MENU
klinika

Bashkim apo përçarje?

PD mbledh nesër Kryesinë, kush mund ta marrë drejtimin, Berisha do bashkëpunim, por me kushte

18.05.2023 - 19:45

Partia Demokratike i është rikthyer sërish debateve për bashkim. Të premten, më 19 maj, Partia Demokratike zyrtare pritet të mbledhë Kryesinë e PD-së për të vendosur se çfarë do të ndodhë. E ndërkohë që nga ana tjetër, vetëm Gazment Bardhi ka kërkuar një takim me Jorida Tabakun për të vendosur lidhur me hapat e radhës, por takimi mes tyre nuk ka ndodhur ende.

Por çfarë ka ndodhur deri më tani?

Partia Demokratike, e cila u fut në zgjedhjet me koalicion me Partinë e Lirisë, “Bashkë fitojmë”, humbi zgjedhjet duke marrë 7 bashki, nga 61 në total; 1 shkoi për MEGA dhe të tjerat janë të Partisë Socialiste. Sipas Statutit, kryetari i Partisë, në këtë rast Sali Berisha duhet që të shkojë në votëbesim. Ndërkohë që nga ana tjetër, Enkelejd Alibeaj hoqi dorë nga posti i tij si kryetar i komanduar. Në bazë të Statutit të tyre, tanimë duhet të gjejnë një kryetar të ri që të votohet me parimin “me një anëtar një votë”. Por deri atëherë, posti i tij duhet të mbushet nga një prej nënkryetarëve. Deri më tani, e vetmja që mund ta marrë drejtimin e partisë sipas statutit është Jorida Tabaku, por deri më tani, ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim. Madje sot, para se të hynte në Kuvend tha se nuk kishte asnjë ambicie.

“Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Nuk kam parë më shumë trishtim se çfarë kam parë në këto zgjedhje, askush nuk duhet të bëjë deklarata të nxituara dhe të reflektojmë dhe të pranojmë që PD-ja nuk është as më e madhe, as më e bashkuar dhe as më e fortë. Ambiciet e mia politike nuk mungojnë, por për mua më e rëndësishmja është ambicia e demokratëve çdo hap do e flasim me strukturat,”- tha Tabaku.

Nga ana tjetër Ervin Salianji, i cili pritet të marrë pozicionin e kreut të grupit parlamentar (para zgjedhjeve e kishte Luçiano Boçi, i cili garoi për Bashkinë Elbasan dhe humbi) tha se nuk do ta marrë këtë post.

“Është momenti që të kemi ndryshime reale dhe përgjegjësinë gjithsecili ta shohë personalisht në zonat ku ka bërë fushatë. Ata që kanë dëmtuar PD-në të japin llogari. Fraksioni i vulës ka një përpjekje tjetër për t’u fragmentarizuar më shumë”, tha Salianji.

Megjithatë zërat për bashkim janë shtuar, por nuk mungojnë edhe ata që duan largimin përfundimtar të Berishës dhe rikthimin e Lulzim Bashës, gjë që për momentin kryedemokrati e ka mohuar kategorikisht. Sot, në një konferencë për mediat, Berisha tha se i pranon të gjithë në PD, përveç Enkelejd Alibeajt dhe Lulzim Bashës. Por ndërsa Alibeaj i ktheu përgjigje publikisht, Basha ende nuk ka asnjë reagim zyrtar, përveç atij të fundit publik për takimin që ka pasur me kreun e grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla. Që nga ajo ditë, as për zgjedhjet nuk ka garuar, madje as nuk u pa duke votuar.

Një gjë është e sigurtë, tashmë priten zhvillime të tjera në PD-së, me një bashkim të mundshëm, ose një përçarje edhe më të thellë.