MENU
klinika

"Do të vazhdoj të ushtroj detyrën time si nënkryetar dhe anëtar i PD"

Nuk fituan asnjë bashki, Enkelejd Alibeaj dorëhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike

17.05.2023 - 17:16

Enkelejd Alibeaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtuesit të komanduar të Partisë Demokratike.

Dorëheqja vjen vetëm tre ditë pas disfatës në zgjedhjet lokale, ku forca politike e drejtuar prej tij nuk arriti të fitonte në asnjë bashki. PD kandidoi me Roland Bejkon në Tiranë dhe u rendit në vend të katërt.

“Jap dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike. Unë po lë drejtimin e partisë, për t’i hapur rrugë drejtimit kolegjial të partisë. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time si nën-kryetar dhe anëtar i PD.

Këtë vit që kam drejtuar partinë, kemi patur disa arritje, Nuk kemi lejuar që PD të shkojë drejt shkrirjes, as të shkojë drejt anti-amerikanizmit”, deklaroi Alibeaj.

Alibeaj njoftoi mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike ditën e premte, ku tha se do të vendoset për drejtimin e kësaj force politike nga organet kolegjiale.

Alibeaj e ka drejtuar Partinë Demokratike pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, për rreth gati një vit, kur kjo forcë politike pësoi krisjen e madhe me mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Çështja shkoi në gjykatë, ku drejtësia vendosi se PD zyrtare, vula dhe logo i takonin grupimit të Alibeajt, i cili mori postin e kryetarit të komanduar dhe u regjistrua në zgjedhjet vendore.

Deklarata e plotë e Alibeajt:

Prej më shumë se një vit kam qenë drejtues i Partisë Demokratike. Në kohën më të vështirë të saj.

Kur është vënë në pikëpyetje mbijetesa e partisë që solli pluralizmin në Shqipëri. Mbijetesa  e partisë së të djathtëve shqiptarë. Mbijetesa e partisë perëndimore dhe euroatlantike.

Shifrat e proporcionalit tregojnë që Partia Demokratike arriti ta kalojë këtë sfidë, arriti të mbijetojë dhe tani mund të shohë drejt së ardhmes.

Zgjedhjet e 14 Majit sollën monizëm pushteti – Rama i mbajti thuajse të gjitha bashkitë që katër vjet më parë i kishte marrë pa kundërshtarë.

Para një viti, kur e prita në zyrë Sali Berishën, i thashë se më të në krye, demokratët nuk kanë asnjë shans të vijnë në pushtet. Prandaj nuk mund ta ndiqja. Prandaj nuk e ndoqa dhe zgjodha rrugën e qëndresës.

Me këtë rast dua t’u shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time të gjithë atyre demokratëve që e vendosën fatin e partisë, të familjes sonë politike, para llogarive dhe pazareve të ngushta e mediokre. Në kohë të vështira duhen njerëz me karakter të fortë. Këtë ju e keni dëshmuar.

Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja.

Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithësecilit, kontributin e gjithësecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet.

Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar.

Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en.

Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend.

Këtë, megjithatë, nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm – qoftë ky edhe drejtuesi.

Unë po largohem për t’i hapur rrugën një drejtimi kolegjial të partisë, në këtë fazë që hedh themelet për të ardhmen.

Ka qenë një vendim i Kryesisë që  vendosi që pozicionin drejtues, ta mbaja deri pas zgjedhjeve vendore. Tashmë që zgjedhjet përfunduan, po largohem nga drejtimi dhe do të vazhdoj të ushtroj detyrën time dhe përgjegjësinë ndaj demokratëve, si nënkryetar dhe pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.

Këtë vit që e kam drejtuar partinë kemi patur disa arritje për të cilat jam krenar. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të zhbëhet. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë drejt Lindjes. Ne nuk kemi lejuar që Partia Demokratike të shkojë në rrugën qorre të antiamerikanizmit.

Gjithashtu, ne kemi mësuar të flasim lirisht. Ne kemi mësuar të themi të vërtetën. Ne kemi kuptuar që PD duhet të jetë e djathtë, duhet të jetë demokratike, duhet të jetë euroatlantike.

Sepse e tillë lindi dhe ky është misioni ynë.

Kam njoftuar mbledhjen e Kryesisë të premten në orën 12.00

Ju pershendes!