MENU
klinika

Projekti madhor

Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar

17.05.2023 - 12:37

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, i cili iu nënshtrua restaurimit, u përurua sot në një ceremoni të veçantë në sheshin “Skënderbej”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se, “është emocionuese që ia dolëm kësaj dite, që përtej vështirësive të orëve të para pas tërmetit, u kthye për të gjithë ne në një motivim pune, shprese, për të arritur këtu ku jemi, për të rimëkëmbur atë çfarë është e bukura jonë shqiptare, por mbi të gjitha për t’i ridhuruar Tiranës një kartëvizitë të vërtetë, siç është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar”.

Margariti u shpreh se, nuk do t’ia kishte dalë dot e vetme, pasi theksoi ajo, “është patjetër falë edhe mbështetjes së skuadrës së madhe të Ministrisë së Kulturës, që në asnjë moment nuk hezitoi që të hartonte me qindra projekte objektesh të dëmtuara”.

Ajo dha një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin Soreca, i cili theksoi Margariti, “besoi që në fillim dhe na shtriu dorën e bashkëpunimit dhe gjithë ambasadorët e pranishëm këtu që kanë qenë prezentë, jo vetëm në rastet e vështira, por sa herë që kemi pasur për të celebruar atë çfarë na lidh bashkë, që është e bukura”.

“Faleminderit edhe ambasadores Hohmann që e mori stafetën në një moment të vështirë, kur dukej se kantieret e restaurimit ishin futur në problematikat e mëdha, por së bashku ia dolëm të arrijmë në këtë ditë”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se restaurimi i mozaikut ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë.

“Të restaurosh një mozaik, të vendosësh ca teserina mund të dukej si një rrugë e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Më vjen mirë që kemi bashkëpunuar me të njëjtën fabrikë, e cila në vitet ’80 ka realizuar këto teserina dhe ndodhet në Venecia. Me habinë e madhe të tyre panë se si kishim ruajtur në magazinat tona këtë numër të lartë të teserinave dhe sot i riprodhoi me të njëjtën cilësi si atëherë, për të bërë këtë kartëvizitë që është shumë simbolike”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë projekti i madh për restaurimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në fjalën e saj falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për restaurimin e mozaikut.

“Jnë vërtet artistë, të cilët me të gjitha aftësitë e tyre, me artin e tyre kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kanë mësuar edhe studentët, duke i përçuar këto aftësi tek të rinjtë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ekipin e UNOPS, nuk mund t’ia kishim dalë pa ju”, tha Hohmann.

Ambasadorja Hohmann u shpreh se, “ju dëgjuat që bëhet fjalë për 123 tonalitete ngjyrash që janë përdorur për të gjithë pjesëzat që bëjnë mozaikun. Mendoni sa aftësi janë përdorur këtu dhe të gjitha këto do vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen”.

“Janë të gjitha këto aftësi, të cilat përbëjnë çdo pjesë të këtij mozaiku, jo vetëm këtij që kemi këtu, por edhe të jetës sonë. Janë këto aftësi, të cilat do të përdoren edhe në të ardhmen, për t’i bërë ballë çdo vështirësie që do të vijë edhe në sferën ekonomike. Kemi gjithë këtë larmi aftësish dhe pikërisht kjo është edhe motoja e BE-së, të bashkuar në diversitet, në këtë larmi, që ne ofrojmë dhe këtë dëshirojmë që të bëjë Shqipëria kur të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Hohmann.

Projekti madhor i restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar u mundësua falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.