MENU
klinika

Ja nga çfarë vuan

Celine Dion detyrohet që të anulojë sërish shfaqjet, por pse?

27.05.2023 - 09:10

Celine Dion është detyruar të anulojë datat e mbetura të turneut të saj që do të mbahej deri në prill të vitit 2024, për shkak të sindromës së personit të ngurtë (SPS)*.

SPS* – është një çrregullim i rrallë neurologjik me tipare të një sëmundjeje auto-imune. Kjo sindromë i kthen njerëzit në “statuja njerëzore” dhe ndodh 1 në 1 milion raste sepse bëhet fjalë për ngurtësim të muskujve. SPS karakterizohet nga ndjeshmëri e shktuar e muskujve dhe lëvizje e pakontrolluar e tyre pas çdo stimuli, qoftë kjo zhurmë, prekje, stres etj. Sëmundja mund të shkojë deri aty sa që lëvizja apo e folura të bëhet e pamundur. 

Këngëtarja 55-vjeçare njoftoi fansat në Twitter dhe shkroi: “Më vjen shumë keq t’ju zhgënjej edhe një herë…më thyhet zemra, por është më e mira që të anulojmë gjithçka deri në momentin që të jem gati të rikthehem në skenë…Nuk do të heq dorë dhe mezi pres t’ju shoh sërish”.

Në website-n zyrtar të këngëtares u konfirmua se të gjitha biletat e blera do të rimbursohen.

Në dhjetor të 2022-shit, Dion u diagnostikua me SPS dhe përmes një postimi në Instagram, ajo u shpreh:

“Siç e dini, unë kam qenë gjithmonë një libër i hapur dhe nuk kam qenë gati të them asgjë më parë, por jam gati tani. Kam një kohë të gjatë që po merrem me probleme me shëndetin tim dhe ka qenë vërtet e vështirë për mua të përballem me sfidat dhe të flas për gjithçka që kam kaluar. Kohët e fundit jam diagnostikuar me një çrregullim neurologjik shumë të rrallë të quajtur sindroma e personit të ngurtë, i cili prek 1 në një milion njerëz. Ndërsa ne jemi akoma duke mësuar për këtë gjendje të rrallë, tashmë e dimë se kjo është ajo që ka shkaktuar të gjitha spazmat që kam pasur. Për fat të keq, këto spazma prekin çdo aspekt të jetës sime të përditshme duke shkaktuar ndonjëherë vështirësi kur eci dhe duke mos më lejuar të përdor kordat e mia vokale për të kënduar ashtu siç jam mësuar. Më dhemb t’ju them sot se kjo do të thotë se nuk do të jem gati të rifilloj turneun tim në Europë në shkurt.” – shkroi ylli i muzikës.