë fajësuar Perëndimin, dhe veçanërisht SHBA-në, për shumë nga problemet që shqetësojnë sot Turqinë.

Optimistët do të vënë në dukje se Erdogan ka qenë i njohur për kthesat e tij të mprehta në politikën e jashtme. Gjatë 2 viteve të fundit, ai është afruar shumë me shtetet e Lindjes së Mesme, me të cilat më parë ishte përplasur ashpër, duke përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Izraeli.

Ndoshta ai do të bënte të njëjtën gjë me SHBA-në nëse administrata e Joe Biden do ta rikthente Turqinë në programin e prodhimit të avionëve F-35 (Ankaraja u përjashtua në momentin që bleu sistemin raketor rus S-400), apo të rifitonte mbështetjen amerikane për aleatët kurdë që Erdogan i konsiderohen si terroristë.

Por kthesat e Erdogan në raport me vendet e Lindjes së Mesme, nuk ishin rezultat i vullnetit të liderëve rajonalë: ato u nxitën kryesisht nga dëshpërimi i tij. Pasi gjunjëzoi ekonominë e Turqisë, ai kishte nevojë për bujarinë e arabëve të Gjirit. Dhe pa sjelljen miqësore të ish-presidentit amerikan Donald Trump, ai kishte nevojë për ndihmën diplomatike izraelite dhe egjiptiane në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale.

Leksioni që duhet të nxjerrë nga këto kthesa administrata Biden, është se në përballjen me një Turqi të ashpër, ia vlen të presësh. Është e vështirë të dihet se çfarë kombinimi faktorësh do ta detyrojnë Erdoganin të kërkojë një rivendosje të marrëdhënieve me Perëndimin.

Por thelbësorë janë 2 elementë. I pari është se Turqisë do t’i duhet të arrijë një nivel krize ekonomike, nga e cila as miqtë arabë të Erdogan nuk mund ta nxjerrin dot. Dhe i dyti, është se sjellja e Rusisë në luftën në Ukrainë e bën të detyrueshme marrëdhënien e tij të veçantë me Putinin.

Administrata e Bidenit duhet të bëjë pak për elementin e parë: mund të pritet që Erdogan ta shtyjë ekonominë turke më thellë në vrimën ekonomike që ai ka krijuar, ndërsa petro-shtetet arabe nuk do t’i vijnë në ndihmë gjatë gjithë kohës. Siç po e sheh presidenti egjiptian Abdel-Fattah El-Sisi, sauditët dhe emiratet nuk japin paketa ndihme të pakufizuara në kohë.

Sa i përket elementit të dytë, administrata e Joe Biden dhe aleanca perëndimore kanë qenë të palëkundura në mbështetjen e Ukrainës për ta zmbrapsur pushtimin rus. Sa më shumë disfata të pësojë Putini në fushën e betejës, aq më pak e veçantë do të ndihet miqësia e tij për Erdoganin.

Ndërkohë, Uashingtoni duhet që të vazhdojë presionin ndaj Ankarasë për të ndaluar lejimin e qasjes së Moskës ndaj mallrave që janë në listën e sanksioneve. Kërcënimi i masave ndëshkuese e ka një efekt: së fundmi, Turqia ka bllokuar tranzitin e disa dërgesave.

Nëse Erdogan fiton balotazhin e së dielës siç edhe pritet, tema e fjalimit të tij të fitores do të përmbajë me siguri fjalinë se Turqia nuk nuk ka ndërmend të bëjë hapa pas. Por edhe Joe Biden duhet të sinjalizojë se as SHBA-ja nuk do të tërhiqet nga qasja e saj aktuale.