MENU
klinika

I arrestuar për 'shit-blerje' votash

Fredi Beleri shfaq probleme me zemrën në burg

29.05.2023 - 11:46

Fredi Beleri, kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Himarës, ka bërë rekurs në Gjykatën e Posaçme të Apelit dhe kërkon masë më të butë sigurie. Shkalla e Parë ka dhënë për të “Arrest me burg” dhe sot avokatët e tij do të kërkojnë masë më të butë.

Ndërkohë, vetë Fredi Beleri mësohet se ndodhet prej dy ditësh në spitalin e burgut pasi ka shfaqur probleme me zemrën.

Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, me akuzën se ka blerë 8 vota për 400 mijë lekë të vjetra. Bashkë me të, është prangosur dhe shtetasi Pandeli Kokaveshi, i cili është në “Arrest me burg” por prej arrestimit qëndron i shtruar në QSUT. Dhe miku i Belerit, ka probleme me zemrën.

Edhe përse u arrestua, Fredi Beleri arriti të fitonte zgjedhjet në Himarë me një diferencë të vogël votash dhe pak ditë më parë KQZ i dha mandatin. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të marrë një vendim për Himarën, duke qenë se kryebashkiaku i ri është në qeli dhe zyratarisht i pandehur.

Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është duke u mbajtur aktualisht seanca gjyqësore dhe pritet që togat e zeza të marrin një vendim, nëse rekursi do pranohet apo Fredi Beleri do të qëndrojë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Avokatët mbrojtës kanë deklaruar disa herë se klienti i tyre ka probleme shëndetësore.

Nuk dihet nëse shtrimi i tij në spital dy ditë para seancës gjyqësore për masën e sigurisë është një manovër për të bindur trupën gjykuese, apo kryebashkiaku i ri i Himarës ka vërtet probleme shëndetësore dhe nuk mund të qëndrojë i izoluar në qeli.