Ka nja 2 vjet e ca, që në PD janë duke folur më tepër “shkencëtarët” e saj, se ata që mund të gjejnë shtegun e shpëtimit të saj nga ngrehina. Japin leksione pothuajse çdo natë në tryeza “pune dhe debatesh”. Thonë se “si mund të ikë Edi Rama nga pushteti, se si mund të fitojmë pushtetin e humbur nga 2013, se si mund të gjenden fajtorët e humbjes së 14 Majit, se si mund të rifreskohet partia”, por nuk kanë kurajon të thonë asgjë konkrete. Selia e asaj partiçke, e katandisur në forcë e tretë apo e katërt, është e mbushur sot më shumë me ‘shkencëtarë” se me politikanë. Janë të rracave dhe llojeve të ndryshme.
Marrin dhe japin leksione “fitoresh pushteti”, shpjegojnë në mediat e shumta pro saj, se si “dilet nga kriza ku e ka futur vendin Edi Rama”, dhe lloj-lloj budalliqesh të tjera. Madje arrijnë deri atje sa thonë se “harta e vendit u ngjyros me flamujt e PS, sepse populli u tremb, u ble, dhe u shit”. Skenare dhe histori të tilla, nga PD nuk kanë dalë as në 1997, as në 2001 apo 2017, por po i dëgjojmë sot. Ata jetojnë në “qiellin e 7”, jetojnë me duva dhe mallkime ndaj qeverisjes Rama, luten dhe mundohen të nxisin protesta, por asgjë nuk duket në horizont. Ka rëndësi që ish-lideri, të kënaqet me “shkencëtarët” e partisë, si një risi.
Mes tyre bëjnë pjesë ish-ministra (që të qanin piten për lekë dhe që sot na hiqen si shenjtorë), ka ish-drejtorë dhe ish-zyrtarë që nuk lanë njeriu pa i marrë 5 ose 6 mijë euro për një vend pune, dhe gjithë kjo strukturë e re, e cila thuhet se “shënon hapjen e madhe të partisë”, merret gjithë ditën me “tjerrje thashethemesh”. Ka prej tyre që i japin “kurajo Berishës”, ka prej tyre që duke e nxjerrë fare nga konteksti kohës i thonë “ti do të jesh një ditë kryeministër Doktor, e ndjej me hundë unë”.
E ç’nuk i thonë atij, dhe ç’nuk thonë në studiot televizive, por ja që Edi Rama nuk luan vendit. Të mendosh dhe be4sosh se “Edi Rama do të rrëzohet një ditë me “shkencëtarët” e PD”, do të thotë të besosh pa asnjë mëdyshje se , ai do të fitojë edhe 3 mandate qeverisëse pas 2025. Ja pra, ku ka rënë partia e idealistëve, partia e idealeve të Dhjetorit’90, partie e atyre që aspiruan liri dhe demokraci amerikane, dhe po shijojnë dokrra dhe teori “konspiracioni” me vjedhje votash.
Berisha, nga ana e tij, jam i sigurtë se, nuk u beson shumë “shkencëtarëve” që ka afruar në parti, por kënaqet me faktin se ata, i ripërsërisin atij gjithë ditën dëshirën e tyre të madhe “për ta bërë kryeministër të vendit pas 2030”.
Kjo situatë qesharake dhe absurde që ka mbërthyer atë parti, nuk duhet gjithsesi të na bëjë të kënaqur, derisa demokracia e brishtë shqiptare, kërkon urgjentisht një front opozitar. Kuptohet jo të këtij lloji, por një opozitë të përgjegjshme, të ndershme, bashkëpunuese, reale, dhe properëndimore.