MENU
klinika

Fitorja në 54 bashki

Rama: Pika e parë e programit duhet të jetë “njerëzillëku”

28.05.2023 - 15:54

Kryeministri i vendit, Edi Rama, është ndalur në Gjirokastër në kuadër të turit të falenderimeve për zgjedhjet e 14 Majit.

Gjatë fjalës në takimin me qytetarët e Gjirokastrës, kryeministri i vendit Edi Rama shprehet se pika e parë e programit të PS duhet të jetë “njerëzillëku dhe begenisja” ndaj qytetarëve.

Kryeministri Rama shprehet se bashkitë duhet të jenë më shumë të hapura për qytetarë që të dëgjojnë problemet që ata kanë.

Edi Rama: Vota e 14 Majit nuk është një votë kënaqësie, njerëzit nuk kanë votuar kaq masivisht sepse janë të kënaqur me ne. Këtë duhet të kuptojmë që të mos fluturojmë me barishte nga mbrapa. Duhet ta kuptojmë që njerëzit janë të pakënaqur me ne. Ka shumë gjëra për të mos jenë të kënaqur. Njerëzit kanë votuar sepse pavarësisht se janë të pakënaqur, kanë pritshmëri akoma të lartë ndaj nesh dhe madje besojnë fort se vetëm ne mund t’i bëjmë gjërat që ata presin. Kjo nuk është një arsye që ne të mbushemi me vetëkënaqësi. Ne nuk kemi lumturuar askënd. T’i bësh ata të jenë të kënaqur është tejet e vështirë. Ne duhet të ndihemi të sfiduar sepse na është hedhur një dorashkë. Shumica më e madhe që e ka votuar PS thotë se “nuk jeni më të mirë, por më të mirë se ju nuk ka sepse nuk kemi parë”. Ky besim, marrja e një kredie shumë të madhe që për ta larë duhet çdo investim nga ana jonë.

Kur mendoj se kemi drejtues të shtetit që sillen si bajraktarë në zyrat e shtetit, kjo votë më duket një besim i ekzagjeruar i njerëzve që ka brenda një rrezik që nëse ne nuk e shpërblejmë këtë besim, mund të na kthehet në një goditje që askush nuk e imagjinon dot. Të kuptojmë se çfarë ka ndodhur në 14 Maj dhe të investojmë që ta kthejmë këtë kredi në mirësi për shumë njerëz. Nuk është e mundur që të plotësohen pritshmëritë askund. Ne duhet të bëjmë 100 për qind për të kthyer besimin që na kanë dhënë më 14 Maj. Pika e parë e programit duhet të jetë njerëzillëku dhe bashkitë tona duhet të jenë akoma më të hapura. Të gjejmë rrugë dhe mekanizima që njerëzit të kenë liri të hyjnë në bashki. Populli shqiptar na e ka dhënë me një fjalë programin politik të 4 viteve të ardhshme në njësitë vendore, “hallin që nuk ma zgjidh, të paktën ma qaj”. Të gjithë duhet ta ndjejnë që janë pjesë e një komuniteti. Çdokush duhet të dëgjohet, askush nuk duhet të mbetet tek dera me ndjenjën që iu mohua e drejta për t’u dëgjuar. Nëse e bëjmë këtë, do të kemi më shumë arsye për t’u ndjerë të lehtësuar para njerëzve. Begenisja dhe njerëzillëku nuk duhet të mungojnë kurrë, kurrë.