MENU
klinika

Analiza

Sa do të zgjasin triumfet e Ukrainës?

25.05.2023 - 09:00

Ukraina sapo ka arritur një triumf diplomatik. Tani vendi është nën një presion të madh për të vazhduar me një triumf ushtarak në fushën e betejës.

Pas samitit të liderëve të vendeve të G7 në Hiroshima të Japonisë, fokusi do të kthehet në realitetet brutale të luftës në Ukrainën Lindore.

Mbështetja diplomatike dhe ushtarake e ofruar për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në këtë samit, ishte një motivim shumë i madh për të. Por rreziku është se ai mund të mbahet mend si filigrami i lartë i mbështetjes ndërkombëtare për Ukrainën.

Ukrainasit e dinë se mënyra më e mirë për të ruajtur mbështetjen perëndimore është arritja e një përparim të madh në fushën e betejës. Por pretendimet ruse se më në fund kanë arritur të marrin kontrollin e qytetit mbi të cilin është luftuar egërsisht 8 muajt e fundit dhe që sot është shndërruar gati në gërmadhë, Bakhmut, nënvizojnë se sa sfiduese mund të jetë kjo gjë.

Në deklaratën zyrtare të lëshuar nga liderët e G7-ës në përfundim të samitit, nuk kishte asnjë shenjë të këtij presioni ndërkombëtar ndaj Zelenskyy.

Brazil’s President Luiz Inacio Lula da Silva (L) speaks during a bilateral meeting with Japan’s Prime Minister Fumio Kishida (not pictured) on the sidelines of the G7 Hiroshima Summit in Hiroshima, Japan, 20 May 2023. EFE/EPA/JAPAN POOL JAPAN OUT EDITORIAL USE ONLY/NO SALES

Grupi përdori formulën e njohur se do ta mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të duhet”.

Por mesazhi jozyrtar është paksa më i ndërlikuar sa kaq: “Për aq kohë sa duhet. Por do të ishte më mirë nëse nuk zgjat shumë”. Kjo ndjenjë emergjence nuk pasqyron ndonjë mungesë simpatie për Ukrainën në qeveritë kryesore të vendeve perëndimore.

Përkundrazi, ekziston shqetësimi se nëse kundërsulmi i shumëpritur e Kievit ndaj forcave pushtuese ruse nuk arrin të ndryshojë dukshëm balancat në fushën e betejës, mbështetësit e Ukrainës do ta kenë më të vështirë të ruajnë nivelin aktual të mbështetjes politike, financiare dhe logjistike.

Presioni në rritje ndaj Ukrainës, është i lidhur ngushtë me zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2024. Rishfaqja e Donald Trump si kryesues në garën brenda republikanëve për emërimin zyrtar si kandidat, e ka shtuar frikën se presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të ndryshojë rrënjësisht politikën ndaj Ukrainës.

Sepse Trump është mburrur publikisht se mund t’i japë fund luftës brenda një dite, një mesazh ky shumë i ndryshëm nga deklarata “për aq kohë sa duhet”. Edhe një fushatë zgjedhore presidenciale e dominuar nga Trump, ka të ngjarë të minojë dukshëm konsensusin dypartiak të Amerikës për Ukrainën.

Gjatë saj do të fitojnë vëmendje të gjitha llojet e argumenteve kundër mbështetjes së Kievit, nga kostot e luftës e deri tek rreziqet e përshkallëzimit të saj. Sondazhet në SHBA tregojnë që tani një rënie të mbështetjes për Ukrainën.

E gjithë kjo i jep Vladimir Putinit arsye të shpresojë se, nëse ai mund ta mbajë Rusinë të luftojë edhe për 18 muaj të tjerë, në horizont mund të shfaqet “kalorësia Trumpiste”.

Kremlini po flirton që tani me ish-presidentin amerikan dhe mbështetësit e tij. Lista e fundit e amerikanëve të sanksionuar nga Rusia, përfshin njerëz që nuk kanë të bëjnë fare me Ukrainën, por që janë në listën jozyrtare të armiqve të brendshëm të Trump.

I tillë është rasti i Brad Raffensperger, zyrtari që i rezistoi lutjeve të Trump për t’i “gjetur” atij disa vota më shumë në Georgia. Duke pasur parasysh se SHBA-ja po ofron shumicën e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, qëndrimet në Uashington janë kritike.

Një ndryshim në atmosferën politike të Amerikës do të depërtonte në mënyrë të pashmangshme edhe në Evropë. Ndërprerjet në tregun e energjisë të shkaktuara nga lufta, kanë bërë që vendet evropiane të shpenzojnë tashmë rreth 800 miliardë euro për subvencionet e energjisë. Pakënaqësia mbi situatën ekonomike, mund të përkthehet në rritje të mbështetjes për partitë populiste të ekstremit të djathtë dhe të së majtës ekstreme, që e shohin me simpati Rusinë.

Ukraine, Crimea, Balaklava, view of Balaklava Bay.

Pastaj është çështja e furnizimeve me armë. Si Shtetet e Bashkuara po ashtu edhe Evropa, i kanë zbrazur rezervat e tyre të municioneve, si për shembull ato të predhave të artilerisë, në përpjekjet e tyre për të mbajtur të furnizuar Ukrainën.

Por pa u kthyer në një ekonomi të kohës së luftës, fabrikat perëndimore të armëve nuk mund të vazhdojnë të përballojnë ritmin e luftimeve në Ukrainë. Luftimet atje janë aq shumë  intensive sa që, siç thotë një politikan perëndimor “ukrainasit po konsumojnë brenda disa orësh atë që ne prodhojmë në një javë”.

Zyrtarët perëndimorë të sigurisë kombëtare, janë detyruar të veprojnë si tregtarë armësh. Ata lëvizin nëpër kryeqytetet globale, nga Seuli në Islamabad për të kërkuar furnizime të reja me raketa dhe armë të tjera që do të dërgohen në front.

SHBA-ja dhe evropianët besojnë se përpjekjet e tyre kanë funksionuar, dhe se Ukraina ka tani mjaftueshëm armë për të kryer një ofensivë serioze. Por rezervat e armatimeve të perëndimit janë pakësuar ndjeshëm. Dhe ato nuk do të plotësohet plotësisht deri në vitin 2024.

Megjithëse deri në atë kohë ukrainasit do të jenë në gjendje të përdorin avionët luftarakë, që iu ishin premtuan zyrtarisht javën e kaluar. Kundërofensiva aktuale e Ukrainës, ka të ngjarë të fillojë në heshtje me një seri misionesh qëmtuese, që do të kërkojnë të gjejnë pikat më të dobëta në linjën e frontit rus.

Por përmasat e këtyre dobësive mbeten “e panjohura” më e madhe e kësaj lufte.

Disa zyrtarë perëndimorë, të cilët kanë punuar ngushtë me Kievin, besojnë se ukrainasit kanë një shans të mirë për të thyer linjat ruse dhe për të kërcënuar Krimenë.

Të tjerë paralajmërojnë se rusët i kanë fortifikuar shumë pozicionet e tyre, dhe se trupat ukrainase pa përvojë mund ta kenë shumë të vështirë të fitojnë terren.

Më pesimistët druhen se lufta do të mbetet ende në ngërç deri vitin e ardhshëm, Putin mund të arrijë të mobilizojë qindra mijëra trupa të reja për fazën tjetër të konfliktit. Megjithëse ukrainasit kanë moral më të lartë dhe taktika më të mira, Rusia ka një grup më të madh ushtarësh potencialë.

Por edhe nëse Ukraina nuk arrin të bëjë një përparim domethënës, dhe nis të lëkundet mbështetja perëndimore për Kievin, ky nuk do të jetë fundi i historisë. Zyrtarët ukrainas theksojnë se në dallim nga mbështetësit e tyre perëndimorë, ata nuk do të kenë asnjëherë luksin për t’u larguar nga konflikti.

Ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, i pëlqen të citojë një fjalë të urtë që i atribuohet John Lennon: “Gjithçka në fund do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, nuk është fundi”.