MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Durimi i SPAK-ut vs durimit të publikut

28.05.2023 - 20:02

Është pritur me padurim nga publiku përballja e fundit e zyrtarëve të SPAK-ut me Komisionin e Ligjeve, por që kuptohet nuk është se tregoi aq shumë. Veçse seriozitetit në fjalë i mungoi një nga elementët kryesorë, që lidhet me praninë e opozitës. Për fatin e keq, SPAK-u edhe në drejtimin e z. Dumani nuk po i ngjall asnjë frikshmëri politikanëve. Dhe aq më pak kriminelëve, që janë sofistikuar dhe na përballin ngado, madje tashmë të eksportuar dhe duke i sjellë dhimbje-koke dhe vendeve të tjera deri në Amerikën Latine, ku dihet se janë vende burimore për shumë droga të forta. Qetësia e kreut të SPAK-ut e vendos ende në provë durimin e publikut dhe sidomos pritshmëritë e tij. Megjithatë, kreu i saj Dumani ishte i drejtëpërdrejtë dhe madje disi euforik për rezultatin e vitit që shkoi. Shefi i SPAK-ut e ka rreshtuar si sukses shtimin e pasurive të sekuestruara të krimit, ndërsa ka konfirmuar atë që publiku e ndjen në referencat e medias, sipas të cilit krimi shqiptar brenda e jashtë vendit është më i sofistikuar, që paratë i transferon në linja sekrete dhe i investon në parajsa fiskale, madje ka linja të drejtpërdrejta me Amerikën Latine për kokainën. E përsërisim se, durimi ka qenë lajtmotivi i fjalës së tij, që do të thotë se publikut do t’i duhet të ndjejë sërish presionin, ofendimet e politikanëve dhe përballjet e krimit. Si vlerë, zyrtari ka prezantuar faktin se është thellësisht i pandikueshëm: “Ndikimi tek unë është zero, nuk ndodh. Qoftë kolegë prokurorë, gjyqtarë, të SPAK, GJKKO apo qoftë edhe politikanë që as nuk e marrin mundimin të më telefonojnë apo kërkojë takim, sepse e dinë përgjigjen”.

Atë që nuk kupton publiku është sesi kaq vlera shpërdorimesh raportuar nga KLSH-ja nuk marrin përgjigje. Institucionet që kanë kaluar në “sitën” e Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën janar-shtator janë gjetur në shkelje të shumta që kanë sjellë dëm ekonomik por edhe ndikim negativ në administrim të të ardhurave ose shpenzimeve. Në buletinin e fundit rezulton që ky dëm për të dy zërat të jetë 122 miliardë lekë (mbi 1 miliardë euro), 38% e të cilës vjen nga të ardhurat dhe shpenzimet dhe pjesa tjetër nga shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave (Monitor, 2022).

Publiku është pak konfuz me dosjet e inceneratorëve për të cilat opozita dhe media ka dhënë referenca të plota se çfarë mund t’i duhet më shumë SPAK-ut të shkojë në thelb, paçka se Dumani sërish ka kërkuar kohë për shkak të kompleksitetit etj. “Kemi raste, do ngremë akuzë ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtareve që kanë shkelur ligjin. Asnjë s’ka imunitet. Na lini kohë. Kemi në hetim disa çështje të rëndësishme dhe koha do të tregojë rezultatin e tyre”, ka siguruar ai. A mundet vallë publiku të durojë kaq shumë derisa autoritetet të veprojnë? Koha po tregon se gjërat e mira duan kohë dhe Dumani me atë mbështetje të jashtëzakonshme të ndërkombëtarëve, jep një lloj garancije. Megjithatë në rastin e kompleksit “Partizani”, CEZ dhe, jo pak dsjeve të tjera, institucioni lë ende shumë për të dëshiruar. Pasi në rastin e Shqipërisë, kur gjërat maten me rezultatet, një gjë është e qartë: Nëse do ngresh padi dhe do dënosh konform provave e ligjeve në kohën e duhur, atëherë mund të flasësh se ky institucion e ka treguar veten. Deri më tani, pritshmëria ndaj durimit që na jep institucioni është më i madh sesa durimi i publikut.