MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Kandidati virtual, Veliaj

02.05.2023 - 19:59

Nga Andi Bushati

Erion Veliaj po i afrohet 14 majit, pa bërë asnjë bilanc, pa testuar asnjë premtim dhe pa dhënë llogari për 8 vjeçarin e dy mandateve në krye të Tiranës. Ai i ka refuzuar ftesat e pësëritura të rivalit të vet real, Belind Këlliçi, duke shkuar drejt përmbylljes së një fushate fallco dhe të shtirë. Gjithkush që e ka ndjekur këtë proces është i bindur se mungesa e debetait mes dy kundështarëve nuk ka të bëjë me justifikimet kundër politikanit të ri, që gjoja i ka dhënë fytyrën borxh “non gratës”, apo kukullës, fijet e të cilës i lëvizin nga lart Saliu dhe Iliri.

Po të ishin këto arsyet e vërteta, kryebashkiaku mund të kishte pranuar një “përplasje” idesh me kandidatin më të struktuaruar dhe më të ndershëm, në raport me problemet reale të kryeqytetit, Arlind Qorin. Ai mundet ta kishte bërë këtë, sa për sy e faqe edhe me gjoja konkurentët që ka sponsorizuar vetë.

Por jo, Erion Veliaj e urren llogaridhënien si një parim themelor të demokracisë. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me garuesit e tjerë. Kushdo që e ka ndjekur këtë fushatë, ka qenë dëshmitar i teatralitetit të emisioneve të mbrëmjes, që janë organizuar si qoka pro tij. Aty ka rënë rëndom në sy heqja nga panelet e të gjithë kritikëve të kryebashkiakut, që këto TV i kanë madje edhe si analistë me kontratë. Më të zellshmit kanë shkuar edhe më larg, i kanë vënë si foto në sfond, pas shpinës së tij, pikërisht ato imazhe të retushuara që vetë Veliaj shpërndan në rrjetet sociale, ato ku kulla e sahatit dhe minarja simbol, nuk ishin zhdukur nga peisazhi i Tiranës dhe ku kurora e malit të Dajtit nuk ishte mbuluar ende.

Ky manipulim në formë bëhet më i madh po të shohësh edhe mënyrën e përditshme të komunikimit mediatik me publikun. Të gjitha aktivitetet e Veliajt janë të mbyllura për gazetarët. As kameramanët, as reporterët, nuk lejohen të marrin pjesë në to. Madje as nuk njoftohet për zhvillimin e tyre. Në vend të këtij procesi real, që i mundëson pushtetit të katërt minimumin e kushteve për të ushtruar profesionin e tij, TV kanë pranuar kaseta të gatshme propagandistike duke u marrë vesh që në këmbim të favoreve me Veliajn, të gënjejnë publikun e tyre. Aq flagrante është kjo praktike, sa ndonjëherë, sinjali i aktiviteteve që zhvillohen një ditë më parë, serviret të nesërmen si live nga bashkia dhe trasnmetohet si i tillë njëkohësisht nga të gjitha televizionet.

Ato që tanimë kanë mbetur në fajlorin profesional si kastetat e gatshme, janë thelbi i fushatës fallco të Veliajt. Madje për të vazhduar të manipulojnë publikun përmes tyre këshilltarët mediatikë të rilindjes kanë bërë edhe një sakrificë të madhe. Pak kohë më parë Lapsi.al njoftoi se Edi Rama po rekej ti mbushte mendjen organizatës më prestigjoze për lirinë e shtypit në kontinent, “Reporters sans frontieres” për të organizuar një dialog mes tij dhe shoqatave lokale të mediave. Këto të fundit vunë vetëm një kusht: që rilindja të jepte një shenjë të parë, të hiqte dorë nga komunikimi me kronika të përgatituara. Kërkesa mbeti pa përgjigje. Sepse para ishte fushata dhe shplarja e truve përbënte qëllimin kryesor.

Por, kulmi i kulmeve, ai që tejkalon edhe lëpirjen e Topit apo Klanit, madje edhe militantizmin idiot të Reportit është sjellja e News 24, që mëton të quhet një media e persekutuar nga regjimi. Ajo i ka shqyer dyert për Veliajn ndërkohë që kujdeset të sfumojë këdo që i prish sado pak punë atij. Jo më kot, në të gjitha raportet e lirisë së mediave ka zënë vend paragrafi i përsëritur se lidhja e pushtetarëve me pronarët që marrin leje ndërtimi, ka shumfishuar censurimin dhe autocensurën e gazetarëve.

Pra si konkluzion, Erion Veliaj ka pas vetes në këtë fushatë gjithë armatën e televizioneve që po sillen në raport me këto zgjedhje njësoj si ata këngëtarët që e mbështesin në publik, pasi kryebashkiaku u ka sponsorizuar koncertet me paratë tona. Qoftë dhe vetëm kaq do të majftonte që kjo garë elektorale të mos cilësohej as e lirë, as e ndershme, as e zhvilluar në një mjedis demokratik.

Natyrisht, gjithkush e kupton se përdorimi i mediave nuk është arma e vetme që Veliaj ka paraparë në strategjinë e tij për të qëndruar me përdhunë dhe çfardolloj çmimi në zyrën e mbetur nën hijen e gratacielave që po ngrihen mbi të. Ai ka në favor të tij krijimimin e një opozite fallco, ekzistencën e një rivali me “vulë”, heqjen e financimit për opozitën e vërtetë dhe reduktimin e komisionerëve dhe numëruesve të saj.

Pra ç’do gjë është ndryshuar, që asgjë mos ndryshojë. Prandaj dhe ai i shmanget debatit, sponanitetit të takimeve elektorale dhe kontaktit njerëzor me votuesit. Ai është shndëruar në kandidat virtual sepse përveshja e mëngëve në fushatën reale do nxirrte në pah manipulimin e madh që po ndodh në Tiranë.