MENU
klinika

Skënder Minxhozi

Doni rezultatin e 14 majit? Shihni sheshet…

10.05.2023 - 19:16

Ka një fenomen të përgjithshëm shqetësues për Erdoganin në zgjedhjet 14 majit në Turqi. Nuk është shëndeti i tij, por është fryma që ka mundur të zgjojë opozita turke. Lajmet që vijnë nga fushata tregojnë sheshe të mbushura frikshëm me përkrahës të opozitës së majtë qemaliste të drejtuar nga Kiliçdaroglu. Për herë të parë në thuajse njëzet vjet nga ngjitja e tij në pushtet, Erdogan po ndjen një valë zemërimi popullor të stimuluar edhe nga tërmeti shkatërrimtar i para pak muajve në Turqi që vrau 50 mijë njerëz.

Është fryma popullore ajo po shërben si elementi lidhës i koalicionit të majtë opozitar drejt pushtetit eventual. Është ai mobilizim pozitiv që sheh një rrugëdalje tek opozita turke, përballë zhgënjimit dhe zemëratës ndaj “sulltanit”, siç quhet rëndom Recep Taip Erdogan nga miqtë dhe armiqtë.

Për ta përshtatur fenomentin e frymës tek zgjedhjet paralele shqiptare të të njëjtës ditë, të cilat mbahen në të njëjtën datë me ato turke, fryma popullore që atje duket një favor vendimtar për opozitën, këtu tek ne duket një minus fatal për koalicionin Berisha-Meta. Prej ditësh dy ish-kryeministrat njëherësh edhe ish-presidentë, janë angazhuar në varavingon elektorale të zakonshme nga Jugu ne Veri, të cilën përshkojnë partitë politike shqiptare për të marrë votat e zgjedhësve.

Kur mësynë selinë e partisë në 8 janar, turmat që thërrisnin emrin e Berishës kishin më së shumti në mendje faktin se Doktori ishte e vetmja figurë politike që mund ta mblidhte edhe një herë grigjën e djathtë të demoralizuar nga pushteti apatik dhe pa peshë i Lulzim Bashës. Një rilindje djathtas, ja çfarë premtone Berisha asokohe. Një rikthim në vathën e opozitës të të gjithë asaj mase gri votuesish e simpatizantësh të ftohur nga humbjet e përsëritura të Bashës. Ata që sulmuan selinë me shkallë zjarrfikësash kishin dhe kanë ende nostalgjinë e kohëve kur Doktori mbante liturgjitë e tij në sheshet e mbushura dingas me njerëz, kur sokëllinte kundër socialistëve dhe yshtte “kishën” e tij të besimtarëve drejt fitoreve elektorale.

Ja që thuajse një vit e gjysëm nga ajo ditë e trazuar në oborrin e PD, Sali Berisha nuk arriti asnjërën prej këtyre pritshmërive për të cilat njerëzit sulmuan dyert e blinduara të Lulit. Nuk e bashkoi të djathtën (shihni garën e Tiranës që ta kuptoni) dhe e dyta që është pasojë e të parës, nuk po ngre dot frymën e ndryshimit duke i paraprirë fitores në të paktën gjysmën e bashkive. Po merr një porcion të votave të fjetura që historikisht kanë marrë PD dhe LSI në zgjedhje, por nuk po arrin t’i shtrijë dot këmbët jashtë gardhit të oborrit të vet partiak. Partia e madhe gri e të zhgënjyerve do të vijojë mesa duket të mos shfaqet në kutitë e votimit edhe në 14 maj, duke bërë kësisoj indirekt lojën e Ramës, i cili fitoren e bazon tek rreth 800 mijë votat e veta të palëvizshme dhe abstenimi i votuesit të paanshëm. Kjo është rrethana që de facto përbën një shah-mat të hidhur për pritshmëritë e opozitës të dielën. Dhe ky është dështimi i dytë politik i Sali Berishës pas ardhjes virtuale në krye të opozitës. Një dështim me premisa fatale nëse verifikohet i tillë në 14 maj, pasi Berisha nuk e ka moshën e Lulit dhe as kohën që kishte Basha në 2013 kur mori në dorëzim partinë. Ai ka vetëm dy zgjedhje në horizontin e karrierës së tij e cila po i drejtohet muzgut.

Po t’i hedhësh një sy grumbullimeve të opozitës nga Veriu në Jug do të shohësh pa vështirësi sesi kjo frymë e munguar po i papraprin një lajmi të keq për dyshen Berisha-Meta në zgjedhjet e të dielës. Pak njerëz, pak entusiazëm dhe duartrokitje megjithëse oratori historik 78 vjeçar nuk le epitet e sharje pa përdorur ndaj kundërshtarëve, që të zgjojë pak vëmendje tek dëgjuesit. Kontrasti mes piskamës elektorale të Foltores dhe vëmendjes së pakët e pasivitetit të votuesit, shënon një minus që do të ishte i kuptueshëm e fiziologjik nëse do t’i ndodhte një maxhorance 10 vjeçare si kjo e Ramës, por jo një opozite po kaq vjeçare që s’po di si të ngrejë frymën antiqeveritare në vend.

Sot ka garë në Shkodër, Durrës dhe në disa bashki të vogla. Dita e zgjedhjes mund të rezervojë natyrshëm surpriza, por siç koha e mirë që duket që në mëngjes, ashtu edhe gjasat aktuale që opozita të sjellë një paralajmërim serioz për pushtetin e Edi Ramës në 14 maj duke fituar bindshëm, duken tejet të vogla e minimale. Edhe një herë aksioma se Berisha e Meta janë një hipotekë e përjetshme për socialistët, po verifikohet përgjatë gjithë fushatës së pangjyrë të 14 majit. E nëse për qeverinë mungesa e lajmit (pra e interesit për pjesëmarrje masive në zgjedhje) është në vetvete një lajm i mirë, për palën tjetër fryma e munguar për të materializuar “revolucionin paqësor” të Berishës është një lajm i keq për të dhe sivëllain e tij politik Ilir Meta.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN