Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia e mbështet popullatën serbe në Kosovë dhe beson se të drejtat dhe interesat e saj duhet të mbrohen, raporton agjencia e lajmeve, Reuters.
“Ne e mbështesim pa kushte Serbinë dhe serbët… Ne besojmë se duhet të respektohen të gjitha të drejtat dhe interesat legjitime të serbëve të Kosovës”, tha Peskov në adresimin e përditshëm për media, duke shtuar se nuk duhet të ketë vend për “veprime provokuese”.
Rusia edhe përmes një reagimi të mëparshëm kërkoi nga Perëndimi që të ndalë “propagandën” e tij pasi 30 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
“Ne i bëjmë thirrje Perëndimit që përfundimisht të ndalë propagandën e tij të rreme dhe të ndalë së fajësuari për incidentet në Kosovë serbët e dëshpëruar, të cilët po tentojnë të mbrojnë të drejtat e tyre legjitime dhe lirinë, përmes mjeteve paqësore dhe pa armë”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.
Rusia, që është aleate e Serbisë, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Që nga 26 maji, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur, pas hyrjes në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut të kryetarëve të rinj shqiptarë të këtyre komunave.
Më 29 maj, protestuesit serbë kundërshtuan kryetarët e rinj serbë dhe kërkuan tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.
Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar veprimet e Kosovës dhe kanë cilësuar “hyrje me forcë” shkuarjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj.
Bashkimi Evropian ka kërkuar që Kosova të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, si një hap i parë për të shtensionuar situatën.
Serbia ndërkaq ka kërkuar që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga veriu.
Autoritetet në Kosovë kanë mbrojtur vendimin e tyre për të dërguar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, nën përcjelljen e policisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për dhunën në veri më 29 maj ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.
Rusia, e cila ka nisur pushtimin e fqinjit të saj, Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, është aleate e Serbisë dhe mbështet vazhdimisht veprimet e saj kundër shtetësisë së Kosovës. /REL