Duket sikur “PD është qendra e botës”, por çdo njeri që mendon ashtu, e ka gabim. Askush nuk ka kohë të tepër të merret me atë parti, me fatin e saj, me hallet dhe problemet e saj, askush nuk ka “ngenë” të merret as me liderin e saj. Kjo për faktin sepse, kur merresh gjatë me vulëhumburin, harron “hallin” tënd. Shqipëria votoi, ashtu siç votuan të majtët dhe të djathtët.
Votuan dhe e dhanë verdiktin, dhe nuk është e nevojshme të merremi gjatë me “hallet dhe fajet e Saliut”. Në fakt, Saliu ndjehet mirë kur tërheq rreth hallit të tij, mbështetësit, vartësit, mediat, politikanët, shtresat në nevojë.
Ndjehet mirë kur të gjithë diskutojnë hallin e tij, dhe jo hallin e tyre, ndjehet komod kur e përgojojnë për keq dhe lëvdojnë për mirë. Ka prej tyre që, sapo del dielli, turren në emisionet e mëngjesit dhe rrinë 2-3 orë me telefonata, duke “sygjeruar” ikjet dhe mosikjen e Saliut, fajet dhe mosfajet e tij, dhe pastaj kujtohen se kanë hallet dhe problemet e familjes së tyre. Ka 32 vjet që në Shqipëri, klasa e dështuar politike ka krijuar edhe mediatikisht “viktimat” e saj.
Të gjithë i kemi parë se si në mitingjet e Saliut ka 32 vjet që vijnë me bukë me vehte, që u jepet nga një sufllaqe dhe 1 coca-cola, dhe qëndrojnë para ish-liderit derisa ai mbaron fjalimin “programatik”.
Në fakt, ata nuk kanë as punë, as banesë, nuk kanë as mbështetje nga partia e Saliut, por ja që kanë mbetur “viktima” të protestave dhe mashtrimeve. Jemi në 2023, një vit jubilar përsa i përket shumë vendimeve të rëndësishme që pritet të merren në kuadër të integrimit europian.
Askush nuk ka kohë të merret më, me përralla “vjedhje votash, blerje mandatesh dhe korrupsione elektorale”, të cilat po përdoren sërish nga ish-lideri historik i PD, si argumente për humbjen e madhe. Në betejat e mëdha të jetës, marrja me argumentet banale të një kaste politikanësh të skaduar që duan të justifikojnë dështimin, është humbje kohe. Ka ndodhur ajo që prisnin, ajo që ka ndodhur gjithmonë kur Saliu humbet zgjedhjet.
Del para mediave, deklaron “mosnjohjen, mos pranimin e rezultatit”, thotë se “na i vodhën votat, na blenë komisionerin, kandidatin, vëzhguesin”, dhe plot andrralla të tjera që do ti shkonin për shtat, një aktori komedie. PD, pas 14 Majit i përket së shkurës së largët. Kush nuk e ka kuptuar edhe brënda asaj partie, vazhdon të gënjejë vehten duke “shijuar” vetëm fjalimet dhe xhestikulacionet e një politikani të dërrmuar, nga humbjet e njëpasnjëshme elektorale.