Kryeministri Edi Rama ka porositur demokratët që në datën 14 maj të mos dalin fare për të votuar, por tja fusin gjumit.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me simpatizantët në Kavajë, ku tha se demokratët nuk duhet ta turpërojnë Shqipërinë duke votuar ish-kryeministrin Sali Berisha.
Gjatë thuajse gjithë fjalës së tij, retorika e Ramës ishte e përqëndruar te sulmet ndaj Berishës, duke thënë se ai është i padëshiruar në SHBA dhe BE.
“Berishën e përcakton si turp i Shqipërisë damka që i kanë vënë në lule të ballit partnerët tanë ndërkombëtarë. Që të ndahej me komunizmin, Shqipëria duhet të bashkohej me Perëndimin. SHBA dhe Europa ishin udhëzuesit shpirtërorë të të gjithë atyre shpresave që nxorën të rinjtë në rrugë. Amerika ishte flamuri i parë i asaj që ishte PD dhe Amerika u bë aleati ynë kryesor.
Sot ndarja nuk është mes PS dhe PD-së, por mes të ardhmes që për Shqipërinë është e përcaktuar si një rrugëtim krahë për krahë me aleatët që janë SHBA dhe BE dhe të shkuarës që është e përcaktuar nga fakti që pikërisht aleatët tanë më të mëdhenj i kanë dalë kundër. Janë detyruar ta bëjnë me shkrim, me vulë dhe ta lexojnë me zë e ta përsërisin me zë e me figurë për të gjithë ne, që o popull shqiptar, ju duam jashtëzakonisht shumë. Siç është dera e mbyllur në Amerikë dhe Britani, është e mbyllur edhe në Europë.
Ata do të numërojnë votat që do të marrë “non grata” për të kuptuar sa shqiptarë akoma nuk e kanë kuptuar dhe si nuk e kanë kuptuar që kjo nuk është një çështje personale. Por që është një çështje që prek një individ që ka qenë i gjithëpushtetshëm në Shqipëri dhe ka dhënë të gjitha provat për të qenë i padëshirueshëm. Ditë e diel është në 14 maj, futjani gjumit siç ja fusnit kur kishit Lulin.
Ju që jeni këtu jeni në rregull,madje unë habitem sesi po më dëgjoni hala. E kam me ata që mos ta turpëroni këtë vend. I them atyre të shtëpisë sime “po patë shenjën më të vogël që unë mund të filloj mos të kuptoj çfarë po bëj, mos më lini të dal nga shtëpia”. Sepse kur njeri futet në atë fazë, ai vetë nuk e di çfarë po bën, ai e di se po shpëton Shqipërinë”, u shpreh Rama.